India dhe Pakistanu urrehen prej 72 vitesh

Më 15 gusht të 1947 të dy vendet siguruan pavarësinë dhe qysh atëhere bartin me vete një konflikt kompleks, të dhunshëm dhe të vështirë për t’u zgjidhur

Të dyja vendet, India dhe Pakistani kanë të njëjtën datë pavarësie nga Perandoria Britanike, të siguruar më 15 gusht të vitit 1947. E vërtetë që kjo datë festohet me tone triumfuese dhe parade plot ngjyra, por prapa salltanetit të ceremonive fshihet një tjetër përvjetor: 72 vjetori i një prej konflikteve më të gjatë e më të papajtueshëm të epokës moderne. Një konflikt që në dekadat e fundit është shndërruar në atë midis dy fyuqishë të pajisura me armë bërthamore.

Si ka filluar gjithçka

Pse India dhe Pakistani e urrejnë njëri tjetrin? Nëqoftëse dëshirohet të gjendet një moment i saktë, konflikti nisi mesnatën e 14 gushtit 1947. Qenë vite në të cilat, me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, Perandorisë Britanike të lodhur ju desh që të vendosë me shpejtësi se çfarë të bëjë me perandorinë e pamatë indiane, popullsia e së cilës ishte bërë gjithnjë e më shumë e pashtruar, politikisht aktive dhe e vështirë për t’u kontrolluar. Partia e Kongresit Indian, e udhëhequr nga Mahatma Gandhi, kërkonte krijimin e një shteti të madh federal që të përfshinte të gjithë Indinë, kurse Muhammad Ali Jinah, lideri i Lidhjes Myslimane, kërkonte që 30 përqind të myslimanëve t’u lejohej krijimi i një shteti të pavarur të tyre, në mënyrë që të mos rrezikonin të përfundonin të shtypur nga mazhoranca hindù.

Lordi Mountbatten, Nënmbreti i fundit i Indisë, e pranoi këtë zgjidhje të fundit dhe e ndau nënkontinentin në tri pjesë. Pjesa më e madhe e territorit jugor, qendror dhe verior u bëa jo që sot e njohim si India, ndërsa ekstremitetet veriperëndimore dhe verilindore, të ndara midis tyre nga 2000 kilometrat e Indisë, u bënë Pakistani (e dyta e siguroi pavarësinë në vitet ’70 dhe u bë Bangladeshi). Ajo që hyri në histori si “Ndarja” u bë efektive në mesnatën midis 14 dhe 15 gushtit të 1947, ditën ku të dy vendet festojnë pavarësinë (Pakistani e feston më 14, India me 15).

Ndarja qe një moment traumatic për shumë indianë. India ishte dhe është akoma një mozaik kompleks kulturash, gjuhësh dhe besimesh fetare të ndryshme. Është e pamundur t’i ndash njërën nga tjetra duke u caktuar një kufi në hartë. Kështu, ditën e hyrjes në fuqi të marrëveshjeve, 15 milion indianë marshuan drejt vendit që pasqyronte besimet dhe origjinën e tyre ose u detyruan që ta bëjnë me dhunë. Llogaritet se 1 milion njerëz vdiqën në ato ditë. Qysh nga dita e parë e ekzistencës së tyre, India dhe Pakistani përjetuan vrasje dhe dhunë. Lufte guerrile dhe luftë në kuptimin e vërtetë të fjalës, përplasje dhe atentate midis forcave të të dy vendeve do të vazhdonin për mbi 70 vitet e mëpasme.

