Haradinaj: Kosova s’është gati t’a miratojë demarkacionin

“Tema e demarkacionit është një fazë ku Kosova procedon me rregullativën e vet politike. Ne do t’i drejtohemi vendit fqinj kur të kemi një qëndrim më të qartë të të gjeturave tona”, ka thënë Haradinaj në Tiranë. “Kosova ka një traditë të mirë të bashkëpunimit me popullin e Malit të Zi, por edhe Kosova ka qenë shumë e kujdesshme në momente kyçe të këtij shteti”, ka thënë ndër të tjera shefi i ekzekutivit kosovar, shkruan Gazeta “Express”. Ndryshe, Ramush Haradinaj në ditën e parë të punës ka shkarkuar Komisionin Shtetëror për Demarkacion, për të emëruar një komision të ri që të nxjerrë raportin për shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Haradinaj ka siguruar se do të ruhen marrëdhëniet e mira fqinjësore me popullin e Malit të Zi. “Kosova ka një traditë të mirë të bashkëpunimit dhe ndjenja të mira me popullin e Malit të Zi. Këto 20 vitet e fundit, populli i Malit të Zi nuk është korit me Kosovën, me shqiptarët edhe në kohërat e vështira të krizës, por edhe Kosova ka qenë shumë e kujdesshme nëpër momentet kyçe të Malit të Zi, përfshirë edhe pavarësimin dhe momentet e tjera dhe i gëzohemi sukseseve të Malit të Zi. Tema e shënjimit të kufirit Kosovë-Mal i Zi, është në një situatë ku Kosova po procedon në përputhje me rregullativën e vet, në përputhje me obligimet politike që ka. Kur kemi një situatë të re, me siguri që do t’i drejtohemi vendit fqinjë, pra kur kemi një situatë më të qartë të të gjeturave tona. Deri atëherë, besoj që të gjithë mund ta çojmë një porosi, se interesimi ynë është që këto marrëdhënie të mira me Malin e Zi t’i forcojmë”, ka thënë Kryeministri Haradinaj. Agjencia e lajmeve AP ka shkruar dje se, Kryeminisrti i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ende nuk ka caktuar një afat të qartë kohor për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit me vendin fqinj. Këtë lajm e kanë publikuar edhe mediat prestigjioze botërore si “Washingon Post” dhe “ABC News”, transmeton Gazeta “Express”. “Kryeministri Ramush Haradinaj tha të mërkurën në Shqipëri, në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit, se qeveria e tij po punon për ta zgjidhur demarkacionin dhe se do të fillojë të bisedojë me Malin e Zi ‘kur të kemi të gjetura më të qarta për këtë çështje’”, shkruan agjencia e lajmeve AP, lajm ky i publikuar edhe në gazetën “Washington Post”. Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi ishte nënshkruar më 2015. Brukseli ka vendosur këtë marrëveshje si kusht për t’i listuar qytetarët e Kosovës në vendet që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në zonën Shengen. Ndërsa, media amerikane “ABC News”, ka cituar ministrin e ri të Jashtëm të vendit, Behgjet Pacolli, i cili ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi “është i pamundur për momentin”. “Ministri Behgjet Pacolli tha të martën në Mal të Zi se ‘ne kemi vështirësi…përbërja në Parlamentin tonë është mjaft e komplikuar dhe ratifikimi i marrëveshjes është i pamundur për momentin’”, shkruan “ABC News”, transmeton “Express”.

Artikulli paraprakKushtet e vështira në maternitetin e Lezhës rrezik për shëndetin e nënave dhe të porsalindurve
Artikulli tjetërPse policia mbajti të fshehtë sulmin me antitank në 6 gusht