Kaos me pensionet, në një javë 45 dosje tek Administrativja

Shtatori ka nisur aktiv për Gjykatën Administrative, e cila në më pak se një javë ka marrë të paktën 45 dosje që mbajnë brenda tyre problematika nga më të ndryshmet të lidhura me çështjen e pensioneve. Kryesisht të paditura janë Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore me një hartë që nis nga Tirana, Lezha, Durrësi, Elbasani dhe një seri qytetesh të tjera. Problematikat që hasen më shpesh duket se kanë të bëjnë me rillogaritjen.
Shumica e individëve që kanë çuar dosjen në derën e gjykatës kundërshtojnë masën e pensionit që u është caktuar sipas llogaritjes fillestare nga secila drejtori. Pretendimi i tyre është se kjo masë është caktuar më e ulët sesa duhet të ishte përfitimi real dhe për këtë duhet të bëhet rillogaritje. Mes të tjerave pensionistët kërkojnë edhe shlyerjen e diferencës që u është mbajtur në mënyrë të padrejtë gjatë periudhës që kanë marrë pensionin në masën e reduktuar, si dhe aplikimin mbi këtë vlerë të interesave.
Një tjetër problem që haset në dosje është ajo e mungesës së njohjes së vjetërsisë për periudha të gjata kjo më evidente për ata që kanë punuar në bujqësi dhe që në shumë raste kanë paguar kontributet në mënyrë kumulative për disa vite pas disa vendimeve nxitëse të qeverisë së asaj kohe. Në shumë raste pagesat edhe pse pretendohet se janë bërë nuk janë gjetur nga ana e Drejtorive Rajonale të Sigurimeve duke sjellë kështu një ulje të dukshme të masës së pensionit. Kundërshtimi i daljes së parakohshme në pension apo pensione suplementare që lidhen me kategori të veçanta si ushtarakët sërish kanë shfaqur problemet e tyre dhe kjo ka bërë që listës së padive t’i shtohet edhe kjo kategori.

Artikulli paraprakBMI: Qeveria Rama po rrezikon integrimin në BE
Artikulli tjetërForumi Ekonomik Botëror: Qeveria dështon në forcimin e rolit të grave