Kërcejnë frikshëm aksidentet, u rritën 57% në dy muajt e parë të vitit

Shkurti i këtij viti ka shënuar sërish rritje të aksidenteve në raport me shkurtin e një viti më parë. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave treguan se në muajin e dytë të vitit aksidentet ishin 108 me një rritje 22.7 për qind në raport me të njëjtin muaj të vitit të shkuar. Ndërkohë që të dy muajt janar dhe shkurt sëbashku kanë regjistruar një shifër prej 270 aksidentesh me një rritje prej 57  për qind në raport me të njëjtën periudhë të 2023-it.

“Në muajin Shkurt 2024 numërohen 108 aksidente rrugore. Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 149 persona në muajin Shkurt 2024” vlerëson INSTAT.

Sa i takon atyre që kanë shkaktuar aksidentin të dhënat zyrtare konfirmojnë se problematikë vijon të mbetet sjellja e shoferëve në timon ndërkohë që grupmosha problematike gjatë shkurtit ka qenë ajo 45-59 vjeç.

“Aksidentet rrugore, në 78,7 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 45-59 vjeç, duke zënë 22,2 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Në muajin Shkurt 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e Premte me 18,5 %, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur në ditën e Martë me 8,3 %” thuhet në publikimin e INSTAT.

Nga përpunimi i të dhënave Instituti i Statistikave ka dalë në përfundimin se në muajin e dytë të vitit, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë harkut kohor 08:00-12:00 duke zënë 25,0 % të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej./ Monitor

Artikulli paraprakSi po e përdorin bizneset Inteligjencën Artificiale gjeneruese dhe ndikimi në botën e punës
Artikulli tjetërShuma MARRAMENDËSE! Ja sa para në vit shpenzohen nga shpërdorimii ushqimit