I pari i këtyre konflikteve nisi pak muaj pas Ndarjes, pasi përplasjet spontate midis komuniteteve të ndryshme u transformuan në një luftë të vërtetë kur ushtritë e të dy vendeve u takuan në Luginën e Kashmirit, një zonë malore që të dy vendet e rivendikojnë si të tyren. Më 1965 dhe më 1971, India dhe Pakistani u ndeshën sërish në dy konflikte të hapura, ku i dyti çoi në pavarësinë e Bangladeshit nga pjesa tjetër e Pakistanit. Gjatë viteve ’90 pati një periudhë të re tensioni, por kësaj radhe pa një konflikt të vërtetë ushtrishë. Pakistani inkurajoi një serie lëvizjes guerrilase në Kashmir, që bashkuar me represionin brutal të ushtrisë indiane shkaktoi më shumë se 40000 të vdekur. Më 1999 një incident i ri çoi në një përplasje të shkurtër midis të dy ushtrive, që përfundoi me një armëpushim, atë të vitit 2003, që është respektuar deri në ditët tona. Por Pakistani vazhdon që të ndihmojë grupe subversive në territorin indian dhe akuzon Indinë se bën të njëjtën gjë me të. Nga vitet ’90, kur të dy vendet janë pajisur më armë bërthamore dhe më raketat e nevojshme për t’i transportuar në shënjestrat e tyre, një kondlikt eventual midis të dy vendeve potencialisht mund të përfshijë të gjithë botën.

Çështja e Kashmirit

Pika qendrore e konfliktit midis Indisë dhe Pakistanit është Lugina e Kashmirit, një zonë 135 kilometra e gjatë dhe nja 30 kilometra e gjerë që ndodhet në verilindje të Indisë, në mbi 1500 metra lartësi. Historia e Luginës ka qenë gjithmonë e trazuar. Në vitin 1846 anglezët mundën Perandorinë e Sikhëve, e cila dominonte zonën, dhe aneksuan pjesën më të madhe e territoreve të saj. Lugina e Kashmirit dhe territoret përreth, një zonë jashtëzakonisht e pasur dhe pjellore, në fakt ju shitën një familjeje të pasur fisnikësh indianë, asaj Dogra. Lindi kështu shteti princëror i Jammu dhe Kashmirit, një prej 500 dominioneve gjysmë të pavarura nëpërmjet të cilave Kurora britanike administronte territoret indiane jo drejtpërsëdrejti nën dominimin e saj.

Në ndryshim nga shumë prej dominioneve të tjera, ku zotërinjtë feudalë qenë myslimanë dhe popullsia e nënshtruar atyre e besimit hindù, Kashmiri kishte një situatë spekulare: ishte një zonë me mazhorancë myslimane me një sovran hinduist. Kur më 1947 erdhi momenti që të ndahej vendi, si India, ashtu edhe Pakistani e rivendikuan shtetin e vogël princëror si të tyrin mbi bazën e arsyeve fetare dhe kulturore. Për të mbështetur pretendimet e tyre, pakistanezët dërguan në terren një ushtri vullnetarësh; zotëria lokal hoqi dorë nga ideja e bërjes një vend i pavarur, të cilën e kishte përkëdhelur për një kohë të shkurtër dhe i kërkoi ndihmë ushtrisë indiane kundër ardhjes së pakistanezëve. Konflikti qe i shkurtër dhe në fund Pakistani arriti që të sigurojë kontrollin e një pjese të vogël të rajonit, ndërsa pjesa më e madhe e Luginës dhe banorët myslimanë të saj mbetën nën kontrollin indian.

Qysh atëhere Pakistani ka vazhduar të dërgojë në rajon vullnetarë dhe të mbështesë grupe indipendentistësh, duke e shtrënguar Indinë që të mbajë në rajon një garnizon jo fort të vogël. Kanë qenë 7 milion banorët e Luginës ata që kanë paguar çmimin më të lartë e kësaj gjendjeje të përhershme alarmi. Në vite forcat ushtarake indiane kanë kryer mijëra arrestime, bastisje dhe operacione ushtarake. Një banor i rajonit e përshkruan në terma mjaft të errët raportin e banorëve me forcat indiane: «Na trajtojnë si shërbëtor në kuzhinën e një brahmini, që duhet rrahur disa herë në ditë për të qëndruar në rresht». Nga mesi i viteve ’80 e këtej, guerrilja pakistaneze dhe represioni Indian kanë shkaktuar më shumë se 40000 të vdekur.

Megjithatë, shumë banorë myslimanë të Kashmirit tashmë preferojnë që të jetojnë në një dmeokraci si India sesa t’i kalojnë Pakistanit, një vend shumë më i paqëndrueshëm që shpesh u është nënshtruar diktaturave ushtarake. Një detaj ky që zbulon një element thelbësor të kësaj historie: domethënë që çështja e Kashmirit është transformuar në një pretekst me të cilin nacionalistët e të dy anëve të kufirit justifikojnë një gjendje armiqësie të përhershme që u shërben qëllimeve të tyre politike.

