Heroi i fundit i Rusisë

Oliver Carroll

Nuk ishte një video profesionale që mund të pritet nga kandidatë për president – kostumi i rrinte keq dhe cilësia e kamerave ishte mjaft e dobët – megjithatë vetë shfaqja e saj në mes të dhjetorit ishte një fitore më vete. Për të qëndruar larg rrezes së radarëve të shërbimit të sigurisë rus, vendndodhja ishte rezervuar në momentin e fundit dhe videoja ishte xhiruar në një dhomë hoteli. Nga një pozicion tepër i dobët, Alexei Navalny, kritiku më i ashpër i Kremlinit, arriti të pozicionohet në fushatën presidenciale të Rusisë në vitin 2018 dhe e prezantoi veten si kandidat të mundshëm kundër Vladimir Putinit.
Por edhe pse Navalny shfaqi hapur ambiciet e tij kundrejt zgjedhjeve të marsit 2018, ka shumë pak gjasa që ai të lejohet të garojë përkrah Putinit. Forcat natyrisht janë vënë menjëherë në lëvizje kundër tij. Një kompani teknologjie në Moskë ka bllokuar faqen e tij të mbledhjes së fondeve, ndërsa figurat e larta të Kremlinit thonë se nuk e marrin as në konsideratë si kandidat të vlefshëm, duke cituar akuza të diskutueshme kriminale kundër tij, të cilat sipas ligjit rus nuk e lejojnë të kandidojë.
Edhe pse Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut e ka shpallur të jashtëligjshëm vendimin e dhënë kundër Navalny, gjyqi u rihap menjëherë pas deklarimit të kandidaturës së tij. Vendimi i ri pritet ta mbyllë këtë “siklet” njëherë e përgjithmonë.
“Unë e di që gjërat nuk do të zhvillohen në mënyrë të drejtë”, ka thënë Navalny për “Foreign Policy” gjatë një interviste në fillim të muajit janar. I veshur me atlete dhe xhinse, ish-avokati dhe aktivisti antikorrupsion, tashmë politikan i opozitës, u përpoq shumë të shfaqte një sjellje sa më të qetë. “Gjatë karrierës time, më është dashur gjithnjë të përballem me çështje kriminale të sajuara kundër meje. Kjo është metoda e preferuar e Kremlinit”.
Vendimi i Navalny-t për të kandiduar si president – hera e parë që guxon ta bëjë – e vendos atë nën shënjestrën direkte të Kremlinit. Opozitari politik ka arritur t’i bëjë ballë presionit të autoriteteve dhe ka arritur të shpëtojë nga procedimet ligjore të mëparshme pothuajse i padëmtuar. Por duke pasur parasysh tendencën gjithnjë e më autoritare të Rusisë pas vitit 2011, basti i tij i fundit mund të kthehet shpejt në një veprim kamikaz. Ndoshta kjo është përpjekja e fundit e një burri që ndihet i vënë me shpatulla pas murit.
Pavarësisht problemeve të tij, Navalny këmbëngul duke pretenduar se nuk është disident. “Ja ku ndodhem në një zyrë të këndshme në mes të Moskës, duke pirë kafe dhe duke mos u fshehur nga askush”, thotë ai. “Nuk e kuptoj përse duhet të frikësohem. Le të frikësohen ata prej meje. Përse duhet t’ia dorëzoj vendin tim një grupi mafioz, gangsterëve ordinerë të Shën Petërsburgut që arritën t’i hedhin hi syve të alkoolizuarve të Yeltsinit?”, thotë Navalny duke iu referuar mënyrës se si është ngjitur në pushtet Putini dhe rrethi i tij i ngushtë në fund të viteve 1990. Deklarata e kandidaturës është sipas tij një mënyrë për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të Rusisë, pavarësisht pasojave. “Ata duan që të gjithë të luajnë sipas rregullave të tyre kriminale, por unë nuk jam një burrë që mund të qëndrojë në heshtje, edhe nëse rrethohem nga burra të egër me helmeta në kokë”.

