Eskobar Tahiri dhe lidhjet me krerët e policisë të Balilajt

Partia Demokratike zbardhi dje lidhjet e forta të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri me të ashtuquajturin “Eskobarin” e Ballkanit, Klement Balili. Ashtu siç kishte paralajmëruar, përmes një deklarate për mediat Partia Demokratike denoncoi me emra konkretë lidhjet e forta të kryetrafikantit të drogës me drejtues të lartë të policisë, të gjithë të emëruar nga Tahiri. Përmes një deklarate për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani deklaroi se Klement Balili njihet për lidhjet e tij të forta politike dhe ka qenë sponsorizues i fushatës elektorale të PS në vitin 2013.
“Si lidhje të tij të drejtpërdrejta rezultojnë kushërinjtë e ministrit të Brendshëm, vëllezërit Habilaj, me të cilët ka bashkëpunuar për trafikim të lëndëve narkotike në vitet 2014-2016. Nëpërmjet vëllezërve Habilaj, Klement Balili ka vendosur kontakt të drejtpërdrejt me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.  Nga informacionet e brendshme të oficerëve me integritet në Policinë e Shtetit, partnerëve ndërkombëtarë, dhe strukturave të hetimit të specializuara në Shqipëri, që kanë hetuar shtetasin Klement Balilaj, rezultojnë  lidhje të tij të forta nëpërmjet ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
Duke i përmendur konkretisht me emra, Ristani citoi ish-drejtorin e Forcave së Posaçme Operacionale Albert Pata, drejtorin e Policisë së Durrësit Perlat Çullhaj, drejtorin e Policisë Vlorë Jaert Çelaj, drejtorin e Policisë Gjirokastër Aranit Arapi si dhe ish-drejtorin e Kufirit në Vlorë Kastriot Skënderi, i cili në vitin 2015 në zonën e Kakomesë u kap me një kamion me 1 ton lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.
Ristani paralajmëroi se sot PD do të publikojë të tjerë fakte tronditës të lidhjeve të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe funksionarëve të lartë të Policisë së Shtetit me trafikun ndërkombëtarë të drogës.

“Escobari i Ballkanit”

Drejtori i Transportit në Sarandë, Klement Balili është organizatori i trafikut të 700 kg marijuanë të kapur një ditë më parë në Greqi. Ai është konsideruar nga mediat greke si banori i drogës apo “Escobari i Ballkanit”. Sipas mediave fqinje, 44-vjeçari ishte financuesi kryesor i rrjetit të trafikut të drogës dhe financues i një partie opozitare në Greqi, me lidhje të forta në qeverinë shqiptare dhe në qendër të akuzave të opozitës shqiptare për trafik droge. PD e ka akuzuar më parë Klement Balilin si të lidhur me trafikun e drogës. Që ai është i kërkuar në Greqi e konfirmoi deputeti Genc Pollo. Ai tha për “Report Tv” se i kërkuari i drogës në Greqi është Klement Balili, drejtori i Transportit për qytetin bregdetar të Sarandës. Droga u kap në ishullin e Zakynthos në Greqi. 15 persona u arrestuan, nga të cilët 5 janë shqiptarë dhe 10 grekë. Mediat greke thonë se, ky grup drejtohej nga një shqiptar. Dhe sipas opozitës shqiptare ai është Klement Balili. Opozita e kishte denoncuar atë që në vitin 2014 si të lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Mediat greke flasin për një nga operacionet më të mëdha ndërkombëtare të trafikut të drogës, të përfshirë shtetas grekë dhe shqiptarë. Po si bëhet trafiku i drogës nga Shqipëria në Greqi dhe gjetkë? Karteli kishte krijuar një kompani transporti ndërkombëtar të mallrave. Karteli greko-shqiptar e paketonte drogën në Shqipëri ku është prodhuar dhe më pas dërgohej në rrugë detare në Greqi. Për të humbur gjurmët, “kapoja” shqiptar kishte rekrutuar një shtetas grek në Bullgari si “vitrinë” të kompanisë së transportit ndërkombëtar. Ai ishte i përfshirë në trafikun e rreth 450 kg kanabis përmes Portit të Patras në vitin 2015. Një tjetër anëtar i organizatës, furnizonte kompaninë e udhëtimeve me arka të posaçme, të cilat ishin të vështira për t’u kontrolluar në pikat doganore madje edhe nga Rrezet-X. Ai gjithashtu ishte përgjegjës për gjetjen e ngarkesave si dhe për të “mbuluar” transportin.
Rol të rëndësishëm në organizimin ndërkombëtar të drogës kishin tre persona në Bruksel, të cilët ishin përgjegjës për marrjen, magazinimin dhe më pas shpërndarjen e lëndës narkotike për persona të tjerë. Një prej tyre ishte një shtetas grek i arrestuar aktualisht në Greqi. Ai kishte ardhur për pashkët, por me sa duket synimi ishte diçka tjetër. Rol kyç në shpërndarjen e drogës në Bruksel ka pasur edhe një shtetas shqiptar. Pjesa tjetër, ishin anëtarët rajonalë, si shoferët e kamionëve dhe punëtorët e “depove”. Rrjeti kishte shtrirje edhe në vende të tjera. Tre shoferë kamionësh u arrestuan në Maqedoni dhe Serbi, ndërsa më 19 prill 2015, u arrestua në Angli një shofer me 23 kg kokainë. Në prill, një tjetër shofer u arrestua në Kulata të Bullgarisë.
Gazeta greke shkruar se aktiviteti i kompanisë zhvillohej prej 10 vjetësh, ndërsa trafiku i drogës ka shifrat e fitimeve prej qindra milionë eurove. Anëtarët më të ulët të bandës merrnin minimumi 3 mijë deri në 10 mijë euro në muaj.

