Ish-drejtuesi i policisë: 613 kg e kokainës u kapën nga DEA amerikane

Ish-shefi i Antikrimit Ekonomik, Arjan Hoxha tregoi në “Report TV” se sinjalizimet për kokainën që u kap në Maminas erdhën nga DEA amerikane. Ish-zyrtari Hoxha deklaroi se 613 kg kokainë u gjetën nga policia shqiptare pasi DEA kishte vendosur GPS brenda lëndës narkotike. Pas kësaj, agjentët amerikanë njoftuan policitë dhe institucionet për kapjen e saj, ndërsa ka ndjekur gjithë operacionin.
“DEA ka teknologji shumë të përpara, i vendos GPS. Kjo lloj pajisje vendoset brenda lëndës ose afër saj, dhe e shoqëron gjatë gjithë udhëtimit. Pastaj bën njoftimin herë pas here të policive dhe institucioneve të tjera dhe bën dorëzimin e kontrolluar”, tha Hoxha.
Sipas Arjan Hoxhës kokaina do të shpërndahej në disa laboratorë që gjenden në Shqipëri, për t’u përpunuar.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj deklaroi paraditen e djeshme se operacioni për kapjen e 613 kg drogë në Maminas të Durrësit është bërë në bashkëpunim me partneret ndërkombëtarë. “Një superaksion i Policisë së Shtetit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese vendase dhe të huaja. Goditje e fortë trafikut ndërkombëtar të drogës!Hetimi vazhdon!Forca e Ligjit, forca e shtetit po vepron”, tha Xhafa.

Por pas disa orësh këtë e rrëzon Kryeministri Rama i cili thotë se operacionin e bëmë vete pa ndihmën dhe pa sinjalizimin e të huajve. Fakti që ky operacion është zhvilluar i gjithi në territorin e vendit, pa asnjë sinjalizim nga vendet europiane ku ngarkesa ka udhëtuar përpara se sa të hynte në portin e Durrësit, ka domethënien e rëndësishme të forcës ligjzbatuese që disponojmë sot, duke nisur nga pikat doganore. Puna e madhe që është bërë për të vendosur nën një kontroll rigoroz pikat doganore, duke filluar nga porti i Durrësit, ku edhe është krijuar një rrjetë efikase kontrolli mbi bazë risku, ka dhënë rezultate të vazhdueshme në aspektin doganor, por në këtë rast ka mundësuar edhe zanafillën e këtij operacioni spektakolar. Po ashtu, me marrjen e sinjalizimit të parë nga Hetimi Doganor, Policia e Shtetit është vënë menjëherë në lëvizje, falë pikërisht bazës së punës së përbashkët që është ndërtuar në funksion të garantimit të kontrollit rigoroz të portit të Durrësit, mes strukturave policore dhe hetimore. I menjëhershëm dhe efikas ka qenë edhe ndërveprimi mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të rënda, çka ka siguruar përfundimin me sukses të plotë të operacionit”, shkruan Rama.

Artikulli paraprakKë të besojmë Romanën apo Junker? E para: Krimi po luftohet, kreu i KE: Shqipëria po eksporton krim në BE
Artikulli tjetërBasha: Paratë e drogës, kërcënim për stabilitetin e vendit, po pastrohen me ndërtimet nga Bashkia e Tiranës, largim i Ramës