Ja pse nuk dorëzohemi

Besa PETRITI

Përshëndetje qytetarët e rinj dhe të bukur të Republikës së re. Përshëndetje të rinj dhe të reja që së bashku jemi gdhirë 46 ditë edhe netë pa u dorëzuar, pa hequr asnjëherë dorë nga ëndrra jonë e vetme për të krijuar një të ardhme, ashtu si prindërit dhe mësuesit tanë na kanë mësuar, ta ndërtojmë në bazë të vlerave, në bazë të dinjitetit, punës dhe krenarisë tonë.
Të shmangemi nga modeli i atyre që na qeverisin. Ata nuk i përkasin botës tonë, ata i përkasin botës së krimit, të cilën ne duhet patjetër ta rrëzojmë. Unë e di që nuk është e thjeshtë të protestosh dhe të ngresh zërin në një vend si i yni për 46 ditë. Dhe më e thjeshtë është të ikësh dhe të largohesh. Ne të gjithë kemi vendosur të rrimë këtu.
Ne kemi vendosur të ndërtojmë vendin tonë në bazë të vlerave, moralit dhe gjithçkaje që prindërit dhe mësuesit tanë na kanë mësuar. Lulzim Basha është lideri i partisë tonë, i cili na ka në krah në çdo moment dhe unë sot jam e bindur se të gjithë të rinjtë dhe të rejat duan të jenë në krah të tij. Çadra ndodhet në një pozicion midis dy godinave. Këtu është Kuvendi dhe këtej është Kryeministria. Dy godina, të cilat na kanë nxirrë faqen. Atje çdo ditë bëhet parada e milionave dhe miliardave.
Dhe këtu keni dëgjuar çdo ditë bashkë me mua të flitet për bukën e gojës. Çdo ditë në të dy godinat buzëqeshja është thjesht fasadë dhe servilizëm. Ndërsa këtu, shpresa është frymëzim, ne çdo ditë frymëzohemi. Atje Europa e keni parë se si ka mbyllur dyert, ndërsa këtu është Europa. Ne duhet t’i themi sot Europës që jemi ne të rinjtë shqiptarë, nuk janë kriminelët, jemi ne që kemi studiuar dhe kemi ëndrra për të ardhmen tonë. Ndaj sot të gjithë së bashku me optimizëm në krah të Lulzim Bashës për të ecur përpara për ndërtimin e Republikës së re, sepse kjo është republika që na përket ne.

Artikulli paraprakFitore për Atletiko Madrid
Artikulli tjetërSpaleti i vetofrohet Interit