Kadiu: Projekti 1 mld euro i qeverisë, verifikim burimit të parave

Deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu, ka ngritur disa shqetësime në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2018 gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Kadiu i drejtoi disa pyetje guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili ishte i ftuar për të dhënë opinionin e BSH-së për projektbuxhetin.
Duke marrë fjalën në mbledhje, deputetja e opozitës u shpreh se duke konsideruar qëllimin primar të Bankës së Shqipërisë që është suportimi i nivelit të çmimeve dhe stabiliteti i tyre, shqetësimi i parë që të lind lidhet me normën e inflacionit, por sigurisht jo duke e konsideruar atë si një problem apo si një qëllim në vetvete.
“Unë dua të di nëse përveç 3 instrumenteve që njihen tashmë që duhen për të ndikuar në normën e inflacionit që janë: furnizimi me likuiditet, ulja e normës së interesit, apo përdorimi i politikave të informimit a parashikon Banka e Shqipërisë politika të tjera që mund të ndërhyjnë në nivelin dhe normën e inflacionit”, tha Kadiu, e cila i drejtoi edhe një pyetje direkte Guvernatorit lidhur me verifikimin e burimit të parave që do të përdorë qeveria për projektin e famshëm prej 1 miliard eurosh.
“A parashikon Banka e Shqipërisë masa të cilat do të parandalojnë hyrjen e parave të drogës, të pista, mund t’i quajmë si të doni ju, ose e thënë ndryshe a është në gjendje BSH që të njihet me burimin e këtyre parave që i përkasin projektit 1 miliard eurosh në buxhetin e shtetit shqiptar?”, ishte pyetja që Kadiu i drejtoi Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Sejko, i cili pranoi se banka nuk është në gjendje të verifikojë burimin e këtyre parave.

Artikulli paraprakRritet deri në 40 për qind taksa e banesës
Artikulli tjetërQeveria po diskriminon personat me aftësi të kufizuar