KE: Bregdeti shqiptar i papastër, përkeqësim në tre vitet e fundit

Zëdhënësi i Komisionit Europian për mjedisin, çështjet detare dhe peshkimin, Enrico Brivio nxjerr na pah, se monitorimi që agjensia europiane e mjedisit i ka bërë ujërave bregdetare në Shqipëri tregon, se situata në disa site bregdetare në Shqipëri është përkeqësuar 3 vitet e fundit. Sipas ABC News, nga 3 site bregdetare me cilësi uji të dobët në 2013, tani rezultojnë 31 site me cilësi të dobët uji. Për Komisionin Europian ka edhe një problem me 18 site, ku frekuenca e kampioneve nuk është e kënaqshme. Komisioni Europian ka publikuar raportin e Agjensisë Europiane të Mjedisit për ujërat e notueshme në vendet e Bashkimit Europian, Zvicër dhe Shqipëri. Lidhur me Shqipërinë, përveç 31 siteve bregdetare me cilësi të dobët uji, veçohen edhe 18 site ku rezultatet e analizës së kampioneve nuk janë të kënaqshme.
-Ku është problemi në këto 18 site, te frekuenca e kampioneve apo te cilësia e ujit?
Problemi  te 18 sitet qëndron më shumë te frekuenca e kampioneve, sesa cilësia e ujit, që në disa raste mund të jetë edhe e pranueshme. Duhen paraqitur së paku 4 kampione në vit për secilin sezon, që duhet të plotësojnë standardet dhe që të tregojnë që uji është i pastër. Për 18 site bregdetare në Shqipëri, ne nuk kishim kampione të mjaftueshme për të ardhur në përfundimin, se këto 18 site përmbushin standardet e direktivës europiane për cilësi të mirë të ujërave e notueshme.
-Në bazë të analizës së Komisionit Europian, a mund të themi që ka progres lidhur me cilësinë e ujërave të notueshme në Shqipëri krahasuar me vitet e mëparëshme? Në raportin e publikuar për 2015 flitet për 31 site bregdetare me cilësi të dobët?
Mund të thuhet që ka një lloj progresi, pasi ne jemi duke monitoruar gjithnjë e më shumë sitet bregdetare në Shqipëri. Por sa më shumë monitorojmë, aq më shumë probleme hasim. Më parë kishte vetëm 3 site bregdetare që kishin cilësi të dobët uji, tani kemi 31 site me cilësi të dobët dhe 18 site me frekuenca kampionesh jo të kënashme, për të cilat folëm. Pra, pavarësisht një lloj progresi, monitorimi tregon, se sa më shumë teste bëhen, aq më shumë site dalin që duhet të kenë një cilësi më të mirë. Duhet thënë gjithashtu, se Shqipëria monitorohet që prej 3 vjetësh, pra nuk është se kemi një historik të gjatë të monitorimit në Shqipëri.
-Cilat janë rekomandimet e Komisionit Europian për autoritetet shqiptare për përmirësimin e ujërave të notueshme për të përmbushur standardet europiane?
Sigurisht, çështjet detare janë kompetencë e shteteve anëtare. Nuk ka rekomandime specifike, por çështja kryesore ka të bëjë me menaxhimin e ujërave dhe me direktivën  europiane të mbetjeve urbane. U takon shteteve përkatëse të gjejnë mënyrat për të menaxhuar mbetjet urbane dhe mbetjet industriale, në mënyrë që ujërat detare të jenë të pastra.
-Në përfundim, cilat janë linjat kryesore të raportit të Agjensisë Europiane të Mjedisit në nivelin europian?
Gjatë 40 viteve, ka një progres të dukshëm, pasi tashmë konstatojmë që 93% e ujërave të notueshme në Europë janë të një standardi të pranueshëm. Pra, monitorimi konstant tregon, se ka ndihmuar shtetet anëtare që të përmirësojnë cilësinë e ujërave të notueshme për qytetarët europianë. Eshtë një lajm i mirë për qytetarët që duan të shkojnë me pushime në plazhet europiane.

Artikulli paraprakPërkeqësohet administrimi në bashkitë e reja, pagat zënë 60% të shpenzimeve
Artikulli tjetërStërvitje taktike përpara Katarit