INSTAT njofton përfundimin e numërimit të popullsisë në terren

Instituti i Statistikave (INSTAT) ka njoftuar njoftoi se procesi i Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 ka përfunduar.

INSTAT po vazhdon punën për verifikimin në terren të statusit të banesave dhe refuzimeve, deri në datë 24 Nëntor.

Për vlerësimin e cilësisë së procesit dhe mbulimin, prej datës 20 Nëntor – 20 Dhjetor 2023, INSTAT do të organizojë Anketën Pas Cens sipas rekomandimeve të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, në 100 Zona Numërimi, të shpërndara në të gjithë territorin e vendit. Ky proces do të angazhojë 100 anketues dhe 25 kontrollorë të cilët do të trokasin përsëri në dyert e qytetarëve, në zonat e përzgjedhura.

INSTAT u ka bërë thirrje qytetarëve të lehtësojnë punën e stafit.

Grumbullimi i të dhënave nisi më datën 18 shtator 2023 dhe fillimisht ishte parashikuar të zgjaste 6 javë për të përfunduar në fund të tetorit, por duket se koha fillestare nuk ka qenë e mjaftueshme duke bërë që procesi të zgjatet deri  më 15 nëntor.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 synon të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Europën (UNECE) për raundin e vitit 2020 të Censeve dhe gjithashtu me rregulloret e fundit të BE-së për zbatimin Censit të Popullsisë dhe Banesave.

Censi i Popullsisë dhe Banesave ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë.

Në mënyrë të ngjashme, Censi i banesave ofron  numërimin zyrtar të të gjitha banesave në vend në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave të banesave.

Artikulli paraprakKanceri i mushkërive, 800 raste në vit/ Përdorimi i duhanit rrit numrin dhe ul moshën e personave të prekur
Artikulli tjetër“Më bëhet zemra mal kur…”/ Basha në Panairin e Librit: Në programin e PD, do i kushtohet vemendje e veçantë letërsisë, artit dhe kulturës!