Gomez largohet nga Turqia për shkak të situatës politike

Mario Gomez, sulmuesi i kombëtares gjermane të futbollit, ka vendosur t’i japë lamtumirën Turqisë, ku në sezonin e fundit ka veshur fanellën Beshiktashit. Në një lajmërim të publikuar në rrjetet sociale, lojtari bëri të ditur se nuk e dinte se çfarë e priste në të ardhmen, por për të ishte e pamundur që të qëndronte në Turqi për të vazhduar karrierën në situatën kaotike që po kalonte ky shtet.
“Arsyeja pse unë e kam marrë këtë vendim është thjesht për shkak të situatës politike. As sporti dhe as ndonjë arsye tjetër nuk më kanë shtyrë drejt këtij vendimi. Vetëm ngjarjet e tmerrshme të ditëve të fundit”, ishin fjalët e Gomez.
Futbollisti ishte huazuar nga Fiorentina te Beshiktashi dhe dukej sikur kishte rilindur atje, pasi kishte shënuar 26 gola në 33 ndeshje. Klubi turk kishte të drejtën e blerjes së kartonit të tij, por tashmë është e qartë se Gomez nuk do të kthehet në Turqi, të paktën në një të ardhme të afërt.
“Shpresoj që këto probleme politike të zgjidhen në një mënyrë paqësore shumë shpejt. Atëherë do të ishte dëshirë e madhe e imja që të luaja përsëri për Beshiktashin”, shkruante sulmuesi i përfaqësueses gjermane.

Artikulli paraprakMaradona kërkon stolin e Argjentinës
Artikulli tjetërMagjia e Jovetiç i jep fitoren Interit