Ish këshilltari i Ramës për rendin i bashkohet opozitës

Në prag të zgjedhjeve të vitit 2013, Ahmet Prençi një oficer karriere në polici u prezantua nga Rama si këshilltar i tij për Rendin. Më parë, Ahmet Prençi kishte punuar në struktura të larta drejtuese në polici, përfshi këtu edhe detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Ai vlerësohet nga kolegët si një nga drejtuesit me integritet profesional gjatë kohës që ka shërbyer tek uniformat blu. Pas fitores në zgjedhje, Prençi u emërua nga Rama në një pozicion kyç. Ai u emërua drejtor i Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Prençi qëndroi në këtë post jo shumë gjatë. Ai e mbajti këtë detyrë për afro dy vjet deri në 1 korrik 2015. Largimi i tij ishte një ndër lajmet kryesore në media, sepse Ahmet Prençi dorëheqjen e kishte shoqëruar edhe me një letër ku shpjegonte motivet e vendimit që kishte marrë.
“Gjej rastin t’Ju kujtoj këtu, se përjashto periudhën e parë disa mujore të bashkëpunimit tonë të frytshëm (ku pati një seri aksionesh dhe rezultatesh konkrete, që janë radhitur si arritje të panjohura më parë), u bë më shumë se një vit që Ju, me apo pa dëshirë, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve Tuaja, e izoluat dhe denigruat institucionin e Hetimit Tatimor. Jo vetëm në përditshmërinë e praktikave administrative, por edhe në rastet ku u jam drejtuar me Memo apo kur kam paraqitur shqetësime konkrete, Ju nuk jeni përgjigjur”, shkruan Prençi në letrën drejtuar Shehajt.
Situata, sipas tij, është alarmante për këtë institucion, për të cilin thotë se po trajtohet si pronë private.
“Përballë një situate të tillë alarmante, unë largohem nga detyra, me dëshirën që kjo të shërbejë si këmbanë alarmi për të ardhmen e këtij institucioni, i cili nuk është pronë private e askujt!”, e mbyll ai letrën e dorëheqjes së parevokueshme. Diskretitimi i Drejtoreshës së Tatimeve kaloi me një ftohje me Ramën, i cili nuk reagoi publikisht dhe as u investua më pas në karrierën e Prençit më parë e kishte prezantuar si Këshilltar për Rendin.
Ish-Këshilltari dhe Drejtori i besuar i Ramës e kishte të vështirë që të pranonte korrupsionin në strukturat e qeverisjes dhe dje, ai i është bashkuar protestës së opozitës në Sheshin e “Lirisë”. Më parë, Prençi kishte postuar në faqen e tij të Facebook-ut mbështetjen për protestën e 18 shkurtit të opozitës. Ai vendosi në foton e tij të profilit logon e protestës së opozitës.
Mëngjesin e dymbëdhjetë në sheshin e lirisë, kryetari demokrat Lulzim Basha bashkëbisedoi rreth drogës që është një prej shkaqeve kryesore të shkatërrimit të shoqërisë dhe burimi kryesor i blerjes së votës nga qeveria. Për Ahmet Premçin kjo është protesta e dytë në të cilën merr pjesë, pas asaj të vitit ’90, pasi sot arritjet e Shqipërisë janë në rrezik. “Unë jam këtu si qytetar i lirë i Republikës së Shqipërisë dhe si një ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kam mendimin se sot atdheu është në rrezik për situatën e krijuar me rendin dhe sigurinë publike. Në kohën që kam drejtuar Policinë e Shtetit me kryeministër z. Berisha dhe ministër Lulzim Bashën, arritëm dy gjëra të rëndësishme. Për të plotësuar standardet për të anëtarësuar Shqipërinë në NATO dhe për të liberalizuar vizat. Sot këto dy procese të rëndësishme që me shumë mund u arritën të realizohen, janë në rrezik”. Premçi krahasimin e bëri me kohën kur drejtonte Policinë e Shtetit. “Në vitet kur unë kam pasur privilegjin që të jem drejtori i Policisë së Shtetit, statistikat vjetore që kapeshin në Itali në një vit ishin 4 kilogram. Vetëm dy muajt e fundit janë dhjetëra tonë që kapen në Itali e Greqi. Unë flas për shifrat zyrtare që jep policia italiane dhe greke këtu, nuk u besoj shifrave që jep qeveria. Në fillimet e veta si kryeministër Edi Rama i premtoi policisë që nuk u pres në besë. Policia sot është më e prerë në besë se kurrë sepse 95% e punonjësve të policisë sot do të dëshironin të ishin këtu në vendin tim për ta thënë fjalën e tyre sepse janë me kokën ulur për situatën e krijuar në Policinë e Shtetit. Ata punonjës policie të ndershëm sot nuk kanë mundësi të shprehin asgjë lidhur me kushtet dhe situatën që është krijuar me punën e tyre dhe misionin e tyre. Janë jashtë misionit të tyre totalisht”. Aleks Hajdari, kryetar i Shoqatës së Punonjësve të Larguar të Policisë, foli për një kanabizim të territorit si kurrë më parë në 26 vite demokraci. “Vetëm në vitin 2016 janë bllokuar 21.5 tonë kanabis sativa në Itali dhe 214 hektarë janë kultivuar në territorin shqiptar. Agjencitë ligjzbatuese më 2016 folën për 8 milionë rrënjë bime kanabis sativa, të barasvlefshme me afërsisht 6 miliardë euro në treg. I kërkoj liderit Basha të ndërtojë dhe hartojë programe për polici të depolitizuar, ku ligji të jetë i barabartë për të gjithë. Të krijojë një organizatë policie që zbaton ligjin dhe Kushtetutën për të rikthyer besimin dhe respektin tek Policia e Shtetit”. Një banor i Fierit denoncoi fenomenin e drogës në Shqipëri. Punëtor në ndërtim, ai tha se një vit më parë i ofruan të punonte maleve për të mbjellë drogë dhe në këmbim do e paguanin ose me para, ose me sasi droge. Fieraku pasi tregoi se nuk kishte pranuar të punonte në ilegalitet deklaroi se nuk ka më besim tek policia. Basir Çollaku tha se të tregosh histori të rëndë të trafikut të drogës sot është domosdoshmërisht emergjencë kombëtare. Ai tregoi për historinë e punonjësve të policisë, dëshmia e të cilëve është fshirë nga dosja hetimore mbi makinën “Audi” me targë AA003GB, e cila figuron ende në emër të ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, makinë që përdorej nga trafikantët e drogës. “Të dy policët që kanë dëshmuar këtë gjë, janë larguar nga Shqipëria pas kërcënimeve. Gjithashtu Dritan Zagani, ish-shefi i Antidrogës kërkon të dëshmojë në sallën e gjyqit, por nuk e lejojnë”.

