Ka patur 2 hurma në dorë, jo armë! Ka dalë për të pirë kafe, flet xhaxhai i 25-vjeçarit që u vra nga policia

Hasan Rasha, xhaxhai i 25-vjeçarit që u qëllua për vdekje nga efektivët e policisë në mesnatë ka folur për mediat duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes. Sipas tij, nipi ka pasur vetëm dy hurma në dorë dhe në emër të vëllait kërkoi që të zbulohet e vërteta pasi pretendojnë se viktima nuk ka pasur armë me vete.

Ndërkohë theksoi se 25-vjeçari ka marrë më parë medikamente për probleme të shëndetit mendor. Familja ka hapur dyert e mortit dhe pret familjarë e miq për ti shprehur ngushëllime familjes për ngjarjen e rëndë që i mori jetën të riut Klodian Rasha.

“Është kuruar me ilaçe për nerva. Ka qenë dhe i shtruar për këtë punë. Është shtrirë në krevat dhe ka dalë në 2 të natës për të pirë kafe. Ka pasur 2 kokrra hurma në dorë, i ka lënë në ballkon e ka dalë për të pirë kafe. Nipi nuk ka pasur armë.

Në fillim na thanë djali është arrestuar nga policia. Dhe ky ka shkuar sikur është arrestuar. Pastaj kanë thënë se djali ka bërë aksident me policinë. Pastaj kanë thënë se ka vdekur.

Përpara ka qenë i sëmurë. Nuk dimë asgjë veçse është në morg. Edhe në emër të vëllait, ju jeni të gjithë të nderuar që vini këtu për të na e zbardh këtë punë, kërkojmë që të zbardhet deri në fund. Djali nuk ka pasur asgjë me vete se nuk ka armë as në shtëpi. Se si ka ndodhur si është bërë, më gjatë nuk di. Apeli prej nesh policisë është që këtë punë të na e zbardhë deri në fund”, tha xhaxhai.

Ngjarja e rëndë ndodhi pas mesnatës në zonën e Laprakës në Tiranë, ku një punonjës i Policisë së Shtetit ekzekutoi 25-vjeçarin e identifikuar si Klodjan Rasha, që sipas bluve nuk iu bind urdhërit për të ndaluar, dhe mbante armë me vete.

Në njoftimin e parë të Policisë thuhej se i riu mbante në dorë një send të fortë në dukje armë, ndërkohë që më pas u tha se nga grupi i hetimit ishte gjetur në vendngjarje një pistoletë, që dyshohej se ishte e Rashës.

Mësohet se i riu është me origjinë nga Puka, djali më i vogël i familjes Rasha, që ka edhe dy djem më të mëdhenj. Vendi ku ndodhi ngjarja është një rrugicë “qorre” pranë banesës së 25 vjeçarit.

Burime bëjnë me dije se i riu, është dërguar për në spitalin e Traumës, ndërsa mbetet e paqartë nëse ai ka ndërruar jetë në vend, apo rrugës për në spital, versioni i fundit është dhe ai që thuhet nga ana e Policisë.

Mësohet se në zonë janë dëgjuar dy të shtëna, ndërsa burime të pakonfirmuara bëjnë me dije se një plumb Rasha e ka marrë në kokë dhe një tjetër në shpinë.

I riu ka qenë duke pirë kafe në një lokal pranë banesës deri në orën 22:00. Policia ka sekuestruar kamerat e një servisi në orët e para të mëngjesit dhe mendohet për shkak të pozicionit ku janë vendosur dhe vendit ku ka ndodhur ngjarja mund të kenë regjistruar gjithçka. Shiritat e rrethimit të vendit të ngjarjes janë hequr rreth orës 07:00, ndërsa banesa e të riut ndodhet pranë vendit ku ka ndodhur edhe vrasja.

Artikulli paraprakPolicia vret me dy plumba të riun pasmesnate disa metra larg shtëpisë
Artikulli tjetërVrasja e të riut nga policia/ Fqinja rrëzon pretendimin e policisë: Bie drita në rrugicë! Ishte çun i mirë, i urtë…