Gjermani: Filloi konferenca për ndryshimet klimatike

Përfaqësuesit e afro 200 vendeve kanë arritur në Bon të Gjermanisë për fillimin e sotëm të Konferencës për Ndryshime Klimatike të Kombeve të Bashkuara, që do të zgjasë deri më 17 nëntor.
Kryeministri i Fixhit, Frank Bainimarama, që e kryeson këtë samit, tha se do të kërkojë aksion urgjent për uljen e gazrave të rrezikshëm.
“Vuajtja njerëzore e shkaktuar nga intensifikimi i uraganeve, zjarreve pyjore, thatësisë, vërshimeve dhe kërcënimeve për sigurinë e ushqimit, nga ndryshimet klimatike, nënkupton se nuk ka kohë për të humbur”, tha Bainimarama në deklaratën e sotme, para fillimit të samitit.
Sipas tij, pjesëmarrësit do të punojnë për krijimin e “librit të rregullave” të detajizuara, për t’i udhëzuar vendet, që e respektojnë Marrëveshjen e Parisit për klimë.
Kjo marrëveshje është përcjellë me shumë paqartësi, e veçanërisht pas shpalljes së planeve të Presidentit amerikan, Donald Trump, për tërheqje nga kjo marrëveshje. Kështu, Shtetet e Bashkuara dhe Siria janë vendet e vetme, që nuk janë pjesë e Marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike.
Megjithatë, pritet që në mbledhjen në Bon të Gjermanisë, Shtetet e Bashkuara do t’i kenë përfaqësuesit e vet.

Artikulli paraprakMoskë, arrestohen qindra protestues
Artikulli tjetërTrump: Asnjë diktator të mos nënvlerësojë vendosmërinë amerikane