Grabitet makina e nënkryetarit të Bashkisë Fushë-Arrëz

Një tjetër grabitje ka ndodhur në Fushë-Arrëz. Ende pa u zbuluar vjedhja e automjetit të shefit të Tatim Taksave në bashki, thyerja e disa banesave dhe një servisi celularësh pak ditë më parë, së fundmi janë vjedhur dy automjete të shtrenjta. Pre e grabitjeve ka rënë dhe automjeti i nënkryetarit të Bashkisë, Ndue Doda, një “Benz” i kushtueshëm “C Class” që në pamundësi për ta vjedhur, hajdutët ia kanë “çmontuar” pjesët e shtrenjta.
Vjedhja e makinave dhe banesave është kthyer në një fenomen që po përsëritet hera-herës në Fushë-Arrëz dhe banorët kanë ankesa dhe flasin me rezerva për punën e policisë. Sipas tyre, qyteti i vogël verior është kthyer në një qytet për “internime” policësh, të cilët kanë ardhur nga Shkodra, Tirana e zona të tjera dhe jo vetëm që nuk njohin terrenin, por shpesh dhe nuk duan t’ia dinë për atë çfarë po ndodh.
“Janë vjedhur disa banesa, u thye dyqani i celularëve në mes të qytetit, po vidhen makina herë pas here dhe sërish nuk dihet çfarë po ndodh”, tregojnë qytetarët. Një nga banorët e vjetër të Fushë Arrëzit shprehet se në qytetin ish-industrial po mbizotëron frika dhe pasiguria tashme edhe në familje.
“Për mua ka diçka që nuk shkon me rendin dhe sigurinë publike”, shprehet ai, teksa i apelon ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri që “të vërë dorë ashtu në Fushë Arrëz, pasi jeta edhe e njerëzve këtu është e vlefshme si në zona të tjera të Shqipërisë”.
Sose Lusha është një nga banorët që pak ditë më parë ju vodh banesa. Ajo çdo ditë jeton mes ankthit dhe frikës nga ajo çfarë po ndodh në Fushë-Arrëz. “Unë isha në Zvicër tek fëmijët në emigrim, kur më njoftuan se banesa ime ishte vjedhur. Kaq të sigurt kanë vepruar keqbërësit, sa kanë pasur kohën e mjaftueshme për të hipur në çati e prej andej të futen në banesën time që ndodhet në katin e tretë. Unë jam e vjetër dhe ndjehem shumë e pasigurt me këtë situatë që nuk ka ndodhur kaq masivisht në Fushë Arrëz ndonjëherë më parë”, thotë ajo.
Për më tepër, banorët e Fushë Arrzit ndjehen të fyer, pasi një nga makinat e shtrenjta që u vodh së fundmi i përkiste një mysafiri që kishte shkuar tek të afërmit në Fushë-Arrëz.

Artikulli paraprakVendimi i Ramës, 10 gardistë për Romanën
Artikulli tjetërNaftëtarët sërish në protestë, kërkojnë pagat e prapambetura