Një marrëdhënie e vështirë

Çështja e Kashmirit është më i dukshmi i problemeve që kanë mbajtur Indinë dhe Pakistanin kaq të ndarë dhe kaq gjatë, por nuk është e vetmi. Ndarja i la Indisë territoret më pasura e më pjellore, ndërsa Pakistani u gjend i ndarë më dysh, me atë që më pas u bë Bangladeshi i ndarë nga pjesa tjetër e vendit nga 2000 kilometra që i përkisnin Indisë. Kështu, qysh nga fillimi, Pakistani kërkoi aleatë të fortë në skenarin botëror. I gjeti tek Shtetet e Bashkuara, të cilëve vendi i interesonte si unazë në zinxhirin e shteteve që po ndërtoheshin për të “frenuar” Bashkimin Sovjetik.

Qysh nga vitet ’50, Pakistani përfitoi armë dhe financime nga Shtetet e Bashkuara, që i ndihmuan gjeneralët pakistanezë të ndjeheshin të sigurtë, duke kontribuar kështu në formimin e një qasjeje agresive kundrejt Indisë. Ushtria pakistaneze, gjithmonë një forcë shumë e rëndësishme për vendin, meriton një parantezë: flitet për një thënie indiane lidhur me Ndarjen, «Neve na takuan burokratët, kurse atyre gjeneralët». Gjatë shekujve Raj-i, qeveria britanike Indisë, rekrutoi ushtarë të shumtë indianë dhe i zgjodhi sidomos midis të ashtuquajturave “raca luftarake”, grupet etnike të konsideruar si më të përshtatshëm për luftë. Shumë prej tyre qenë myslimanë ose gjithsesi vinin nga zona veriperëndimore e Indisë. Kështu, kur ajo pjesë e territorit ju caktua Pakistanit, vendi u gjend kështu në një raport disproporcional për sa i përket ushtrisë origjinale të Raj-it. Bilanci i parë i shtetit të ri përbëhej për ¾ nga shpenzimet ushtarake.

Ky nivel shpenzimesh ishte i papërballueshëm dhe pavarësisht se në vite është ulur, mbetet ende i lartë për standardet e një vendi në rrugën e zhvillimit si Pakistani. Për të justifikuar këtë nivel shpenzimesh, ushtarakët kishin nevojë për një qëllim. Rivaliteti me Indinë dhe sidomos çështja e Kashmirit është bërë justifikimi që u ka mundësuar gjeneralëve pakistanezë jo vetëm të ruajnë një nivel të lartë shpenzimesh ushtarake, por edhe të ndërhyjnë shumë herë në jetën e vendit, duke vendosur e larguar qeveri dhe, nganjëherë, edhe duke e marrë drejtpërsëdrejti drejtimin e vendit.

Gjatë viteve të fundit diçka e ngjashme ka ndodhur edhe në Indi. Në vitin 2015 zgjedhjet janë fituar papritmas nga BJP-ja, një parti nacionaliste indiane, e drejtuar nga Kryeministri aktual Narendra Modi. Anipse BJP-ja nuk e ka një politikë haptazi armiqësore ndaj Pakistanit, midis mbështetësve të saj ka shumë organizata ekstremiste nacionaliste, armiqësorë ndaj myslimanëve që ende jetojnë në Indi dhe gjithmonë të gatshëm për të dyshuar për përzierje të shërbimeve sekrete pakistaneze në çdo ngjarje që ndodh në vendin e tyre.

Situata ekonomike

Një tipar thelbësor e përplasjeve ushtarake midis Indisë dhe Pakistanit është që, falë resurseve më të mëdha dhe të një popullsie më të shumtë në numër, e para ka arritur gjithmonë t’i fitojë të gjitha përplasjet që ka ndërmarrë me fqinjin e saj. për këtë arsye, Pakistani shpesh i është drejtuar mjeteve alternative për t’ju kundërpërgjigjur kundërshtarit të tij: nga guerrilja tek terrorizmi, duke kaluar nëpërmjet blerjes së një arsenali bërthamor. Gjatë 30 viteve të fundit India ka arritur ta mundë Pakistanin edhe në planin ekonomik dhe një gjë e tillë, për të ardhmen, mund të ketë pasoja destabilizuese.

