INSTAT rrëzon “Rilindjen”, shifrat zyrtare zbulojnë krizën

Instituti i Statistikave rishikoi në ulje të dhënat mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto për vitet 2014 dhe 2015, duke fiksuar vlerësimin final të vitit 2014 në masën 1.77 për qind, si dhe vlerësimin gjysmëfinal të vitit 2015 në masën 2.2 për qind. Të dyja shifrat janë më të ulëta se sa qe planifikuar në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal të vitit  2015. Si pasojë e rivlerësimeve të të dyja viteve, PBB e Shqipërisë rezulton rreth 100 milionë euro më e paktë nga sa shpresohej të qe, gjë që vë në dyshim të gjithë programin makroekonomik të vendit, përfshirë përpjekjet për rigjallërimin e ekonomisë, si dhe të uljes së borxhit publik si përqindje e PBB-së. Prodhimi i Brendshëm Bruto për vitin 2014 qe shpresuar se do të rritej me 2.1 për qind si pasojë e programit të qeverisë aktuale për rritjen e borxhit publik, shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të lëna nga qeveria e kaluar dhe rrjedhimisht, rritjen e qarkullimit ekonomik të vendit. Në vitin 2014, borxhi publik i Shqipërisë u rrit me 93 miliardë lekë (660 milionë euro), e barasvlefshme me 6.6 për qind të PBB-së. E gjithë kjo sasi parash e hedhur në ekonomi duhej të kishte sjellë ndryshimin rrënjësor të situatës. Por PBB e vitit 2014 u rrit me vetëm 45 miliardë lekë, më pak se gjysma e rritjes së borxhit publik. Me fjalë të tjera qeveria ngarkoi shqiptarët me dy lekë borxh për të rritur ekonominë me vetëm një lek. Vlerësimi final i INSTAT për vitin 2014 është për rritje ekonomike në terma realë prej 1.77 për qind dhe në terma nominalë prej 3.4 për qind, ndërkohë që borxhi publik u rrit me mbi 10 për qind.

Deflacion më 2015

PBB e vitit 2015 qe shpresuar të rritej me 3 për qind sipas Kuadrit Makroekonomik në terma realë. Vlerësimi gjysmëfinal i INSTAT i publikuar dje (31 maj) flet për rritje ekonomike në masën 2.23 për qind. Por është deflatori i PBB-së, treguesi i vërtetë i vështirësive ekonomike që përjetoi vendi atë vit. Sipas INSTAT, deflatori për vitin 2015 qe vetëm 0.1 për qind. Ky është deflatori më i ulët i regjistruar në Shqipëri që nga rënia e komunizmit. Deflatori është një tregues që mat ndryshimin e çmimeve të shitjes së mallrave dhe shërbimeve të PBB-së. Zakonisht deflatori në Shqipëri duhet të jetë dy ose tre për qind, gjë që nënkupton rritjen me 2-3 për qind të çmimeve në krahasim me vitin paraardhës. Vetë qeveria pati vlerësuar se deflatori për vitin 2015 do të qe 2.5 për qind. Por INSTAT thotë se në fakt deflatori ra në 0.1 për qind. Situata duket se u përkeqësua në muajt e parë të vitit 2016, kur deflatori rezultoi negativ, gjë që do të thotë se mallrat dhe shërbimet u shitën me çmime edhe më të ulëta se sa një vit më herët. Ekonomia shqiptare ka vuajtur nga rritja e ngadaltë që nga viti 2009, por qeveria aktuale në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar hartoi një plan gjithëpërfshirës në vitin 2013 me synimin e rikthimit të stabilitetit makroekonomik dhe fuqizimit të rritjes ekonomike. Plani parashikonte rritjen e një numri të konsiderueshëm taksash si taksa e qarkullimit  mbi naftën, akciza e cigareve, tatimi mbi të ardhurat personale etj., me synimin që të ardhurat shtesë të financonin borxhin publik dhe rigjallërimin ekonomik. Por aktualisht taksat dhe borxhi publik janë rritur, ndërsa ekonomia ka ecur shumë më ngadalë. Me shifrat e reja të INSTAT për vitet 2014 dhe 2015, rezulton se ky plan dukshëm ka dështuar të rigjallërojë ekonominë.

Artikulli paraprakKosovë, pas zgjedhjeve, format i ri i dialogut
Artikulli tjetërFushata, 13 milionë euro “fluturojnë” jashtë bankave