Kandidatët francezë, qëndrime të kundërta për Rusinë

Kandidatët konservatorë presidencialë në Francë, Francois Fillon dhe Alain Juppe, mbrëmë vonë e kanë akuzuar njëri-tjetrin lidhur me qëndrimin ndaj Rusisë, në debatin e tyre të fundit para raundit të dytë të zgjedhjeve partiake.
Juppe e ka kritikuar rivalin e tij për lidhjet e perceptuara me presidencën e Rusisë.
Duke iu referuar fjalëve të fundit të ngrohta të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin për zotin Fillon, ish-kryeministri francez, Alain Juppe, gjatë debatit televiziv, tha se “kjo duhet të jetë zgjedhja e parë presidenciale në të cilën presidenti rus e zgjedh kandidatin”.
Fillon e ka mbështetur rreshtimin strategjik të tij me Moskën dhe është angazhuar për tërheqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës dhe mbështetjes për separatistët në pjesën lindore të Ukrainës.
Ai i ka hedhur poshtë kritikat e zotit Juppe, duke thënë se, “Rusia është vend i rrezikshëm nëse ne e trajtojmë ashtu siç e kemi trajtuar në pesë vitet e fundit”.
Megjithatë, Fillon tha se, “ne jemi aleatë të Shteteve të Bashkuara, ne i ndajmë parimet fondamentale me Shtetet e Bashkuara, që ne nuk i bëjmë me Rusinë”.
Zoti Fillon theksoi se qëndrimi i presidentit të Francës, Francois Hollande, ndaj Rusisë, përfshirë mbështetjen e sanksioneve kundër Moskës, ka shërbyer për ta izoluar Moskën.
Nëse Francois Fillon fiton kundër Juppe në raundin e dytë të zgjedhjeve partiake më 27 nëntor, atëherë pritet pothuajse me siguri se ai mund të triumfojë kundër kandidates të së djathtës ekstreme, Marine le Pen, e cila po ashtu, i mbështet lidhjet e afërta me Rusinë, para zgjedhjeve presidenciale në Francë, në muajin maj të vitit të ardhshëm.
Në raundin e parë të zgjedhjeve partiake, Fillon ka fituar 44% të votave, Juppe afro 29%, ndërsa ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, nën presidencën e të cilit Fillon kishte shërbyer si kryeministër, ishte eliminuar.
Debati Fillon–Juppe u bë në periudhën kur Vladimir Putin e ka lavdëruar Fillon si “profesionist në shkallë të gjerë” dhe njeri që është “i aftë për ta mbajtur pikëpamjen e tij”.
Kremlini dhe zyrtarët e lartë rusë tashmë kanë shprehur optimizëm se lidhjet e Moskës me Perëndimin mund të përmirësohen pas fitores së republikanit, Donald Trump, në Shtetet e Bashkuara, në zgjedhjet e mbajtura më 8 nëntor, kundër rivales demokrate, Hillary Clinton.
Trump e ka lavdëruar Putinin dhe tha se ai do të dëshironte që lidhjet e shkëputura të Uashingtonit me Kremlinin t’i tejkalojë, me qëllim që të shtohet bashkëpunimi në çështjet, siç është luftimi i terrorizmit.
Franca dhe Gjermania ishin në mesin e vendeve udhëheqëse në Bashkimin Evropian në presionin kundër Rusisë, për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës, në mars të vitit 2014 dhe për shkak të mbështetjes së separatistëve në pjesën lindore të Ukrainës.
Kryesuesi i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Ulët të Parlamentit të Rusisë, Aleksei Pushkov, pas fitores së Fillon në raundin e parë, tha se nëse ai fiton në zgjedhjet presidenciale në Francë, ky do të ishte “fund i tandemit Paris–Berlin” kundër Rusisë.

Artikulli paraprakÇfarë mendon Izraeli për Trumpin?
Artikulli tjetërItalia do të mbyllë Call Center-at, 25 mijë persona rrezikojnë punën