Helmimi/ Nxënësit e gjimnazit “Janaq Kilica” nxirren fshehurazi për ajrosje në oborrin e pasëm

Një numër i madh nxënësish të gjimnazit “Janaq Kilica” në Fier kanë ndjerë sërish probleme shëndetësore mëngjesin e sotëm pasi u futen në klasa, ndërkohë që dje u helmuan 60 të tjerë.

Fill pas kësaj, në shkollë kanë shkuar dy autoambulanca duke nxjerrë me barrelë një nxënëse.

Gjithçka ka ndodhur në sytë e gazetarëve dhe prindërve që kishin shkuar pranë shkollës për të parë rinisjen e mësimit pas ditës së djeshme.

Ajo që panë i ka shqetësuar edhe më tepër ata duke tentuar të futen në ambientet e shkollës për të parë me sytë e tyre fëmijët.

Të penguar nga mësuesit, drejtoresha e DAR dhe policët, prindërit janë konfliktuar me ta duke mos besuar versionin se mësimi po vijon normalisht.

Në një prononcim për gazetarët, drejtoresha e DAR, Yllka Beci është shprehur se mësimi vijon normalisht duke pohuar se studentja që u dërgua me autoambulancë kishte probleme të tjerë shëndetësore që nuk lidheshin me helmimin.

Por, gazetarja e Abc News Valbona Davidhi ka siguruar një video të nxenësve të cilët janë nxjerrë fshehurazi për ajrosje nga pjesa e pasme e shkollës, gjë që konfirmon se mësimi nuk vijon dhe se të rinjtë ndjejnë probleme nëse futen brenda.

Abcnews.al mëson se DAR Fier i ka dhënë të njëjtin version, pra se mësimi vijon normalisht, Ministrisë së Arsimit pas interesit në lidhje me atë që po ndodhte në Fier.

Artikulli paraprakShpërthen banori i Astirit: “Nuk më del shpirti pa e parë Edi Ramën”…  
Artikulli tjetërBebe Rexha u premtoi ndërtimin e shtëpisë, flet kryefamiljari: Këta duan lekë, nuk japin leje…