Higuain: De Laurentiis më shtyu drejt Juves

I emocionuar, i veshur shik dhe pa u kursyer me fjalët. Kështu u prezantua Gonzalo Higuain në konferencën e shtypit me Juventusin. E pamundur të evitoheshin pyetjet mbi Napolin dhe presidentin De Laurentiis, por Higuain është një ndër ata që nuk bëjnë pas, përkundrazi.
“Kam qëndruar në heshtje gjithë këto ditë. Ishin tri vite të mrekullueshëm dhe nuk mund të bëj tjetër veçse të falënderoj për gjithë dashurinë që më kanë dhënë, por bëra këtë zgjedhje për motivet e mia. Tani mendoj vetëm për Juventusin, e kuptoj që janë të nxehur me mua, kam parë edhe fyerje, por ishte një zgjedhje që duhej ta bëja dhe jam i lumtur për këtë. Sarri ishte një trajner i madh për mua, nëse është nxehur pasi ika pa e përshëndetur kërkoj falje. De Laurentiis? Largimi ishte një zgjedhje e imja, por më shtyu ai ta bëja, falënderoj tifozët dhe shokët e mi të skuadrës, jo De Laurentiis. Nuk kisha më një raport me të, nuk doja të qëndroja më asnjë minutë me të”, u shpreh Higuain.
Napoli është e kaluara, pasi e tashmja dhe e ardhmja mban emrin e Juventusit, me Higuain që u shfaq vërtet i lumtur për këtë transferim. “Është një skuadër fituese me një projekt të jashtëzakonshëm, falënderoj drejtuesit që bënë një sforco të madhe, tani dua t’iu tregoj atyre që bënë mirë që më morën duke bërë një sezon të madh”, tha ai.
Fakti që është lojtari i blerë më shtrenjtë në gjithë historinë e Juventusit duket se nuk e tremb aspak argjentinasin. “Për mua është një gëzim i madh, shpresoj ta shfrytëzoj këtë rast dhe të tregoj se ia ka vlejtur. Në jetë duhet të bësh zgjedhje, nuk ishte e lehtë, por i thashë po Juves, pasi është një klub i bindur për të fituar dhe mund të arrijë çdo objektiv, edhe Championsin. Triumfi i trefishtë duhet të jetë një objektiv për një skuadër të mësuar me fitoret, një ëndërr për të cilën duhet të punojmë shumë”, tha Higuain.
Higuain ka zgjedhur fanellën me numrin 9, por lojtari i preferuar i Juventusit të së kaluarës për të është Del Piero. “Kur isha në Madrid më pëlqente shumë, shikoja gjithmonë Juventusin për të parë atë. Dybala është një mik, kemi folur dhe do të jetë mirë të luaj me të. Mandzukiç? Konkurrenca nuk është një problem, kur isha te Reali aty ishin Raul e Van Nistelroooy. Totti ka folur për mercenarë? Mund të them që është futbollist i madh, nuk kam përgjigje për të, kjo ishte një zgjedhje e imja dhe jam i lumtur”, përfundoi argjentinasi.
Sezonin e kaluar, Higuain shënoi 36 gola në Serinë A me fanellën e Napolit, skuadër e cila në fund të kampionatit u rendit në vendin e dytë, ndërkohë që Juventusi fitoi titullin e pestë radhazi. Në vitin 2013 ai u transferua nga Reali i Madridit te Napoli, për ta lënë atë në verën e këtij viti. Juventusi pagoi për kartonin e Higuain vlerën prej 94 milionë eurosh që përbënte klauzolën e kontratës së futbollistit me Napolin.

Artikulli paraprakShkëndija në histori
Artikulli tjetërAbrashi gati për sezonin me Fraiburgun