Hotelet e luksit do përjashtohen nga taksat në 2018, FMN, kundër

Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për turizmin, ku përcaktohen kriteret që hotelet me 4 dhe 5 yje të marrin statusin special.
Sipas projektligjit, lehtësitë fiskale i përfitojnë hotelet me 4 yje për vlerë investimi të paktën 8 milionë euro dhe për hotelet me 5 yje të jetë të paktën 15 milionë euro.
Statusi special do të jepet nga Ministria e Ekonomisë, por kriteret e tjera, procedurat dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë subjektet që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, përcaktohen nga Këshilli i Ministrave, duke i lënë fuqi të madhe në dorë këtij të fundit.
Paketa fiskale ka përcaktuar më herët se hotelet me status special do të përjashtohen nga tatim fitimi për 10 vitet e para, ndërsa hotelet me 5 yje nuk do paguajnë as taksën e infrastrukturës.
FMN është shprehur kundër këtyre lehtësive, pasi ka “Paketa Fiskale i jep fuqi të madhe për të vepruar lirisht Këshillit të Ministrave, duke reduktuar në këtë mënyrë transparencën e ligjeve të taksave. Ne e shikojmë si veçanërisht problematik faktin, që përjashtimet mund të përfshijnë shërbime të tjera përveç akomodimit të ofruar nga hotelet dhe barazinë e tyre (p.sh., “status special”) nuk rregullohen në mënyrë të qartë. Përjashtimet e propozuara mund të jenë shkak që të rriten më tej mundësitë për evazion fiskal”.
“Për ne, nuk është e qartë se si përfitimet nga taksat për hotelet do të kthehen në përfitime për Shqipërinë. Turizmi është një sektor me potencial domethënës të mëtejshëm, rritja e të cilit duket se aktualisht kufizohet nga problemet në infrastrukturë dhe dobësia në të drejtat e pronësisë. Nuk është e qartë se si përjashtimet nga taksat do të ndihmojnë për t’i lehtësuar këto kufizime”, ka deklaruar FMN.

Drafti

Drafti përcakton që Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin, jep statusin e veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, për subjektin që plotëson të gjitha kushtet e mëposhtme:
a) Është investitor në një strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, në Republikën e Shqipërisë, të çertifikuar si e tillë nga struktura përgjegjëse sipas këtij ligji.
b) Vlera e investimit është të paktën 8 (tetë) milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe të paktën 15 (pesëmbëdhjetë) milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.
Aplikimi për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” dhe marrëveshja me investitorin
Kriteret e tjera, procedurat dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë subjektet që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin.
Subjektet, që përfitojnë statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, nënshkruajnë marrëveshje zhvillimi me ministrinë përgjegjëse për turizmin, në të cilën parashikohen detyrimet e ndërsjella, afatet e realizimit të projektit, vlera e projektit, ndalimet për tjetërsimin e pronësisë së strukturave të ndërtuara apo pjesëve të tyre, si dhe pasojat nga mosrespektimi i detyrimeve të ndërsjella”.

Artikulli paraprakSi po krijohet hetuesia e diktaturës
Artikulli tjetërRaporti BE: Nga Shqipëria, kanabis, kokainë dhe tranzit për heroinën