PD: Prokuroria të veprojë pa humbur kohë

Reagimin e Saimir Tahirit në lidhje me çështjen e Klement Balilajt PD e cilësoi si  dëshmi e lidhjeve të forta të tij me kryetrafikantin e drogës në Europë. Në një reagim për mediat, PD i bëri thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet. “Mbrojtja që Saimir Tahiri dhe drejtues të Policisë së Shtetit i bëjnë Klement Balilaj, i dyshuari si një nga krerët e organizatës kriminale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, u faktua ndërsa Balilaj bën show mediatik nga zyrat publike të Drejtorisë së Transportit në Sarandë, ndërkohë që është shpallur në kërkim nga policia greke. Të njëjtën gjë pohon edhe seksioni grek i CNN  në lajmin me titull: “Mbrojtje politike për baronin e kartelit të Ballkanit”, ku i referohet një takim dypalësh mes policisë greke dhe asaj shqiptare. Përfaqësuesit e policisë shqiptare, siç raporton CNN janë dorëzuar, duke thënë se “në Shqipëri nuk mund ta prekim, sepse ky person ka lidhje me parti politike dhe kontakte me politikanë të nivelit të lartë”. Lidhjet e Sajmir Tahirit me trafikantët dhe mbrojtja që u jep përmes emërimit të të besuarve të tyre në poste të larta të Policisë së Shtetit është prova më e fundit për inkriminimin e qeverisë Rama. Sot, nuk dihet ku fillon qeveria e mbaron krimi, ku fillon krimi e mbaron qeveria. Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të veprojë pa humbur kohë për të çuar para drejtësisë drejtuesit e kësaj organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, por edhe mbështetësit e tyre në poste kyçe në Policinë e Shtetit dhe në qeveri”, thuhet në reagimin e PD.

Agjencia Amerikane e Antidrogës DEA: Baroni e ka selinë në Tiranë

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me operacion ndërkombëtar antidrogë që ka nisur në Greqi dhe është zgjeruar në shumë vende të Europës. Media greke pasditen e sotme ka zbardhur të dhëna të reja në lidhje me rolin e shqiptarëve dhe faktin se droga që trafikohej nëpër vendet e Europës vinte nga Shqipëria. Sipas grekëve, selia e këtij rrjeti trafiku është në Tiranë, ndërsa nuk jep të dhëna për emra, por bëhet e ditur se Agjencia Amerikane e Antidrogës DEA, ka hetuar njëkohësisht në kryeqytetin e Shqipërisë dhe Athinës. Gjithashtu është zbardhur edhe skema se si trafikohej lënda narkotike nëpër kamionë mallrash me fund të dyfishtë që modifikoheshin në një ofiçinë në Greqi dhe më pas me anije dërgoheshin në vende të ndryshme të Europës. Hetimet kishin nisur me kapjen e një shoferi bullgar në janar të vitit 2014, ku në kamionin e tij ishin gjetur më shumë se 650 kilogramë kanabis sativa, që ishte marrë nga Shqipëria dhe si destinacion kishte Europën. Më pas është pasur me arrestimet e tre shoferëve grekë, njëri në Maqedoni në 4 dhjetor 2014, me 678 kilogramë kanabis, një tjetër në Angli me 23 kilogramë kokainë në datën 19 prill 2015 dhe i treti i arrestuar në Bullgari në 30 prill 2015. Pas këtyre arrestimeve, në lojë kishin hyrë agjentët e DEA. Pas kësaj, erdhën edhe rezultatet e tjera. Një sasi prej 60 kg kokainë u sekuestrua teksa synohej të trafikohej nga Belgjika në Itali. Në dy raste të tjera ka pasur dështim të trafikut, njëri në fund të shkurtit dhe tjetri në mars të vitit të kaluar. Rasti i dytë ishte transporti i një kamioni me portokallë nga Shqipëria në drejtim të Bullgarisë me synim Evropën Perëndimore. Në fakt, hetuesit nuk zbuluan drogën, por kamioni u kthye mbrapsht për shkak të cilësisë së portokallit. Gazeta greke shkruar se aktiviteti i kompanisë zhvillohej prej 10 vjetësh, ndërsa trafiku i drogës ka shifrat e fitimeve pre qindra milionë eurove. Anëtarët më të ulët të bandës merrnin minimumi 3 mijë deri në 10 mijë euro në muaj. Sipas grekëve, truri i kësaj organizate të madhe të trafikut të lëndëve narkotike është një 50-vjeçar nga Shqipëria që qëndron në Tiranë dhe një 59-vjeçar grek, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur. Greku mësohet se është vënë në pranga, ndërsa shqiptari ende.

Në 2014, PD denoncoi emërimin e trafikantit Balili drejtor Transporti

Partia Demokratike denoncoi para dy vitesh emërimin e Klement Balilit në postin e drejtorit Rajonal të Transportit të Sarandës. Në denoncimin e 18 majit të vitit 2014 Sekretari i Përgjithshëm i PD, akuzoi gjatë një konference për shtyp kryeministrin Rama se emëroi drejtor të Transportit në Sarandë Klement Balili, i lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës.
I dyshuar se drejtonte në grup kriminal në Sarandë, një aksion policor bëri të mundur arrestimin e tij korrikun e 2006-ës me 750 kilogramë kanabis.

Artikulli paraprakJo, kapjes politike të drejtësisë, pro Reformës që nuk mbron krimin
Artikulli tjetërBerisha: Ekonomia shqiptare drejt falimentimit