Jashtë Xhaka e Kaçe

Dy risi absolute me dy emra gati-gati të panjohur për publikun shqiptar. Christian Panucci e nis me një minirevolucion punën në Kombëtaren Shqiptare, pasi ka planifikuar të grumbullojë 23 emra për dy ndeshjet eliminatore të radhës, ku nuk bëjnë pjesë të shumëpërfolurit Taulant Xhaka dhe Ergys Kaçe. Pasardhësi i De Biasit preferon të përforcojë radhët e mbrojtjes dhe në këtë mënyrë, ai thërret për herë të parë në Kombëtare mbrojtësin e majtë të Hajdukut të Splitit, 25-vjeçarin Hysen Memolla. I lindur në Kavajë dhe me një karrierë të pasur jashtë vendit, Memolla ka nisur të luajë si profesionist në Itali dhe që prej vitit 2016 është pjesë e skuadrës së dytë më të titulluar të Kroacisë ku numëron 16 ndeshje zyrtare.
Po 25 vjeç është edhe emri tjetër. Bëhet fjalë për mbrojtësin Iván Balliu. I lindur në Spanjë dhe ish-pjesë e kombëtareve iberike të 16 dhe 17-vjeçarëve, Balliu ka vendosur të përfaqësojë Shqipërinë dhe do të jetë në dispozicion të Panuccit kundër Lichtenshtejnit dhe Maqedonisë. Ai aktivizohet që prej dy vitesh në radhët e Metz, ku numëron 52 ndeshje dhe një gol të shënuar. Pjesa tjetër e skuadrës nuk ndryshon, duke filluar që nga porta dhe për të vazhduar më pas me emrat e njohur në mbrojtje, ku Mavraj do të jetë gati dhe për të vazhduar me mesfushën dhe sulmin. Dy ndeshjet e radhës në muajin shtator kundër Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë do të jenë testi i parë për debutuesit, por njëkohësisht edhe dy sfida vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë dhe fatet e vendit të tretë në grupin eliminator që kuqezinjtë dëshirojnë ta ruajnë.
Ish-mbrojtësi i Romës, që tashmë do të drejtojë Kombëtaren shqiptare të futbollit, pritet që të lërë jashtë skuadrës përfaqësuese dy mesfushorët: Taulant Xhaka dhe Ergys Kaçe. Për arsye të ndryshme, pritet që të mungojë edhe sulmuesi i Akhmat Groznit, Bekim Balaj.
Udhëtimi i Panuçit në Zvicër për të takuar nga afër mesfushorin e Bazelit duket që ka vendosur fatin e Taulant Xhakës. Arsyeja disiplinore ka bërë që trajneri i ri të mos e përfshijë futbollistin në listën që do të publikohet më 28 gusht.
Duke përsëritur vendimin e De Biazit, edhe pse me arsyet e tij, trajneri i ri po vijon vendimet e De Biazit në përfaqësuesen kuqezi. Jo për arsye disiplinore, por për mungesë të minutazhit me PAOK-un, pritet që edhe Ergys Kaçe të mos jetë në listë.
Dy ndeshjet e radhës kualifikuese kundër Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë pritet që t’i humbasë edhe Bekim Balaj, por për arsye që nuk kanë të bëjnë as me të dhe as me formën e tij. Bomberi shkodran ka kaluar një dëmtim të rëndë në gju, për të cilin i është dashur trajtim në Spanjë. Gjë që ka bërë të mungojë edhe së fundmi me skuadrën ruse.

Artikulli paraprakMesi nuk largohet
Artikulli tjetërEksodi i mjekëve shqiptarë po boshatis dhe mbyll spitalet