Lindja e një ylli
Sfida e parë e Navalny-t kundër Kremlinit nisi në dhjetor të vitit 2011. Atëherë ai u ngrit si figurë qendrore e lëvizjes opozitare që lindi pas zgjedhjeve parlamentare të kundërshtuara. Ai i ngjiti shkallët politike me slogane që u bënë të famshme për ofendimet kundër Partisë së Rusisë së Bashkuar si “partia e mashtruesve dhe hajdutëve”, e cila më pas u kthye në sloganin e lëvizjes. Por ishte vendimi i tij kurajoz për të drejtuar ndjekësit në marshimin kundër Kremlinit natën pas 4 dhjetorit 2011, ai që e katapultoi menjëherë drejt lidershipit.
Megjithatë, në fund lideri i opozitës nuk arriti ta shfrytëzojë momentin. Kur lëvizja e protestuesve filloi të zbehej gjatë gjysmës së parë të vitit 2012, të njëjtin fat ndoqi edhe figura e tij. Me Putinin e “rikthyer” në pushtet, Kremlini rigrupoi, shtypi dhe gjeti mënyra të reja efektive për të trajtuar armikun e tij problematik.
Këtu filluan një nga një problemet ligjore pa mbarim të Navalny-t. Paditë ishin nga më të ndryshmet dhe më të çuditshmet. Atë e akuzuan se kishte vjedhur një poster, se zotëronte një blog ekstremist apo si i kishte përfituar ilegalisht kredencialet e tij si avokat. Një nga kompanitë e tij thuhej se kishte vjedhur asete nga një parti opozitare liberale dhe e akuzuan se kishte mashtruar drejtuesit e Kirovles, një kompani e lëndëve të drurit në qytezën e vogël të Kirovit. Kjo është çështja që me shumë gjasa do të përdoret kundër tij për ta tërhequr Navalny-n përsëri në gjykatë dhe për të mos ta lejuar të kandidojë në zgjedhjet e vitit 2018.
Numri i pafund i çështjeve ligjore e ka mbajtur Navalny-n të zënë dhe pikërisht ky ka qenë qëllimi i tyre. Megjithatë kishte një periudhë kohe kur mendohej se burgosja e tij do të ishte e pashmangshme, por situata ndryshoi me çështjen e Kirovles në vitin 2013 kur një gjykatës e dënoi me 5 vjet punë të detyruar. Ky do të kishte qenë fundi i historisë së Navalny-t, diçka mëse e zakontë në historinë e Rusisë moderne.
Megjithatë, fati e ndihmoi kur 30 mijë qytetarë të Moskës rrezikuan arrestimin për të protestuar kundër vendimit. Policia, e cila ishte përgatitur të përballej vetëm me një dorë mbështetësish, u gjend e papërgatitur dhe Kremlini u detyrua të tërhiqej. U miratua rekursi në apel dhe një ditë më pas, Navalny i hipi trenit nga Kirov për të shkuar në Moskë. “Vendimi për të më liruar erdhi nga lart. Kur panë sa njerëz ishin mbledhur, ata do të kenë menduar se do të rikthehej situata e viteve 2011-2012 dhe janë panikuar”, thotë Navalny.
Gjatë verës së vitit 2013, ai vendosi të kandidojë për kryetar të Bashkisë së Moskës, duke garuar kundër besnikut të Putinit, Sergei Sobyanin. Në fund Kremlini e la Navalny-n të kandidojë, duke parashikuar se nuk do të kishte gjasa të mblidhte vota në zgjedhjet lokale të kontrolluara. Vycheslav Volodin, personi përgjegjës për mbikëqyrjen e politikës së brendshme pas lëvizjes së protestuesve u soll ashpër me të. “Ai tha se kur heroi i internetit, Navalny, të përballet me realitetin, do të kuptojë se nuk mund të presë më shumë se 6 apo 7 për qind të votave”, kujton Navalny.
Por lideri opozitar tregoi se Volodini gabohej rëndë. Mijëra vullnetarë u regjistruan për të përhapur mesazhin tek populli, pushteti i jashtëzakonshëm i internetit u shfrytëzua në maksimum dhe Navalny punoi shumë në terren duke kryer qindra takime elektorale. Sipas rezultateve zyrtare të diskutueshme, Navalny fitoi 27 për qind të votave në raundin e parë. Për një yll të ri pa mbulim mediatik, kjo ishte një arritje e madhe. Navalny thotë se fletët e votimit janë numëruar keq për të mos lejuar zhvillimin e raundit të dytë të votimit dhe nëse raundi i dytë do të zhvillohej, ai beson se do të kishte fituar.

