Berisha e Balaj kandidojnë për Bosnjen

Kombëtarja Shqiptare hedh plotësisht pas krahëve humbjen me Italinë dhe fokusohet tërësisht në sfidën miqësore të së martës ndaj Bosnje Hercegovinës. Në kompleksin stërvitor në Durrës, djemtë e drejtuar nga trajneri Gianni De Biasi zhvilluan pasditen e së dielës seancën e dytë stërvitore në kuadër të këtij dueli dhe ajo që ra në sy ishte atmosfera pozitive që rrethonte ekipin. Trajneri kishte në dispozicion grupin e plotë bashkë me dy risitë e orëve të fundit, Kejdi Bare dhe Afrim Taku. Dy lojtarët e bashkuar orët e fundit me grupin kuqezi u bashkuan me pjesën tjetër të skuadrës, ndërsa sipas informacioneve, De Biasi po punon që të hedhë në fushë formacionin më të mirë.
Një sinjal i rëndësishëm vjen edhe nga Etrit Berisha që do të vazhdojë të vuajë pezullimin, por jo në miqësore dhe për këtë arsye, gardiani i portës së Atalantës pritet të zbresë titullar të martën në orën 18:00 në “Elbasan Arena”. Nuk ka vend për alarm për Armando Sadikun, i cili kishte ndier disa shqetësime pas një goditje të marrë. Bomberi i Kombëtares u bashkua rregullisht me grupin, por sipas të gjitha gjasave, mund të jetë radha e Bekim Balajt për të zbritur në fushë që nga minuta e parë. Shkodrani duket se e ka fituar balotazhin me Sadikun dhe Cikalleshin për vendin në majën e repartit të avancuar. Gjatë seancës së të dielës, De Biasi zhvilloi disa prova tekniko taktike për të caktuar formacionin që gjithsesi do të ndryshojë me kalimin e minutave, pasi trajneri do të eksperimentojë gjatë kësaj sfide për të testuar sa më shumë lojtarët që ka në dispozicion.
Luhet Shqipëri-Bosnje, ndoshta është folur pak për të, si pasojë e jehonës së disfatës me Italinë dhe situatave që pasuan, por për Kombëtaren Shqiptare testi me ballkanasit është vërtet i rëndësishëm. Kuqezinjtë vijnë pas 3 humbjesh radhazi në ndeshjet zyrtare me Spanjën, Izraelin e Italinë dhe pavarësisht se Bosnja është një kundërshtar i vështirë, me kualitetet të padiskutueshme në aspektin teknik, testi me ballkanasit ofron shansin për të gjetur një buzëqeshje për Shqipërinë. Klima e krijuar nuk është ajo më e mira, kritikat nuk kanë munguar dhe këtë të martë në “Elbasan Arena”, kombëtares i duhet të tregojë se është gati për një fillim të ri, duke demonstruar unitet, dëshirë dhe energji. Ndaj Bosnjës, De Biasi do të ketë shansin të aktivizojë lojtarë të tjerë e një mënyrë tjetër loje, në kërkim të një goli që mungon prej 270 minutash, tanimë me objektivin për të realizuar një surprizë të madhe në grupin kualifikues të Rusi 2018, ndoshta përballja me Bosnjën mund të jetë një pikënisje për të hedhur pas zhgënjimet e së kaluarës së afërt. Një fitore do të ishte ideale, por në një miqësore ku rezultati nuk është gjithçka Shqipërisë i duhet të dhurojë një performancë të mirë për të çelur disi horizontin para transfertës së Izraelit në qershorin e ardhshëm. Ajo ndaj Bosnjës do të jetë një provë edhe për tifozët,  në “Elbasan Arena” do të kenë mundësinë të tregojnë se dinë të jenë pranë skuadrës edhe në momentet e vështira, ashtu siç kanë bërë gjithmonë, gati  për t’i dhënë zemër ngjyrave kuqezi. Shqipëria ka nevojë për ta, kjo me Bosnjën duket vërtet më shumë se një miqësore.

Artikulli paraprakKërcënon De Biasi
Artikulli tjetërCDU fiton zgjedhjet rajonale me shumicë të madhe votash