Dëshmia e të riut nga Fieri: Si po skllavërohen njerëzit e varfër nga kanabisi

Kultivimi i kanabisit përveçse është një krim shkakton dhe probleme të rënda sociale. Për herë të parë dikush ka dëshmuar konkretisht skllavërinë që sjell kultivimi i drogës. Klodian Ferko nga Fieri, një njeri i varfër që mundohet ta mbajë familjen me punë në ndërtim, ka dëshmuar, përpara kryeministrisë, përjetimin e tij. Ai tregoi se shumë shokë përfunduan në burg, ndërkohë që ai vendosi ndryshe, mendoi për të ardhmen e fëmijës. “Shokët e mi lanë punën në ndërtim dhe shkuan drejt maleve për të mbjellë drogë. Dhe mua m’u ofrua kjo punë. Por çfarë ndodhi: ata u zhgënjyen aq shumë dhe më vjen keq për ta. Disa përfunduan në burg. Unë nuk e pranova dhe nuk kam ndërmend ta pranoj. Sepse fëmija im dua që të rritet i ndershëm, me edukatë, me moral të lartë. Nuk dua që nesër, pasnesër të thonë që ai fëmijë e ka babain drogmen”. Klodian Ferko shpjegon dhe arsyen pse iu bashkëngjit protestës së opozitës. “Nuk kam besim tek Policia e Shtetit prandaj e denoncoj këtë në mënyrë publike, që ta ndalojmë së bashku. Fëmija im ku do të rritet nesër? Nuk dua që fëmija im të jetë viktimë e këtij fenomeni të drogës. Dua që të rritet në mënyrë të ndershme”. Klodian Ferko dhe shokët e tij nuk janë të vetmit që merren me kultivimin e kanabisit. Historia e tij konkrete dëshmon se si po skllavërohen njerëzit e varfër nga kanabisi çdo ditë e më shumë.

Enton DACI

Artikulli paraprakBerisha: Kujdes nga Top Gjoba!
Artikulli tjetërMaqedonia në prag të një konflikti civil