Hija e profetëve të krizës

 

“Monitor”

Në Shqipëri, aftësia për të krijuar ngërçe dhe kriza po bëhet profetike. Zotëruesit politikë të kësaj dhuntie ndodhen në të gjithë “vathët”.
Në fund të janarit, opozita do të protestojë në rrugë dhe që prej asaj dite do të fillojë të mbajë një marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin. Opozita thotë se krimi ka kapur pushtetin, por përtej këtij konstatimi klishe, nuk është bërë deri tani e qartë se me çfarë mjetesh dhe mënyrash, pakica kërkon t’i ndryshojë gjërat dhe për këtë arsye, kauza mbetet e abstenuar. Me aq sa është shpjeguar deri tani, duket si një rrugë e përshkuar një herë dhe publiku e kupton se po afron një tjetër ngërç politik. Do të vijojë kjo deri në krizë politike si me çadrën e vitit të kaluar??
Ndërkohë, qeveria dhe mazhoranca, në këto 100 ditë të para pas ardhjes në pushtet, nuk kanë asnjë rezultat domethënës për t’u shënuar. Duket e qartë se ka një vakum idesh dhe ndërhyrjet deri tani janë periferike. Kjo ishte e pritshme, pasi në zgjedhjet jo aq shumë të largëta të qershorit të kaluar, nuk u prezantua një program dhe u stisën dëgjesa butaforie pas fitores të tipit “çfarë do populli bën partia” që vijojnë edhe sot, edhe pse janë çështje të rëndësishme si arsimi.
Kjo mënyrë prodhoi stërkëmbësha në të gjithë ambientin shqiptar, duke i dhënë përmasa më të mëdha krimit dhe vetëm një rritje ekonomike të vogël që sot nuk ndihet, por po kërcënohet nga mungesa e investimeve të reja.
Ky lloj ambienti bosh politik duhej mbushur me veprime impulsive që lidhen me disa prioritete që kërkojnë të plotësohen dhe janë gurë të rëndë kilometrikë për të ardhmen e shqiptarëve, të cilët janë: integrimi, ndryshimi i trendit të politikave ekonomike dhe drejtësia.
Në qershor, vendi ka rastin e artë që të marrë përgjigjen pozitive për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE, por nëse tensioni politik rritet, e shkuara ka treguar se negociatat janë shtyrë dhe parakushtet janë shtuar.
Në ekonomi, edhe pse është fillimi i vitit, pesimizmi i trashëguar nuk ka gjasa të zbehet. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë treguan se indeksi i besimit ka rënë, gjithashtu edhe kapacitetet prodhuese në ekonomi kanë zbritur nën 70 për qind. Rritja e ndërtimit nuk mjafton për të prodhuar punësim dhe konsum. Ndërkohë, qeveria duket se i ka shuar shpresat për të ndërhyrë nga krahu stimulues.
Edhe Reforma në Drejtësi po lëviz aq ngadalë dhe është futur nëpër disa udhë të dyshimta, sa është e vështirë të kuptosh përparimin. Duke u bazuar në këto tre probleme, përveç politikës, të gjithë mendojnë se vendi ka nevojë për qetësi dhe stabilitet të fortë. Me sjelljen e këtyre ditëve po shikojmë se vendi, në vend të përparojë drejt “ditës”, po zhvendoset drejt “natës”.
Por një shprehje e mençur thotë:
“Në dritë të gjithë të ndjekin, në errësirë nuk të ndjek dot as hija jote”.

Artikulli paraprakBasha dënon vrasjen e Ivanoviç
Artikulli tjetërLindja e ekonomisë spekulative