Jo dialogut farsë dhe me fjalime të parapërgatitura

“Nuk duan një dialog ashtu siç e ka përcaktuar populli më 18 shkurt, ashtu siç ushton jehona e 18 shkurtit, ditë për ditë në këtë shesh, por duan një dialog fasadë, një dialog me fjalime të parapërgatitura”, tha Basha. Kryetari i opozitës ka qenë i prerë në qëndrimin e tij refuzues ndaj një dialogu farsë dhe me fjalime të parapërgatitura sikurse ka ndodhur edhe në takimin e fundit mes Bashës dhe Ramës. “Ju e mbani mend se për çfarë e kam fjalën, e kam fjalën për të ashtuquajturin dialog të 6 qershorit të vitit të kalur, ku opozita shqiptare shkoi e gatshme, me vullnet dhe e përgatitur për të dhënë zgjidhjen e saj për një drejtësi të vërtetë e të pakapur, e cila nuk mbronte, por ndëshkonte korrupsionin dhe krimin. Ndërsa, pala qeveritare erdhi me të vetmin synim, të ruante projektin e kontrollit politik mbi drejtësinë dhe po me këtë qëllim erdhi me fjalim të parapërgatitur, pra, qartësisht me objektivin për të refuzuar zgjidhje. Ky nuk është dialog, këto janë monologje, monologje shterpë nga ato që ju keni dëgjuar me shumicë në këto tri vite e gjysmë, në tribunën e Parlamentit, në fshatra dhe qytetet tona, të dielë për të dielë nga Facebook-u. Nëse për çdo monolog, qytetarët shqiptarë do të kishin përfituar një mijë lekë, sot do të ishin milionerë”, tha Basha.
Kryetari i PD u shpreh i hapur vetëm për një dialog të vërtetë me në qëllim të vetëm, daljen nga kriza politike përmes krijimit të qeverisë teknike me një mandat të qartë për luftën ndaj krimit, drogës dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira. Basha i dha përgjigje kështu ftesës jo të sinqertë të Ramës, të cilën e përsëriti edhe në Parlament.
“Monologje shterpë nuk pranoj dhe nuk do të pranoj! Jemi të hapur siç e kemi thënë prej ditës së parë për një dialog të vërtetë politik me dy objektiva: ndërtimin e qeverisë teknike, me mbështetje të gjerë politike me përcaktimin e mandatit të kësaj qeverie për; dekriminalizimin e plotë të institucioneve të shtetit shqiptar, luftën e vërtetë kundër drogës dhe parave të drogës dhe; krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Për dialog në funksion të zgjidhjes që i shërben çdo shqiptari, ftoj dhe mirëpres çdo faktor politik të përgjegjshëm dhe ky është momenti t’i bashkëngjis mirënjohjes sime, që besoj që është edhe çdo qytetari shqiptar, pavarësisht bindjeve politike, për përgjegjshmërinë e treguar nga njëri prej partnerëve të koalicionit para tre ditësh, edhe përfaqësuesit politik të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, për qëndrimin e shfaqur”, tha Basha.
Kryetari i opozitës iu përgjigj ftesës për dialog farsë me përballje qytetare. “E  hapur mbetet ftesa për dialog, për qeverinë teknike dhe mandatin e kësaj qeverie teknike. Por nëse lojërat me cicmicet janë përgjigjia e vetme e republikës së vjetër, dhe atyre që kanë filluar të numërojnë mbrapsht orët e privilegjeve të pushtetit, atëherë nga ky shesh ju themi se përballja do të jetë përgjigja jonë deri në fitore”, tha Basha.

