Hipoteka në kaos

Nga 1 janari kanë hyrë në fuqi ndryshimet e ligjit për heqjen e tatimit 15 për qind në rast të dhurimit të një pasurie të paluajtshme brenda rrethit familjar, vetëm për një dhurim.

Por realizimi i këtij procesi po rezulton problematik në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që nuk po pajisin me certifikatë pronat që dhurohen brenda rrethit familjar.
Shkak i mosregjistrimit të pronës së dhuruar me trashëgimi, sipas shqetësimeve të ngritura nga qytetarët është se Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme komunikojnë se nuk mund të kryejnë verifikime për këtë kategori.

Ligji lejon që një individ, pavarësisht numrit të pronave që zotëron ka të drejtë të kalojë pronësinë te trashëgimtarët nëpërmjet dhurimit vetëm për një pasuri dhe nga hipotekat deklarojnë se ata nuk janë në gjendje ta verifikojnë këtë fakt.

Ndryshimet e ligjit për heqjen e tatimit 15 për qind për rastet kur prona dhurohet brenda rrethit familjar shtoi numrin e kërkesave për këtë shërbim, por edhe rriti pasigurinë e punonjësve për të vepruar.

Burime pranë Hipotekës thanë për Monitor se ngërçi vjen për arsye proceduriale. “Në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës janë përfshirë edhe punonjësit që merren me procesin e legalizimit të pronës, të cilët nuk njohin procesin e regjistrimit të saj në hipoteke. Kjo është arsyeja e moskryerjes së regjistrimit të pronave të dhuruara”.

Sipas të njëjtave burime mësohet se si rregull punonjësi i Hipotekës pas një kërkese të tillë të paraqitur nga qytetari, automatikisht kryen verifikime në regjistrat online, pasi të gjitha të dhënat janë të hedhura në sistem.

Së dyti, për të kryer verifikimet punonjësi i hipotekës i drejton kërkesë të gjitha drejtorive rajonale të regjistrimit të pasurive, për verifikim të rastit, nëse pronari ka dhuruar edhe herë tjetër pasuri të paluajtshme.

Së treti, sipas ligjit punonjësi i Hipotekës i kërkon dhuruesit të pronës të nënshkruajë një deklaratë noteriale, që kjo është e vetmja pasuri që dhuron.

“Pra nëse i lindin dyshime pas verifikiminit të rastit në dy hapat e para, e ngarkon individin me përgjegjësi penale, për të mos penalizuar një shërbim për të cilin nuk ke informacionin e duhur.

Për të kaluar në vendimarrje zgjidhje për qytetarët është të kryejnë ankesë dhe të propozohen këto zgjidhje”, shtojnë burimet.

Heqja e tatimit për kalimin e pronësisë
Kuvendi miratoi më herët ndryshimet e ligjit për heqjen e tatimit 15 për qind në rast të dhurimit të një pasurie të paluajtshme brenda rrethit familjar.

Sipas propozuesve të ligjit ndryshimi është bërë për të shmangur evazionin fiskal. “Duke parë që për apartamente, truall apo pasuri të tjera të paluajstshme po gjendej mekanizmi i dhurimit me qëllim shmangien e tatimit, në legjislacionin tatimor në udhëzimin për të ardhurat u vendos që edhe në rastin e dhurimit, pavarësisht se ku dhurohej pasuria, do të konsiderohej si shitje.

Kështu merrej vlera e pronës në tregun e pasurive të paluajtshme. Me ndryshimet ligjore të bëra në fund të vitit 2019 në paketën fiskale u parashikua që edhe dhurimi vetëm për një kategori, pra ai vetëm brenda familjes ( mes bashkëshortëve, prindit dhe fëmijës, ose mes fëmijësh) të jetë e ardhur e pa tatueshme”, ka shpjeguar për Monitor Ekonomi, Alketa Çabej, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Ajo shton se heqja e tatimit 15 për qind të vlerës së pasurisë ka disa kufizime.
“E para, nuk mundet që i njëjti person të përfitojë disa herë nga dhurimi i pasurisë së paluajtshme. Pra nëse prindi dhuron tek fëmija një pronë vetëm në këtë rast ai është i përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurën personale. Për kalimin për herë të dytë apo më shumë do të konsiderohet njësoj si shitje. Pra me këtë ndryshim ligjor ne kemi vetëm një përcaktim, atë të dhurimit brenda familjes.”

Sipas noterëve ligji i mëparshëm krijonte hapësira për abuzime, ndërsa heqja e tatimit me vlerën 15% ka një impakt më tepër social.

“Shumë herë prindërit kanë dashur që t’u dhurojnë fëmijëve një pasuri, por nuk e realizonin dot prej pagimit të tatimit dhe kjo dëshirë realizohej vetëm pas vdekjes së tyre. Por në vetvete kjo sillte shumë probleme pasi në këtë rast kemi të bëjmë me trashëgimi e cila ndahet në mënyrë të barabartë për të gjithë fëmijët.

Ka pasur raste ku pavarësisht se prindi dëshironte që t’i dhuronte pronën fëmijës, shpeshherë e kthenin në kontratë shitje në mënyrë që të mos mbetej zero vlera e pasurisë. Gjatë praktikës ka pasur goxha devijime, prandaj edhe mendoj që ky ligj i ri i ka dhënë një zgjidhje shumë të drejtë”, shprehet Mimoza Sadushaj, kryetare e Dhomës së Noterëve.

Artikulli paraprakKoncesioni 106 milionë euro i laboratorëve: KLSH: Shtohen më tej paratë, rrezikohet…
Artikulli tjetërIdeja për Guardiolën dhe Messin, reagon presidenti i Juventusit