Pse policia mbajti të fshehtë sulmin me antitank në 6 gusht

Ngjarje e datës 18 shtator në tregun Agro-Ushqimor të qytetit të Elbasanit, ku u godit nga një automjet i blinduar makina e nëndrejtorit të Policisë së këtij rrethi, e ka zanafillën më herët. “ABC News”, ka siguruar në mënyrë ekskluzive, foton e një makine të djegur në qytetin e Elbasanit, e cila sipas policisë dyshohet se u përdor mbrëmjen e 6 gushtit për të qëlluar me antitank, drejt banesës së familjes Çapja. Siç duket edhe nga fotoja, makina nuk është shkrumbuar plotësisht, duke lënë gjurmë brenda në kabinë, të cilat janë të vlefshme për ekspertët e Policisë Shkencore.
Automjeti luksoz, një BMW X3, sipas efektivëve blu, ishte vjedhur në qytetin e Durrësit në fillim të gushtit, teksa rezulton pronë e një drejtuesi lokal të atij qytetit. Fillimisht, automjetit iu ndryshohen targat në unazën lindore të qytetit dhe më pas atentatorët përshkojnë të gjithë gjatësinë e saj, deri kur mbërrijnë tek objektivi.
Fatmirësisht, predha e antitankut, një armatim i rëndë lufte nuk ka shpërthyer. Ai u gjet nga Policia në oborrin e shtëpisë dhe u çmontua nga forcat xheniere. Vetëm pak çaste pas ngjarjes, automjeti i vjedhur në Durrës u gjet i djegur afër Spitalit Psikiatrit “Sadik Dinçi”, rreth 500 metra larg vendit të ngjarjes.
E gjithë kjo histori e denjë për filmat hollivudian u mbajt e fshehtë nga organet e rendit. Blutë e Elbasanit nuk dhënë asnjë njoftim në komunikatën e përditshme, siç ndodh rëndom për ngjarje me arrestime të drejtuesve të automjeteve në gjendje të dehur, apo motoçikletë pa dokumenta.
Menjëherë për këtë ngjarje të rëndë, Prokuroria urdhëroi që nga data 11 deri më 26 gusht të mbaheshin nën përgjim, ambiental, fotografik, filmik dhe me audio, Sokol Sanxhaktari, Enea Bekteshi dhe Kelmend Xhaferri. Ky i fundit u prangos në tregun Agro-Ushqimor, pasi lëvizte gjatë gjithë kohës me eskortë, ndërsa për dy të tjerët Policia nuk jep asnjë të dhënë. Në momentin e prangosjes, Xhaferri kishte në përdorim një automjet tip “Range Rover”, ndërsa pas tij qëndronte një “Audi A8” i blinduar.
Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë së Elbasanit për të mbajtur nën mbikëqyrje personat e lartpërmendur, Policia e Shtetit ka kthyer këtë përgjigje në organin e akuzës. “Nga ana e Sektorit të Forcës së Posaçme, nisur nga dinamika e madhe me shërbime në funksion të procedimeve penale në ndjekje dhe numrit të limituar të ndihmës së specialistëve si pasojë e ndjekjes së grafikut të pushimeve vjetore, është e pamundur kryerja e veprimeve të vëzhgimit të fshehtë të personave dhe mjediseve në këtë periudhë kohore”.
Aktualisht, pas hekurave për ngjarjen e 18 shtatorit qëndroi, Ledio Zabeli dhe roja i objektit të tregut, Valmir Dedja. Ndërsa ndaj Kelmend Xhaferri, Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi qëndrim me arrest shtëpie. Pritet që dosja të delegohet në vazhdim Prokurorisë së Elbasanit, pasi nuk ka elementë që të gjykohet nga Krimet e Rënda.

Artikulli paraprakHaradinaj: Kosova s’është gati t’a miratojë demarkacionin
Artikulli tjetërBanorët e Shkozës: Na shkatërrun jetën jo shtëpitë