Më shumë probleme
Mesa duket, ai nuk ishte i vetmi që mendonte kështu. Pak pas arritjes së tij të madhe në zgjedhjet lokale, lideri i opozitës u dënua me arrest shtëpie dhe iu ndalua komunikimi me mediat. Pak më shumë se një vit më pas u përball me një tjetër çështje ligjore kontradiktore në të cilën akuzohej për mashtrimin e një nënkontraktori të firmës kozmetike Yves Rocher, por këtë radhë, vëllai i vogël i Navalny-t, Oleg, ishte paditur gjithashtu. Si në një dramë shekspiriane, autoritetet dënuan Olegun dhe liruan vëllain e tij Alexei.
“Ishte diçka e paprecedent, edhe për standardet e Putinit”, thotë Ilya Yashin, ish-koleg i Navalny-t në partinë Yabloko. Ndërkohë që figurat opozitare janë përndjekur dhe dënuar shpesh, familjet e tyre zakonisht nuk janë përzier në çështje. Kur oligarku Mikhail Khodorkovsky u lirua nga burgu, për shembull, ai falënderoi Putinin për faktin që nuk kishte përndjekur familjen e tij.
Për Navalny-n, mesa dukej, autoritetet i kishin kapërcyer limitet. “Nuk ka lojë të ndershme këtu. Vëllai i tij është në burg, ndërsa bizneset dhe shtëpitë e prindërve të tij janë duke u kontrolluar. Navalny-n e ndjekin kudo, gruan e tij e ndjekin kudo, madje zyrtarët e sigurisë ndjekin edhe fëmijët e tij”, thotë Yashin. “Ky është një lloj presioni ndaj të cilit jo të gjithë mund të mbijetojnë”.
Navalny nuk ishte lideri i parë të opozitës që u detyrua të bënte kompromis me Kremlinin apo që detyrohej të largohej nga vendi. Por kundërpërgjigjja e tij e deritanishme ka qenë kundërshtimi i autoriteteve ruse. Ai ka deklaruar, të paktën publikisht, se nuk ka ndërmend të respektojë ato që i quan ligje të padrejta dhe kriminale. Pak pasi vëllai i tij u dënua me burg, ai grisi vendimin e tij të arrestit të shtëpisë dhe nisi takimet në metronë e Moskës. Kandidatura e tij për president është gjithashtu një sfidë kundër normave të pranuara.

Një idiot i dobishëm?
Rezistenca e Navalny-t i ka shtyrë disa brenda opozitës të pyesin veten nëse ai nuk është ashtu siç hiqet. Janë përhapur teori konspiracioni që pretendojnë se opozita është kthyer në diçka të dobishme për Kremlinin. Në fund të fundit, shumë pak individë kanë arritur të kritikojnë hapur figurat më të larta të Kremlinit dhe kanë mbijetuar për të pirë kafe në zyrën në mes të Moskës. Sergei Magnitsky, një avokat që ka folur për çështjen e korrupsionit ka vdekur. Ish-zv.kryeministri Boris Nemtsov, i vetmi lider karizmatik i opozitës, është vrarë përpara syve të Kremlinit, ndoshta nga ndonjë grup që kërkonte t’i bënte përshtypje Putinit. Më 2 shkurt, aleati i Nemtsov, Vladimir Kara-Murza, u shtrua në spital pas një helmimi. Nën sistemin anarkik të Rusisë të përndjekjes shtetërore, rreziqet fizike që i kanosen individëve që refuzojnë të luajnë sipas rregullave, janë po aq akutë sa në kohën pas vdekjes së liderit sovjektik, Josef Stalin në vitin 1953.
Navalny e refuzon me përbuzje akuzën se mund të jetë në sintoni me qeverinë – në fund të fundit, vëllai i tij vazhdon të jetë në burg. “Kremlini i merr vendimet në bazë të asaj që mund dhe nuk mund të bëjë në një kohë të caktuar”, thotë ai. “Ndoshta kam pasur fat gjatë viteve 2009-2010, kur nuk isha shumë i famshëm. Më pas u bë e vështirë të më fusnin në burg. Tani paradigma ka ndryshuar. Jemi në luftë. Jemi duke rrëzuar avionë me civilë në bord”.
Këshilltari politik Gleb Pavlovsky – një ish-disident, i cili më pas zgjodhi rrugën e bashkëpunimit me autoritetet duke u bërë këshilltar i Kremlinit – sugjeron se Navalny është duke luajtur një lojë të kontrolluar. “Ai e kupton mirë se Putini po e shikon, në një mënyrë ndryshe nga sa shikon liderët e tjerë të opozitës si Kasparov apo Khodorkovsky”, thotë Pavlovsky. “Ekziston një korridor ndërmjet asaj që lejohet dhe nuk lejohet dhe në njëfarë mënyre, Navalny është duke shkelur vetëm rregullat e volitshme”.
Megjithatë, lëvizja e tij për të kandiduar në zgjedhjet e vitit 2018 i ka vënë në test limitet. Kremlini ka shumë karta nën mëngë për t’i përdorur kundër tij. Edhe nëse nuk e fusin në burg, Navalny ka shumë pak gjasa ta zgjerojë mbështetjen e tij përtej Moskës dhe Shën Petërsburgut. Në një kohë me pengesa të mëdha ekonomike, Kremlini nuk ka asnjë interes të eksperimentojë me liberalizimin e sistemit apo t’i japë Navalny-t një shans. “Rusinë e sotme nuk e krahason dot as me Rusinë e vitit 2011. Krahasimet më të mira janë me Bjellorusinë, Kazakistanin apo Zimbabuen”, thotë Navalny. “Unë mendoj se koha po kalon dhe situata sa vjen e përkeqësohet për ne”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakKush i furnizoi lajmet e luftës?
Artikulli tjetërRruga e Re e Mëndafshit dhe interesat e Kinës