Rama lobing në Uashington me paratë e ARMO-s

Rama po bën gjithçka për të mbajtur në këmbë pushtetin e tij okult dhe në funksion të këtij pushteti ai po hedh miliardat e krimit dhe të korrupsionit. Basha u shpreh se, beteja është me këtë lum parash të pista që kërkojnë të kthejnë në pazar edhe dialogun politik me qëllimin e vetëm të mbajtjes në këmbë të këtij pushteti të republikës së vjetër.
“Lobistët e paguar me paratë e drogës, të narkomafies shqiptare dhe lobisti i paguar në Uashington me paratë që vidhen nga ARMO dhe nga nafta shqiptare, nuk duan tia dinë nëse ju keni bukë për të ngrenë, bukë për të ushqyer fëmijët tuaj, para për t’u blerë atyre këpucë, libra apo lapsa për shkollën. Sepse për ata, Shqipëria nuk është një vend me qytetarë që vuajnë, nuk është një vend me peshën e madhe të padrejtësisë qeveritare, por është një bankë që nxjerr dhe pastron paratë e drogës, paratë e krimit, paratë e vjedhjes së pasurive të shqiptarëve, siç është nafta, siç është ARMO-ja pasuri kombëtare që sot financon lobingje të ndyra në Uashington, kundër lirive dhe të drejtave të shqiptarëve”, u shpreh Basha.
Kryetari i opozitës deklaroi se, megjithëse përpjekjet e parave të pista që po tentohen për të blerë dhe mbajtur në këmbë pushtetin, Uashingtoni është në aleancë me shqiptarët ashtu sikurse ka qëndruar përgjatë gjithë historisë.
“Por Uashingtoni dhe Europa kanë qendruar jo sot, por tash 100 vjet e gjithmonë, jo në krah të hajdutëve, kriminelëve të korruptuar, por, në krah të shqiptarëve, në krah të Shqipërisë, në krah të kombit shqiptar, siç qendrojnë edhe sot në krah të kësaj lëvizje popullore, në krah të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në krah të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë së vërtetë”, tha Basha.
Kryetari i PD ka paralajmëruar se këta përfaqësues të botës së errët të pushtetit të krimit dhe korrupsionit se po vjen dita që do t’i kthjenë të gjitha paratë që u kanë zhvatuar shqiptarëve dhe që po i përdorin për këto lobingje. “Ora po vjen që, do t’i kthejnë paratë e naftës shqiptare, që do të përgjigjen një më një për paratë e narkomafies shqiptare, me të cilat kanë lobuar kundër demokracisë, kundër lirisë së zgjedhjeve, kundër të drejtave themelore të njeriut. Do të kthejnë paratë dhe do të mbajnë përgjegjësi përpara drejtësisë shqiptare, para drejtësisë amerikane dhe para drejtësisë së vendeve të Bashkimit Europian”, tha Basha.
Për Kryetarin e PD beteja do të jetë e vështirë për shkak se pushteti nuk është i gatshëm që të pranojë rrotacionin politik përmes votës së lirë për shkak të miliardave që janë vjedhur dhe projekteve të reja për të zhvatur vendin.
“Ata kanë shumë për të humbur, miliardat e buxhetit të shtetit që kurrë nuk i dhanë për shqiptarët, por i përvetësuan në xhepat e tyre dhe në llogaritë e tyre bankare, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ata kanë shumë për të humbur, miliardat e drogës që i përfitojnë, duke skllavëruar qindra e mijëra fermerë të pashpresë për bukën e tyre të gojës, dhe fëmijët e familjet e tyre.
Miliardat e nxjerra nga droga e narkomafies shqiptare paguajnë sot lobistë të korruptuar europianë dhe amerikanë për të mbajtur në këmbë republikën e vjetër në kurriz të shqiptarëve të ndershëm. Me miliardat dhe milionat e naftës shqiptare paguhen të tjerë lobistë amerikanë dhe ndoshta dhe të tjerë për të mbajtur në këmbë republikën e krimit, republikën e korrupsionit me petrodollarët e korrupsionit, duke shfrytëzuar pasuritë që duhet të shkonin për pensionistët shqiptarë, për ndihmën sociale, për investimet në gjithë pellgun naftëmbajtës dhe anembanë Shqipërisë. Ky është komploti më i madh në histori dhe ky është komploti më i poshtër dhe më tinzar në histori, sepse ka përpara maskën, fasadën e një pseudodemokracie”, tha Basha.

