Haradinaj kërkon votën e deputetëve

Mandatari për formimin e qeverisë së re të Kosovës, Ramush Haradinaj do të përballet të shtunën me votimin në Kuvendin e Kosovës për kabinetin qeverisës, i cili sipas Kushtetutës, do të marrë besimin për qeverisjen e vendit për katër vitet e ardhshme.
Seanca është caktuar për pasdite, nga ora 16:00. Zgjedhja e qeverisë kërkon mbështetjen prej të paktën 61 deputetëve.
Ndonëse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka paralajmëruar mbajtjen e seancës për votimin e qeverisë së re të Kosovës, për ditën e shtunë, Haradinaj, ende nuk i ka emrat e atyre që do të jenë pjesë e kabinetit qeveritar.
Të paktën, kështu ka deklaruar vetë zoti Haradinaj, i cili ka thënë se ende nuk i ka emrat e ministrave, të cilët do t’i drejtonin dikasteret në qeverinë e tij.
“Jemi duke i bërë përgatitjet për seancë, për nesër (e shtunë). Seanca mund të jetë pasdite. Besoj që jemi në rregull me përgatitjet. Është traditë – unë e kam bërë këtë edhe në vitin 2004 – që kur e thërret seancën, në këtë rast grupi parlamentar, seancën për qeverinë, për programin qeverisës, që me kërkesën së bashku të dorëzohet edhe një program. Por, ky nuk është program i PAN-it, sepse ai bëhet pas një kohe dhe i prezantohet Parlamentit, shoqërisë dhe të gjithëve, por vetëm qëllimet qeverisëse, si dhe lista e kabinetit. Jam duke e plotësuar, por kam vështirësi, sepse nuk m’i kanë sjellë ende krejt emrat”, tha Haradinaj.
Në qeverinë e re, pritet që dikasteret të drejtohen nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, Aleanca Kosova e Re, Lista Serbe dhe komunitetet e tjera pakicë.
Partia Demokratike e Kosovës, kryesia e së cilës ka mbajtur mbledhje të premten, ka paralajmëruar se në mbrëmje, i dorëzoi zotit Haradinaj emrat e ministrave nga kjo parti.
Lideri i kësaj partie, Kadri Veseli ka thënë se emrat do të publikohen shumë shpejt.
“Do të jenë njerëz që kanë kapacitete morale dhe intelektuale dhe në të njëjtën kohë nuk kanë asnjë pengesë ligjore apo etike që të jenë ministra”, tha Veseli.
Në anën tjetër, Lista Serbe, një ditë më parë ka theksuar se lidhur me pjesëmarrjen në qeverinë e Kosovës do të konsultohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, si dhe me shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç.
Por, i mandatuari për krijimin e qeverisë së re të vendit, Haradinaj, ka theksuar se në vend tashmë është krijuar një traditë e bashkëpunimit me serbët e Kosovës dhe pret që kjo traditë të vazhdojë edhe me Listën Serbe.
“Kjo traditë është e mirë në Kosovë. Çdo qeveri e formuar ka bashkëpunuar me të zgjedhurit e serbëve. Edhe unë jam i hapur të bashkëpunoj me Listën Serbe, pra, me të zgjedhurit e komunitetit serb, sikurse edhe me komunitetet e tjera. Është një komunikim korrekt, por nuk mund të flas për ndonjë epilog tani”, tha Haradinaj.
Sidoqoftë, krijimit të qeverisë së re, i është hapur rruga pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit në seancën e ditës së enjte. Kjo seancë ishte vazhdimi i shtatë i seancës, e cila kishte nisur më 3 gusht. Deri ditën e enjte, koalicioni PAN-nuk kishte arritur të siguronte votat e nevojshme për zgjedhjen e Kadri Veselit në postin e kryetarit të Kuvendit, si dhe nënkryetarëve të tij, në mënyrë që ta përfundonte procesin e konstituimit të legjislativit.

Artikulli paraprakBerisha-Falenski: Duhet opozitë e fortë ndaj një mazhorance të kapur
Artikulli tjetërTillerson: Riorganizim në Departamentin e Shtetit