Gjendet një tjetër person i vrarë për drogën në Sazan

Trupi i pajetë i një personi u zbulua nga disa peshkatarë mëngjesin e djeshëm në afërsi të Sazanit. Policia e Vlorës u njoftua rreth orës 9:00, nga një peshkarexhë që po peshkonte në këtë zonë. Menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes, u nisën mjetet lundruese të Policisë Kufitare, të cilët nxorën trupin, e personit, i cili ishte e vështirë të identifikohej.
Dyshimet e policisë janë se, trupi mund t’i përkasë Numan Lazajt, nga Vlora. Ai është njohur prej familjarëve nga rrobat, por sipas policisë pritet të kryhen edhe veprime të tjera për të konfirmuar identitetin e tij për faktin se ai ishte dëmtuar në fytyrë. Trupi u dërgua në Morgun e Spitalit të Vlorës, me qëllim identifikimin e tij.
Policia dyshon se, trupi mund t’i përkasë një prej personave që ndodheshin në një gomone, e cila u gjet e mbytur të enjten, ndërsa pranë zonës me 12 mars, kur gjeti edhe rreth 1.2 ton kanabis sativa. Dyshimet për dy persona që gjendeshin në gomone, mund të kenë qëndruar në ujë që prej datës 12 mars, kur edhe është gjendur mjeti lundrues.
Sipas dyshimeve të policisë në këtë gomone kanë qenë dy persona. Për të identifikuar personin në Morgun e Vlorës kanë mbërritur familjarë të dy personave nga Vlora, të zhdukur me 12 mars. Ndërkaq, policia është në kërkim të trupit të personit të dytë, i cili dyshohet se ka qenë në gomone dhe se dyshohet se mund të jetë mbytur gjithashtu. Dy ditë, pasi mes gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit në Vlorë u gjetën mbetjet e një skafi, peshkatarët kanë gjetur në det një trup të pajetë.
Para tre ditësh u gjet trupi i një 31-vjeçari të dekompozuar në bregdetin e Zvërnecit në qytetin e Vlorës. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, në trupin e 31-vjeçarit Luan Isai, kishte disa plagë në trup dhe dyshohet se ai është vrarë për drogën. Identifikimi u bë pas analizave të ADN-së, të cilat konfirmuan dyshimin se trupi i dekompozuar i përkiste 31-vjeçarit, i njohur edhe me emrin Loni. Gjithashtu policia ka sekuestruar dy automjetet në pronësi të tij, një “Benz” dhe një “BMW” me targa italiane. Sipas raportimeve, Isai për BMW-në kishte thënë se ishte i disa miqve italianë. Me këtë detaj, duket se pista kryesore e policisë mbetet të jetë ajo e vrasjes. Luan Isai, i njohur ndryshe si Loni, ishte pronari i një bilardoje në Vlorë, u identifikua fillimisht nga rrobat nga miqtë e familjarët, por me analizat e ADN-së u vërtetua kush ishte.

Artikulli paraprakGrabitet me armë një makinë në Fushë Krujë, në Cërrik një dyqan
Artikulli tjetërProkuroria sekuestron 23 mijë metër katror tokë me dokumente false