Republika e krimit dhe korrupsionit po shembet

Kryetari i opozitës deklaroi mbrëmë në ditën e 47 të protestës se republika e vjetër e krimit, drogës dhe korrupsionit po shembet nën peshën e zullumeve dhe mëkateve.
“Po shembet, sepse pesha e zullumeve dhe e mëkateve kundrejt shqiptarëve të ndershëm është e madhe, por po shembet, sepse po e shembni ju, qytetarët e lirë, qytetarët dinjitozë të lëvizjes më dinjitoze, europiane, euroatlantike që ka njohur Shqipëria në këto 100 vite. Republika e vjetër, është mbi të gjitha, komploti më i madh kundër shqiptarëve. Është një komplot politik, është një komplot ekonomik, është një komplot kundër lirive dhe të drejtave të çdo shqiptari të ndershëm. Në këtë komplot përfitojnë një grusht njerëzish dhe pushtetarësh, të cilët kanë bërë zap partitë e tyre përmes aleancës me krimin, kanë shndërruar territorin e Shqipërisë tonë të dashur në një hambar droge dhe një infrastrukturë për prodhimin, kultivimin dhe trafikimin e drogës drejt gjithë vendeve europiane”, tha Basha.
Kryetari i PD ka sqaruar skemën e në komploti kundër qytetarëve në të cilin marrin pjesë oligarkë të botës së krimit dhe të korrupsionit. “Në këtë komplot, marrin pjesë një grusht kriminelësh në shërbim të këtij grushti politikanësh të korruptuar dhe një grushti oligarkësh që kanë shtënë në dorë të gjithë paratë e shtetit dhe buxhetit përmes tenderave korruptivë, të gjitha pasuritë e vendit përmes koncesioneve korruptive. Një grusht politikanësh të korruptuar, një grusht kriminelësh që i mbajnë në këmbë, një grusht oligarkësh që vjelin ditë për ditë pasuritë e shqiptarëve, ky është komploti ekonomik kundër çdo shqiptari, kundër mirëqenies së çdo familjeje. Ky komplot po bën gjithçka që ka në dorë për të mbajtur në jetë republikën e vjetër, republikën e vjedhjes, republikën e krimit, republikën e pashpirtësisë, që është e shurdhët ndaj zërit qytetar, e shurdhët ndaj vuajtjeve të shqiptarëve të thjeshtë”, tha Basha.

Shqiptarët jo delet e një komploti politik e ekonomik

Basha refuzoi çdo dialog që imponohet nga një komplot ekonomik dhe politik me paratë e pista të krimit, duke u shprehur se shqiptarët nuk do të pranojnë të trajtohen si dele. “Shqiptarët nuk do të pranojnë më kurrë të jenë delet e një komploti politik dhe ekonomik, drejtuar kundër të drejtave të tyre, kundër ekonomisë së tyre, kundër mirëqenies së tyre, dhe për këtë arsye, jemi sot këtu, sepse në mënyrë që kjo të marrë fund, Shqipëria duhet të ketë jo vetëm këtë herë, por që nga kjo herë, çdo herë, vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ne e dimë se, nëse pranojmë kompromise dhe pazare në kurriz të këtij interesi të madh kombëtar, asgjë nuk do të ndryshojë në këtë vend. Asgjë nuk do të ndryshojë në institucionet e kalbura e të korruptuara të republikës së vjetër. Asgjë nuk do të ndryshojë në mirëqenien e shqiptarëve, në fuqinë e tyre blerëse, në nivelin e rrogave dhe pensioneve, në cilësinë e shëndetësisë dhe arsimit. E njëjta lojë, i njëjti teatër kukullash, e njëjta fasadë do të vazhdojë të shfaqet në sytë e shqiptarëve.
I njëjti monolog do t’u këndohet ditë për ditë e natë për natë. Asgjë nuk do të ndryshojë, po nuk shporrëm një herë e mirë krimin  dhe po nuk i dhamë fund, fund, fund, problemit dhe kërcënimit të jashtëzakonshëm që droga paraqet.
Kërcënim për shëndetin e shqiptarëve, për të ardhmen e fëmijëve të tyre, për ekonominë tonë dhe për sistemin tonë demokratik. Por, ne jemi këtu jo vetëm, sepse jemi të vendosur që mos ta lëmë më këtë gjendje, jo vetëm, sepse besojmë se asgjë nuk do të ndryshojë, nëse kjo betejë nuk fitohet e plotë me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe me qeveri teknike, ne jemi këtu, sepse ne të gjithë besojmë dhe së bashku punojmë, që asgjë të mos jetë më si më parë”, tha Basha.

Artikulli paraprakTurqia konfirmon se Assadi ka përdorur armët kimike
Artikulli tjetërBlushi e merr seriozisht rolin e opozitës së emëruar nga Rama