Kisha Katolike: Popullin s’mund ta përfaqësojnë njerëz të inkriminuar e të korruptuar

Kisha Katolike bën thirrje që Reforma në Drejtësi të garantojë integritetin e personave që përfaqësojnë qytetarët shqiptarë, duke eliminuar çdo mundësi për përfshirjen e figurave me precedentë penalë apo të përfshirë në afera korruptive. Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, e mbledhur në asamblenë e saj të zakonshme, në datat 10-11 maj 2016, ndër të tjera ka diskutuar edhe për Reformën në Drejtësi. “Ndër shumë aspekte të kësaj reforme do të donim të veçonim dy prej tyre që ne i shohim si të rëndësishme dhe jetësore për vendin dhe demokracinë. Së pari, kjo reformë duhet të garantojë që, ato apo ata, të cilët do të përfaqësojnë popullin si të zgjedhur apo që do të shërbejnë si të emëruar, të jenë figura të pastra nga precedentë kriminalë apo afera korruptive. Nevoja e njerëzve të përkushtuar dhe që shërbejnë pa interesa të dyta apo për të mbuluar të kaluarën e tyre, është një hap i rëndësishëm në ndërtimin e shoqërisë dhe sidomos në fuqizimin e organeve përfaqësuese në të tria pushtetet që njeh demokracia: legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori. Është jetike për vendin dhe për kuptimin e drejtësisë që kush punon në këto organe të ketë një sens përgjegjësie dhe drejtësie të spikatur e plot me pasion, përveçse të jetë një figurë e papërlyer nga barra e korrupsionit dhe kriminalitetit”, thuhet në komunikatën e shpërndarë për mediat. Së dyti, Kisha Katolike vë theksin tek ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me ligjin e mosdiskriminimit. “Kisha Katolike mbështet nismat për mosdiskriminimin dhe reflektimi i saj nxitet nga kujdesi për çdo lloj situate njerëzore që kërkon delikatesë dhe tutelë. Në këtë prizëm, edhe në Kishën Katolike, ka një reflektim që shkon në drejtim të përkujdesjes dhe mosdiskriminimit në të gjitha dimensionet e jetës njerëzore. Nga ana tjetër ne kërkojmë nga ligjvënësit që këto ndryshime, në një të nesërme, të mos prekin kodin dhe sensin e familjes, që për ne të krishterët është ajo e themeluar mbi martesën ndërmjet një burri dhe një gruaje. Ashtu e ka theksuar edhe Papa Françesku në dokumentin e tij të fundit Amoris Laetitia duke thënë shprehimisht: ‘…vetëm bashkimi ekskluziv ndërmjet një burri dhe një gruaje kryen një funksion shoqëror të plotë, duke qenë se është një angazhim i qëndrueshëm që bën të mundur vazhdimësinë e jetës. Duhet të pranojmë larminë e madhe të situatave familjare që mund të ofrojnë njëfarë rregulli jete, por çiftet bashkëjetuese apo bashkëjetesat e personave me të njëjtën gjini … nuk mund të barazohen aq lehtësisht me martesën. Asnjë bashkim i paplotë apo i mbyllur ndaj vazhdimësisë së jetës nuk mund të na sigurojë të ardhmen e shoqërisë’”, thuhet në njoftimin për shtyp. Drejtësia është një nevojë e brendshme e njeriut, si indvid dhe si shoqëri citon Kisha Katolike. “Një shoqëri e drejtë është një e drejtë për të gjithë. Kisha Katolike dhe të krishterët katolikë jetojnë në shoqërinë shqiptare dhe janë pjesë e gjallë e saj, prandaj ne si barinj kemi për zemër çdo çështje që ka të bëjë me mirëqenien e grigjës që na është besuar, por edhe të vendit në përgjithësi. Për këtë arsye, ne si barinj të Kishës Katolike, inkurajojmë institucionet përkatëse, përfaqësuesit e popullit në Parlament, partitë politike dhe të gjithë punonjësit e drejtësisë, që të angazhohen fuqishëm në këtë reformë dhe ajo të zbatohet sa më mirë dhe sa më shpejt. Drejtësia e vonuar është gjithmonë drejtësi e mohuar – thotë një rregull i lashtë i së drejtës. Pa vonesa, por me kompetencë dhe vendosmëri, Reforma në Drejtësi duhet të realizohet dhe të jetë sa më e efektshme”, thuhet më tej në reagimin e Kishës Katolike.

Artikulli paraprakProkuroria do t’i kërkojë palës gjermane verifikimin e dosjes së Roshit
Artikulli tjetërJo, kapjes politike të drejtësisë, pro Reformës që nuk mbron krimin