Jo, kapjes politike të drejtësisë, pro Reformës që nuk mbron krimin

Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi dje se Partia Demokratike do të japë votën e saj pro Reformës në Drejtësi që lufton oligarkët dhe ndëshkon kriminelët. Dje, në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat ishin të pranishëm edhe ambasadorët e SHBA dhe BE, Donald Lu e Romana Vlahutin ku u diskutua në lidhje me Reformën në Drejtësi. Pas takimit, në një prononcim për mediat, Basha theksoi se kushti i vetëm i PD në lidhje me këtë reformë mbetet moskapja e drejtësisë nga politika.
“Nervozizmi kundër Reformës në Drejtësi dje mori formën e tij të plotë me kërcënimin që Edi Rama i bëri Gjykatës Kushtetuese pas heqjes së mandatit të oligarkut Kokëdhima.
Partia Demokratike është partia e demokracisë dhe e shtetit ligjor dhe si e tillë ka qenë prej ditës së parë mbështetësja më e qartë dhe më e vendosur e Reformës në Drejtësi. Kushti i vetëm i Partisë Demokratike gjatë gjithë këtij procesi ka qenë, është dhe do të mbetet deri në realizimin e tij me sukses, siç kemi besim të plotë që do të ndodhë, moskapja politike e drejtësisë.
Jetojmë në një vend që ka një histori të kapjes politike të drejtësisë, të një mazhorance kur këto dy parti ishin një e vetme, ku  korrupsioni dhe krimi e renditën Shqipërinë në fund të listës së Europës dhe në një pozicion të palakmueshëm edhe me vendet e botës së tretë”, tha Basha.
Kreu i PD theksoi se sot vendi më shumë se kurrë ka nevojë për një Reformë në Drejtësi që lufton krimin dhe korrupsionin.
“Për fat të keq tashmë me dy parti kjo mazhorancë përsëri po e rendit Shqipërinë si vendin më problematik në lidhjet me krimin e organizuar, me kultivimin dhe trafikimin e drogës, si vendin ku oligarkia gllabëron me babëzinë e saj miliarda euro të popullit më të varfëruar të Europës nga taksat e taksapaguesve më të ngarkuar në Ballkan. Nevoja për Reformën në Drejtësi nuk ka qenë kurrë më e madhe. Por për një Reformë në Drejtësi që lufton dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin. Kjo natyrisht bën shumë persona nervozë. Ne i dimë, i njohim këta persona me emër dhe mbiemër. Ata janë sot në hierarkinë e pushtetit të Shqipërisë.
Dhe ne kemi mirëkuptimin e plotë, durimin e plotë për tejkalimin e kësaj vështirësie të rezistencës së një pushteti për një Reformë në Drejtësi që nuk mbron, por lufton krimin dhe korrupsionin.
Të rezistencës së një Kryeministri, i cili i hidhet në fyt Gjykatës Kushtetuese sepse merr vendimin e drejtë dhe largon oligarkun Koço Kokëdhima nga Parlamenti pasi ka konsumuar krimin kushtetues të marrjes së parave të taksapaguesve shqiptarë për të cilat ishte betuar se do t’i mbronte. Të nervozitetit të ministrit të Brendshëm, të cilit i ka mbetur vetëm të rrethojë Prokurorinë për krimin e rëndë të kësaj Prokurorie; arrestimin e Emiljano Shullazit, kokës së narkotrafikut në Shqipëri”, vijoi Basha.
Ai solli në vëmendje presionet dhe kërcënimet e vazhdueshme të qeverisë ndaj gjyqësorit si dëshminë se mazhoranca nuk është e interesuar për një sistem të pavarur drejtësie.
“Nervoziteti i atyre që i tremben gjyqtarëve dhe prokurorëve të pavarur dhe të aftë ti bëjnë ballë këtij presioni politik: Ka dy vjet e gjysëm që nuk rresht për të marrë vendimet që do Edi Rama në raport me oligarkët, për të marrë vendimet që do Edi Rama në raport me krimin. Këtij presioni politik duhet ti qëndrojë, e do ti qëndrojë me dinjitet gjyqësori i reformuar. Ky është testi. Reforma nuk është një copë letër, por reforma është zbatimi i saj përballë një oligarkie, e cila sot i ka vënë vetes një damkë turpi të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër të realitetit euro-aziatik, kur ditën e djeshme dy kasnecë të kësaj qeverie, dy ministra të kësaj ministrie i bënë presion kryetarit të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Gjykatën e Strasburgut, presion të hapur politik për të mos gjykuar çështjet e pronave me palë shtetin si dhunues dhe shkelës i së drejtave të pronarëve. Presione që vetë ministri i Drejtësisë i kabinetit i bëri Gjykatës Kushtetuese për të njëjtën çështje. Pra, nuk është aq e lehtë sa ç’mund të mendojë dikush. Është e vështirë ndaj ka zgjatur dhe mund të zgjasë sepse në fund të fundit rëndësi ka produkti dhe jo koha”, vijoi kreu i PD.
Basha theksoi se, “rëndësi ka standardi europian nga i cili Partia Demokratike dhe unë personalisht nuk tërhiqemi dhe për të cilin nuk bëjmë asnjë kompromis. Por ne do të punojmë së bashku me partnerët tanë siç kemi punuar dhe do të lëmë të gjitha mundësitë e hapura që të sjellim edhe kundërshtarët tanë politikë në tryezën e një konsensusi jo për hir të Partisë Demokratike, por për hir të shqiptarëve, për hir të Shqipërisë, për hir të brezave që do të vijnë”.
“Tek Partia Demokratike erdhën dhe u larguan ambasadorët duke gjetur një Parti Demokratike aspak nervoze për Reformën në Drejtësi, aspak nervoze për të kaluarën e saj, për të sotmen e saj dhe për të nesërmen e saj. Sigurisht që ka një problem nervoziteti, i cili dje mori formën e tij të plotë me kërcënimin që Edi Rama i bëri Gjykatës Kushtetuese. Kush pretendon se kjo nuk ekziston është naiv. Ne duhet të merremi politikisht me këtë problem. Ta tejkalojmë këtë problem e t’i themi Edi Ramës se tejkalimi i frikës dhe i paranojës së tij do të ndodhë me hir ose me pahir, se Shqipëria do të ketë një drejtësi të reformuar me gjyqtarë dhe prokurorë të aftë të hetojnë nga Kryeministri i vendit tek zyrtari më i fundit, të aftë t’i çojnë përpara drejtësisë, të aftë t’i dënojnë pa favore, pa paragjykime ndaj askujt, por vetëm në bazë të ligjit. Ky është standardi europian, ky është standardi i Partisë Demokratike, ky është standardi im. I vetmi shqetësim i Partisë Demokratike është që qytetarët të kenë një drejtësi të pakapur nga politika, që politika të mos i diktojë gjyqtarët dhe prokurorët. Në këtë kuadër kërkuam shpjegim edhe për të famshmin neni 25 dhe se cila dorë e ka futur në draftin përkatës. Sigurisht që bëmë të qartë pozicionin tonë edhe një herë që një nen i tillë nuk është kërkuar dhe kurrë nuk do të pranohet nga Partia Demokratike”, u shpreh kreu i PD.

Arben Shahini

Artikulli paraprakKisha Katolike: Popullin s’mund ta përfaqësojnë njerëz të inkriminuar e të korruptuar
Artikulli tjetërEskobar Tahiri dhe lidhjet me krerët e policisë të Balilajt