Eksodi i mjekëve shqiptarë po boshatis dhe mbyll spitalet

522 mjekë kanë lënë Shqipërinë tre vitet e fundit, duke shkaktuar vakum në sistemin shëndetësor në vend. Çdo tre ditë, një mjek largohet nga Shqipëria! Shteti që parapëlqejnë të jetojnë e ushtrojnë profesionin është Gjermania për shkak të aksesit më të lehtë në shërbimet shëndetësore. Specialistë apelin e tyre e kanë për politikëbërësit që sipas tyre duhet të hartojnë strategji për të zbutur hemoragjinë e mjekëve.
Vetëm tetë muajt e parë të vitit numri i tyre i ka kaluar 100.
Sipas Urdhrit të Mjekut kjo po shkakton vakum në sistemin tonë shëndetësor ku mungojnë specialistët dhe shërbime të caktuara po shkojnë drejt mbylljes.
Mungesë specialistësh e mbyllje shërbimesh në spitalet rajonale. Mjekët e diplomuar nuk arrijnë të mbushin boshllëkun që lenë të larguarit. Numri i bluzave të bardha që ikin nga Shqipëria po rritet me ritme të shpejta.
Vetëm tetë muajt e këtij viti 125 mjekë kanë kërkuar pranë urdhërit profesional dokumumentin që iu kërkohet jashtë vendit.
“Deri tani janë bërë 125 raste që kanë kërkuar çertifikatën e sjelljes së mirë, dokument që kërkohet në vendet ku ata kërkojnë të shkojnë të punësohet.
Vjet për shembull u diplomuan rreth 260 mjekë, ndërsa numri i të larguarve ishte 145, prej të cilëve 31 ishin me specialitete që është një dëm akoma më i madh për shërbimin tonë shëndetësor.
Vështirësitë po ndjehen kudo. Shkakton një mbingarkesë të numrit të mjekëve që mbeten. Në ndonjë rast siç ka ndodhur me maternitetin e Burrelit, ka çuar dhe në mbylljen e maternitetit për shkak të mungesës së obsetër gjinekologut”, shprehet Fatmir Brahimaj, Kreu i Urdhrit të Mjekëve Shqiptarë për “Abc News”.
Rrugët e emigrimit i kanë marrë mjekë të rinjë e me përvojë. Presidenti i Urdhërit të Mjekut tregon se mjekë të përgjithshëm dhe specialistë të fushave të ndryshme kanë të njëjta arsye që largohen nga vendi.
“Për një vlerësim më të mirë moral dhe profesional, për një mundësi rritje në karrierë dhe profesionale, për të gjetur një teknologji më bashkëkohore për të punuar në një sistem mjekësor më të kohës, ka dhe arsye të tjera, po të keni parasysh kërkesat që kemi bërë ne për ndryshime ligjore që kanë të bëjnë me mjekimin e pakujdesshëm, me dhunën ndaj mjekëve e kështu me rradhë’, shprehet Presidenti i UMSH.
Numri i mjekëve të larguar është dy herë më i lartë se numri mjekëve që dalin në pension. Janë vetë buzat e bardha që japin alarmin se, largimi i mjekëve për t’u punësuar jashtë Shqipërisë, nuk është më një ngjarje sporadike, por po kthehet në hemoragji për këtë sektor.
Ky fenomen është shumë shqetësues. Pas disa vitesh, shëndetësia shqiptare do të ndjejë mungesën e bluzave të bardha, për këtë arsye institucionet përkatëse duhet të hartojnë një strategji për të ndaluar këtë fenomen. Por deri tani, qeveria nuk është duke ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim, duke lejuar largimin masiv të mjekëve ashtu si edhe të mijëra shqiptarëve të tjerë të largohen lirisht.

Artikulli paraprakJashtë Xhaka e Kaçe
Artikulli tjetërMohimi i krimeve të diktaturës të jetë vepër penale