Gjatë gjysmës së parë të rivalitetit të tyre 72 vjeçar, ka qenë Pakistani ai që është rritur më shpejt, pjesërisht edhe pse kishte më pak industri dhe infrastruktura nga ku të fillonte, pjesërisht pse India ka qenë e ngurosur për një kohë të gjatë nga një politikë autarkike dhe drejtim të centralizuar, ndërsa Pakistani ishte më i hapur ndaj shkëmbimeve ndërkombëtare. Por në 30 vjeçarin e fundit kjo tendencë është përmbysur dhe ka qenë India ajo që e ka kaluar Pakistanin në termat e rezultateve ekonomike.

Duke filluar nga vitet ’80, një seri qeverishë indiane e kanë bërë ekonominë e vendit më fleksibël, duke eliminuar barrierat arkaike ndaj zhvillimit ekonomik dhe nganjëherë duke arritur ta ekzagjerojë në kahjen e kundërt. Në fillimin e viteve ’90, India prodhonte 2 milion motoçikleta në vit. Sot prodhon më shumë se 20 milion të tilla. Trafiku ajror në rrugët e brendshme është dyfishuar në 10 vjet. Numri i pasagjerëve është rritur me 23% vetëm në 2016, duke i shtyrë kompanitë ajrore indiane të porosisin një total prej 1000 avionësh të rinj. Eksportimet e softuerëve dhe teknologjia e lartë janë katërfishuar në një dekadë, ndërsa pak vite më par Agjencia Hapësinore Indiane ka dërguar në hapësirë 104 satelitë me lëshimin e një rakete të vetme, një record botëror.

Për ta përballuar këtë konkurrencë, Pakistani ka pak zgjedhje përveç kërkimit të aleatëve të fortë, siç bëri me Shtetet e Bashkuara në vitet menjëherë pas Ndarjes. Në këtë moment, të paktën në fushën ekonomike, aleati më i rëndësishëm i tij është Kina. Në realitet, të dy vendet kanë një histori të gjatë miqësie, për motivin e vetëm që Kina është gjithmonë rival i Indisë, me të cilët ndaj një kufi të gjatë dhe të kontestuar. Kohët e fundit kjo miqësi e ka bërë Pakistanin destinatarin e planit më të madh të investimeve të projektuara ndonjëherë nga Kina. Bëhet fjalë për projektin të quajtur nganjëherë “Rruga e Re e Mëndafshit”, që duhet të shërbejë për t’i çuar mallrat kinezë nga kufijtë perëndimorë të vendit nëpërmjet gjithë Azisë.

Praktikisht, plani parashikon një investim në Pakistan prej 60 miliard dollarësh, i përqëndruar sidomos në infrastruktura si centrale elektrike, rrugë, tunele, porte dhe aeroporte. Por disa pakistanezë janë të preokupuar nga përmasat dhe pasojat e këtij plani. Frika e tyre është se mos vendi përfundon për t’ia ceduar një pjesë të konsiderueshme të sovranitetit investitorëve të rëndësishëm kineze. Midis kompanive që do të merren me investimin janë disa të famshme për të menaxhuar qytete të tëra, përfshi divizione të tëra paraushtarakësh, në provincën kineze të Ksinianut, ku një pakicë myslimanësh, ujgurët, pësojnë diskriminime të vazhdueshme.

Në vlerësimin e investimit kinez, preokupimi fetar nuk është dytësor për shumë pakistanezë. Plani i investimeve flet për resorted he kazino për t’u ndërtuar në brigjet e vendit, sot në pjesën më të madhe pak të shfrytëzuara. Konservatorët pakistanezë, shumë prej të cilëve praktikues të versioneve pakashumë radikalë të islamit, i shohin këto investime si një rrugë drejt dekadencës morale. Kjo ka bërë që qeveria pakistaneze të “ngurtësohet” pak në këtë drejtim.

(nga Geopoliticus)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakNjihuni me gjykatësin që i dha mandatin narkokryetarit monist të Kukësit, që me rojet e tij vjedh dhe banka
Artikulli tjetër“Rusia mbetet një fuqi detare, por vetëm bregdetare”