Gjermani, hapet rruga për bisedime koalicioni

Debate të zjarrta e përçarje. Socialdemokratët luftuan gjatë me veten derisa vendosën pro bisedimeve të koalicionit me Unionin. Konservatorët e përshëndetën rezultatin, por edhe paralajmëruan. Merkel përshëndeti SPD-në.
Pas një debati të zgjatur dhe pasigurisë deri në minutën e fundit, mund ta kuptojë gëzimin në fytyrat e krerëve demokratë pas rezultatit pozitiv të votimit me 56,4% për Po. 362 delegatë nga 642 gjithsej pranuan në Bonn fillimin e bisedimeve për një koalicion të ri me konservatorët. Kreu i socialdemokratëve, Martin Schulz u shpreh i lehtësuar pas miratimit të bisedimeve për koalicionin. “Jemi sigurisht të gjithë të lehtësuar”, tha ai për televizionin Phoenix. “Do të përpiqemi pas këtij diskutimi të fortë (…) të bashkojmë partinë”. Schulz premtoi se do të dëgjojë zërin e kritikëve. Rëndësi ka që partia të ruajë unitetin.
Edhe kryeministri i landit të Saksonisë së Poshtme, Stephan Weil nuk e fsheh lehtësimin e tij. “Jam i lehtësuar. Dukej qartë se Partia Socialdemokrate luftonte me veten”. Politikani socialdemokrat theksoi se negociatat për koalicionin ishin “një punë goxha e vështirë”, tha Weil. Në debatin paraprak gjatë ditës së dielë Partia Socialdemokrate u tregua mjaft e përçarë. Në fund megjithatë fitoi Po-ja mes 642 delegatëve që debatuan gjatë për mundësinë e koalicionit apo rigjenerimin në opozitë.

Reagime pozitive por edhe paralajmërime nga Unioni
Kancelarja gjermane, Angela Merkel e përshëndeti votën pro të socialdemokratëve. Me këtë hapet rruga për negociata, tha Merkel të dielën në Berlin. Por dokumenti paraprak i arritur mes socialdemokratëve dhe Unionit është korniza e bisedimeve, sipas kancelares gjermane.
Të menjëhershme ishin urimet nga Partia Konservatore, CDU. Zëvendëskryetarja e Partisë Kristiandemokrate, CDU, Julia Klöckner e përshëndeti rezultatin e kongresit të jashtëzakonshëm. “Urime për vendimin dhe gatishmërinë për t’i shërbyer vendit, SPD” shkroi ajo në Twitter. Ndërsa kryeministri konservator i landit të Hessenit, Volker Bouffier (CDU) u shpreh se tani duhet të fillojnë shpejt bisedimet për koalicion. Ajo që është e qartë, është se vlejnë rezultatet e bisedimeve paraprake dhe pikat kryesore nuk duhet të vihen më me pikëpyetje, tha ai. Zëvendëskryetari kristiandemokrat, Thomas Strobl, po ashtu paralajmëroi SPd nga pritshmëri të gabuara. “Për negociatat e mëtejshme vlen ajo që u ra dakord në bisedimet paraprake”, tha ai. Nuk do ketë kthime prapa, megjithëse SPD e ka këtë fantazi.
Ndërsa zëvendëskryetari i Partisë Liberale, Michael Theurer komentoi me ironi rezultatin e SPD-së. “Unioni do të bëjë disa kompromise të kalbura me qëllim që Merkeli të zgjidhet edhe njëherë kancelare”. Por sipas tij, koalicioni i madh është i dështuar- Rezultati i ngushtë e tregon se është një koalicion i lëkundur, tha ai.
Miratim për Po-në socialdemokrate erdhi edhe nga Shoqata e Punëdhënësve gjermanë, BDA. “Kemi nevojë për një qeveri funksionale”, u shpreh presidenti i BDA, Ingo Krämer.

Politikë e re për Europën
Më parë kreu i Partisë Socialdemokrate mbajti një fjalim, i cili nuk u shoqërua me duartrokitje të zjarrta. Ai theksoi se të paktën duhet të shohim mundësitë se çfarë çon tek përmirësimi i jetës së njerëzve në këtë vend dhe në Europë. Zgjedhjet e reja nuk janë rruga e duhur për SPD. Po ashtu rigjenerimi, i shumëkërkuar nga SPD pas rezultatit katastrofik dhe pjesëmarrja në qeveri nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, tha Schulz. Schulz kërkoi që SPD të prezantohet më mirë në një koalicion qeverisës. Si projekt të rëndësishëm për SPD, Schulz paraqiti arsimin. Bëhet fjalë për modernizimin e shkollave, një arsim pa tarifa dhe të drejtat e fëmijëve në Kushtetutë.
Martin Schulz kërkon një politikë të re për Europën dhe sheh aty mundësinë e pengimit të “valës djathtiste” në Europë. Presidenti francez, Emmanuel Macron ka nevojë për partner në Europë, ndryshe nuk përjashtohet që në vendin fqinj një ditë të qeverisin ekstremistët e djathtë, tha ai.

“Ne do të negociojmë deri sa të kuisë nga pala tjetër”
Drejtuesja e Grupit parlamentar Socialdemokrat, Andrea Nahles mbajti fjalim luftarak për të bindur delegatët e partisë së saj. Ajo premtoi negociata të ashpra. “Ne do të negociojmë deri sa të kuisë nga pala tjetër”, tha Nahles. Po qe se SPD-ja do të refuzojë në këtë pikë negociatat me koalicionin, qytetarët do thonë, a janë në vete këta, theksoi Nahles në fjalimin e saj.
Në debatin që parapriu votimin për hyrjen në bisedimet e koalicionit e morën fjalën si kundërshtarët edhe përkrahësit e idesë së koalicionit. Kevin Kühnert, drejtuesi i të rinjve socialdemokratë, dhe ideuesi i fushatës për JO në një koalicion e Merkeli kërkoi një fillim të ri në opozitë. Të përbashkëtat me Unionin janë konsumuar, tha ai. “Zigzaget e SPD-së që nga zgjedhjet kanë kushtuar besimin e votuesve”, theksoi drejtuesi i lëvizjes kundër koalicionit të madh. “Ne e bëjmë veten të vogël, ashtu si jemi prezantuar deri tani në qeveri”.

Artikulli paraprakMerkel-Macron, për një Europë të bashkuar
Artikulli tjetërBizneset e vogla: Rrënim me TVSH-në