Holandë, zgjedhje në mes të grindjes me Turqinë

Holandezët zgjedhin të mërkurën (15.03) Parlamentin e ri. Në një debat televiziv të hënën, kryeministri Mark Rutte e paraqiti veten si burrë shteti, ndërsa populisti Geert Wilders atakoi myslimanët.
Grindja me Turqinë e rriti së fundmi temperaturën politike në Holandë, nga e cila përfiton si populisti Geert Wilders, por edhe kryeministri Mark Rutte, për të cilin grindja me Turqinë mund të shihet si dhuratë zgjedhore në momentin e fundit. Ajo i dha atij mundësinë që të paraqitet si lider i fortë në fundjavë.
“Vendosëm vijën e kuqe”, tha ai për ndalimin e fjalimeve për fushatë zgjedhore të dy ministrave turq. 400.000 vetë në Holandë janë ‘qytetarë holandezë’ me origjinë turke e jo qytetarë turq, siç dëshiron Erdogani. Në të njëjtën kohë Rutte ka theksuar se po përpiqet për çtensionimin e gjendjes. Kjo mund t’i japë një hov pozitiv partisë së tij për Liri dhe Demokraci, VVD. Sondazhet e fundit e nxjerrin këtë parti si forca kryesore me 16% të votave në zgjedhje.
Por edhe para konfliktit me Turqinë, Rutte mund të flasë për suksese të qeverisjes së tij. Ai e nxori vendin nga kriza ekonomike, ekonomia është rritur me 2%, papunësia me kuotën 5% konsiderohet e ulët. Megjithatë kryeministri nuk është shumë i preferuar tek holandezët. Arsyeja kryesore për imazhin negativ të Ruttes janë disa premtime të pambajtura në mandatin e dytë. Ai premtoi më shumë shërbime sociale që nuk u bënë realitet.
Rivali politik i kryeministrit, Geert Wilders ka gjasa t’i ketë bërë llogaritë gabim me strategjinë e tij zgjedhore. Nga fundi i muajit vlerat e tij në sondazhe filluan të bien, tani partia e tij e Lirisë, PVV ndodhet 3 pikë pas liberalëve. Në fund të fushatës zgjedhore Wilders ka ndërruar strategji, duke dalë më shumë në publik. Populisti Wilders është i pari që e përdori për përfitime politike grindjen me Turqinë. Por suksesin më të madh ai e kishte në shtypin ndërkombëtar. Qindra artikuj janë shkruar për të, për të shkuarën me njolla, për burime financiare të errëta, për radikalizimin e tij vitet e fundit. Sipas sondazheve aktuale 87% e holandezëve janë kundër Wilders. Kjo nuk mjafton as për marrjen e pushtetit në Hagë e as për një lëvizje Nexit -daljen e Holandës nga BE.
Gjashtë parti holandeze mund të pretendojnë për rezultate dyshifrore në zgjedhjet e 15 marsit. Për të krijuar qeverinë do të nevojiten katër prej tyre, ndërkohë që me partinë e Geert Wilders nuk do të bëjë askush koalicion. Por negociatat e vështira për krijimin e koalicioneve qeverisëse kanë traditë në Holandë. Për një qeveri koalicioni mund të tërhiqen partitë e qendrës si D6, kristiandemokrattë, socialistët dhe të Gjelbrit.

Artikulli paraprakMyslimanët francezë ngrihen kundër xhihadistëve
Artikulli tjetërZyrtarët europianë paralajmërojnë Turqinë