Spaleti i vetofrohet Interit

Humbja e papritur kundër Sampdorias vë në pozita shumë të vështira tashmë Stefano Piolin, sepse ndoshta nga e hëna në mbrëmje ëndrra “Champions” ka sfumuar përfundimisht për milanezët. Edhe pse nuk ka dyshime se trajneri italian ka ditur t’u japë një identitet të qartë zikaltërve, pas atij starti katastrofik me holandezin Frank De Bur, sërish Pioli nuk ka bërë atë hapin e madh në lojë dhe sidomos në rezultate, në mënyrë që klubi të justifikojë edhe shpenzimet e bëra sivjet, përveçse ato që paralajmëron për në merkaton e verës.
Për këtë arsye, tashmë emri i Antonio Kontes sa vjen dhe bëhet një hije më mbytëse për trajnerin aktual. Edhe pse kjo pistë është disi e vështirë, duke parë se nga ana tjetër, edhe anglezët e Çelsit i kanë ofruar rinovimin, Konte është një ëndërr e madhe për Interin, për të cilin grupi “Suning” do ta presë “gjeneralin”, ndonëse jo pafund.
Ndërkohë, një tjetër hipotezë ka lindur në orët e fundit. Bëhet fjalë për trajnerin e Romës, Luçiano Spaleti, i cili pas eliminimit të djeshëm nga gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, me shumë mundësi, do t’u japë lamtumirën verdhekuqve, duke qenë se ai vetë u shpreh se nuk do ta pranonte rinovimin, nëse e mbyllte vitin pa trofe.
Prandaj, në këtë pikë, mësohet se menaxheri i Spaletit ia ka ofruar klientin e tij klubit të Interit. Në Milano e kanë pëlqyer gjithmonë figurën e tij dhe ndoshta, nëse Konte nuk do të surprizojë dhe do të zbarkojë në “Pinetina”, mund të jetë Luçiano Spaleti, ai që mund të pasojë Piolin, pa harruar se edhe Juventusi e sheh atë si zëvendës të Alegrit.
Eliminimi nga Kupa e Italisë në gjysmëfinale nga Lazio duket se e ka vulosur lamtumirën e 58-vjeçarit nga verdhekuqtë. Spalleti iu shmang pyetjeve për largimin e tij të mundshëm pas derbit, por drejtuesit e Romës kanë nisur të vlerësojnë emrat për zëvendësimin e tij. Kandidatët për të marrë drejtimin e Romës në përfundim të sezonit aktual janë të shumtë, madje në listë janë përfshirë edhe Montella e Gasperini.
Për trajnerin aktual të Milanit do të ishte një rikthim në kryeqytet, ku ka shkruajtur historinë me golat e tij, por edhe tre muaj si trajner i brendshëm pas largimit të Claudio Ranierit më 2011-ën.
Pikërisht në verë të këtij viti Luis Enrique, i cili është sërish kandidat për verdhekuqtë, mori drejtimin e skuadrës.
Sipas mediave italiane, Montella është në pritje të zhvillimeve të reja te Milani. Aeroplanthi dëshiron të qëndrojë në stolin e kuqezinjve, por kërkon garanci financiare nga projekti kinez.
Në kryeqytet, ka dalë në skenë edhe emri i Gian Piero Venturës, i cili po bën shumë mirë tek Atalanta. Priten gjithashtu lajme edhe nga PSG për të ardhmen e Emery, që gjithashtu është kandidat potencial për të marrë drejtimin e Romës.

Artikulli paraprakJa pse nuk dorëzohemi
Artikulli tjetërKëshilltarët e djathtë të Tiranës i bashkohen sheshit të lirisë