INSTAT e konfirmon: Çmimet e librave për nxënësit u rritën

Denoncimeve të prindërve, por edhe të opozitës për rritjen e teksteve shkollore për këtë vit akademik, Ministria e Arsimit iu përgjigj menjëherë si akuza të pavërteta e madje politike. Sipas Ministrisë së Arsimit, tekstet shkollore për këtë vit akademik nuk pësuan rritje dhe vijuan me të njëjtin nivel të një viti më aprë. Por ndryshe nga sa pretendon ministria, shtatori është muaji më intensiv i blerjeve për prindërit që kanë fëmijë për të shkolluar. Thuajse 80 për qind e furniturës së shkollës me libra dhe mjete kancelarie blihen gjatë këtij muaji. Mirëpo për shkak të kërkesës së lartë të njëjtët artikuj pësojnë një rritje jo të zakontë të çmimeve gjatë shtatorit.
Sipas INSTAT ritmet vjetore të rritjes së çmimeve në librat dhe artikujt shkollor ishte 2.5 për qind në shtator, teksa në muajt e mëparshëm ky ndryshim ishte poshtë vlerës 1.
Për shkak të ndryshimit të kurrikulës, furnizimet e shkollës vit pas viti plotësohen me elementë të rinj. Çdo lëndë përveç pajisjeve bazë libra fletore, laps dhe stilolaps, ka edhe mjete të veçanta pune që aplikohen gjatë vitit.
Sipas një vëzhgimi që “Monitor” bëri gjatë ditëve të para të shtatorit në kulmin e sezonit të blerjeve u vu re se, rritja e çmimeve ka përfshirë më së shumti Tiranën, ku blerjet janë më intensive për shkak të numrit më të lartë të nxënësve dhe për rrjedhojë edhe kërkesës më të lartë për mjete shkollore. Në disa kancelari në Tiranë, rritja e çmimeve ka qenë më e lartë se 20%.
Në të kundërt, çmimet e veshjeve për fëmijë pësoi rënie të mëtejshme në shtator. INSTAT pohon se çmimet e veshjeve dhe këpucëve për fëmijë pësuan ulje përkatësisht me -2.2 dhe 2%. Në SHBA sipas një sondazhi të Deloitte, familjet i ndajnë shpenzimet për shkollën, 50 për qind për veshjet dhe 50 për qind për mjete shkollore. Ndërsa për një familje me të ardhura të ulta në Shqipëri harxhimet për mjetet dhe librat i kalojnë ato për veshjet. Shkollimi në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë, më shumë për shkak të rritjes së çmimeve të shërbimeve arsimore sidomos në sektorin publik.
Kanë qenë vetë prindërit ata që kanë ngritur shqetësimin, ndërsa kanë deklaruar se këtë vit pavarësisht deklaratave të Ministrisë së Arsimit se çmimet do të jenë po të njëjtat, ndihet një rritje e ndjeshme e tyre. Por edhe pse çmimi i shitjes nuk ka ndryshuar për shumë prej librave krahasuar me vitin e kaluar, prindërit e nxënësve shprehen për mediat se çmimet aktuale janë të larta dhe të papërballueshme.
“Librat shkojnë 60 mijë lekë. Ka dhe shpenzime të tjera, jo fletore, jo lapsa, mjete të tjera, domethënë 100 mijë lekëshi, dhe i bie barabartë me 2/3 e pensionit tim. Është e vështirë për t’u përballuar, do rrimë pa bukë, t’i japim fëmijës librin”, shprehet një qytetar.
Çmimet e teksteve të reja, të cilat iu nënshtruan procesit të vlerësimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për vitin shkollor 2017-2018, propozohen nga subjektet dhe vlerësohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, sipas metodologjisë së mëposhtme: Çmimet e teksteve dorëzohen nga subjektet në MAS, në zarf të mbyllur, sipas udhëzimeve përkatëse dhe i nënshtrohen procesit të vlerësimit.
Pas përfundimit të afatit të dorëzimit dhe vlerësimit të teksteve, Komisioni i Vlerësimit të Teksteve Shkollore, i ngritur në MAS, në prezencë të shtëpive botuese apo subjekteve, bën hapjen dhe leximin e çmimeve të propozuara për tekstet nga subjektet dhe një kopje të procesverbalit të hapjes e vë në dispozicion të palëve pjesëmarrëse në proces. Pas përfundimit të procesit të vlerësimit dhe renditjes së teksteve, për tekstet që rezultojnë fituese, MAS bën përllogaritjen dhe vlerësimin e çmimit mesatar aritmetik, ose çmimit tavan të teksteve të miratuara.

Artikulli paraprakMemushaj në formacionin e dështimeve të Serisë A
Artikulli tjetërÇmenduri për Kane