Huatë me probleme rriten me 21.4% për të tretin muaj

Kreditë me probleme shënuan rritje edhe gjatë gushtit, për të tretin muaj radhazi, për të arritur në 21.44%, me një zgjerim prej 0.29 pikë përqindjeje në raport me muajin e mëparshëm, sipas statistikave mujore të Bankës së Shqipërisë. Ky është niveli më i lartë që prej majit 2015 dhe një sinjal që bizneset, që kanë dhe nivelin më të lartë të kredive me probleme, nuk po arrijnë të dalin nga kriza.
Të dhënat e detajuara deri në muajin korrik treguan se është pikërisht rritja e fortë e kredive nënstandarde (kur këstet e kredisë nuk paguhen për një periudhë nga 91 deri në 180 ditë nga data e caktuar) që ka përkeqësuar treguesin e NPL-ve. Huatë nën standarde janë kategoria e parë kur një kredi fillon e konsiderohet problematike. Kjo kategori është rritur me 68% në korrik, në raport me dhjetorin 2015 apo rreth 120 milionë euro më shumë, çka tregon se nuk është vetëm efekti i Kurum International, që shpalli falimentin në korrik dhe kishte rreth 30 milionë euro kredi në bankat shqiptare.
Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të mbikëqyrjes bankare shprehu shqetësimin për rritjen e treguesit të kredive me probleme për bizneset, sidomos atë në valutë. Huatë me probleme për biznesin vlerësoheshin në 24.4% në fund të qershorit, duke u rritur me 3 pikë përqindje në krahasim me dhjetorin 2015, ndonëse është ulur me 0.5 pikë përqindjeje në raport me një vit më parë. Më problematike është kredia në valutë. Raporti i kredive me probleme për bizneset në valutë është përkeqësuar, duke qëndruar në nivelin e 25.3% në fund të gjashtëmujorit të parë. Në të kundërt, kredia me probleme për individët është përmirësuar, duke u ulur me 2.9 pikë përqindjeje, në 12% në fund të 6-mujorit.
Në dhjetor të vitit të kaluar, treguesi i huave që nuk janë kthyer në banka të paktën për tre muaj (NPL) shënoi një rënie të fortë, duke zbritur në 18.22%, nga 22.8% që kishte qenë në dhjetor 2014. Por, më shumë se përmirësim të ecurisë së bizneseve dhe rritje të aftësisë së tyre paguese, kjo ulje reflektonte fshirjen e kredive me probleme, që kishin të paktën tre vjet që nuk ktheheshin, nga bilancet e bankave. Sipas burimeve nga Banka e Shqipërisë u fshinë rreth 23 miliardë lekë.
Banka e Shqipërisë, prej kohësh ka vënë në zbatim një plan veprimi për uljen e kredive me probleme.
Mirëpo plani aktual që po zbatohet në bashkëpunim me qeverinë rrezikon të përfshihet në ngërç, nëse miratimi i ligjit të falimentit vijon të zvarritet edhe më tej. Ky projektligj që ka më shumë se dy vite që është hartuar edhe me asistencën e Bankës Botërore, ka mbetur në sirtarët e Kuvendit.
Mosmiratimi e tij krijon vonesa në avancimin e trajtimit të 35 kredimarrësve të mëdhenj. Ligji i ri do të mund të zgjidhë ngërçin në këto biznese, duke i çuar gjysmën e tyre në faliment të sigurt dhe pjesën tjetër në strukturim.
Ekspertët në Bankën e Shqipërisë bënë me dije se banka ka gati një plan masash shtesë në rast të dështimit të ligjit të falimentit. Duke e mbajtur konfidencial planin e ri të masave, të njëjtët ekspertë thanë se ato do të diskutohen me qeverinë dhe më pas do të jenë të njohura edhe me publikun.

Artikulli paraprakBSH mban të pandryshuar normën e interesit
Artikulli tjetërSi po e radikalizon Serbia, Sanxhakun?