I pasuri i vetmuar

Shumë i pasur, por i vetmuar! “Football Leaks” zbuloi një ditë më parë kontratën faraonike të Neymar me Paris SG, ekip në të cilin përfiton mbi 3 mln euro në muaj apo 4.000 euro në orë, ndërsa sot, “El Pais” ka zbuluar një prapaskenë të bujshme pas sherrit të brazilianit me Cavanin. Sipas të përditshmes spanjolle, thuajse e gjithë skuadra është hedhur në krah të “El Matador”, me këtë të fundit që ka refuzuar edhe një bonus të majmë prej një milion eurosh, nëse shpallet golashënuesi më i mirë i kampionatit, të ofruar “cash” nga ana e presidentit Al-Khelaifi pavarësisht arritjes apo jo të objektivit, për t’ia lënë goditjet e dënimit dhe penalltitë Neymarit.
Polemika mes dy futbollistëve duket se nuk paska fund, ndërsa klubin duket se e ka shqetësuar rezultati i fundit, barazimi i PSG-së me Montpellier. Jo më shumë për atë që u mor nga fusha e blertë, sesa për pasojat e mosmarrëveshjeve të brendshme. Nga njëra anë janë futbollistët, që me përjashtim të atyre brazilianë, të gjithë të tjerët duket se mbështesin bomberin uruguajan, ndërsa nga ana tjetër drejtuesit, që për të zgjidhur problemin kanë përdorur të vetmen mënyrë që njohin më mirë: paratë.
Al-Khelaifi thuhet se ka dërguar një ndërmjetës të tijin te Cavani, për t’i ofruar një milion euro lojtarit, vetëm e vetëm që të mos ekzekutojë më goditje dënimi apo 11-metërsha. Një përpjekje kjo që ka rezultuar boshe, pasi Cavani u ka kujtuar drejtuesve se i shërben kauzës së PSG-së prej 4 vitesh dhe se është kapiteni i tretë në radhë i skuadrës.
Një vendim ky, që duket se nuk e kënaq Neymarin, i cili mungoi në sfidën ndaj Montpellier për shkak të një dhimbjeje të supozuar në këmbë. Por, të mërkurën në Paris mbërrin Bayern Munchen, për të zhvilluar ndeshjen e dytë të fazës së grupeve të Champions League. E gjithë vëmendja e opinionit sportdashës do të jetë pikërisht aty, e për më tepër nëse do të akordohet sërish ndonjë 11-metërsh, për të parë se çfarë do të ndodhë…
Në bazë të zbulimit të detajeve të kontratës së Neymar, paga e tij te Paris SG është 100 mijë euro në ditë, apo 3 milionë euro në muaj. Por, këto janë vetëm shifrat neto që përfiton futbollisti në Francë, pa përfshirë këtu bonuset, të cilat në total arrijnë në vlerën e 20 milionë eurove. Neymar fiton sot 8.5 milionë euro më shumë sesa Mesi, ndërkohë që në total, gjatë 3 viteve të tij në Barcelonë, ish-talenti i Santosit u pagua 54 milionë euro.
Sa i përket pagës së Dembele, ajo është 12 milionë euro në vit, plus një bonus prej 3.3 milionësh, nëse Barcelona fiton titullin. Për momentin, Dembele është i dëmtuar dhe do të qëndrojë rreth 3 apo 4 muaj jashtë fushës së blertë.

Artikulli paraprakBarça vetëm fiton, Valverde kërkon rekordin e Martinos
Artikulli tjetër4 sfidat për kancelariatin e ri të Merkel