Gazi CS toksik dhe kancerogjen, jo përdorimit të tij kundër protestuesve

Për të satën herë, edhe gjatë protestës më të fundit në Tiranë, të organizuar nga opozita, policia nuk mungoi të përdorë gazin lotsjellës për të frikësuar dhe larguar protestuesit. Për të satën herë policia e Ramës ngrihet kundër qytetarëve të saj me mjete kaq të dëmshëm për shëndetin e tyre, por edhe të vetë policëve që detyrohen t’i përdorin këto mjete.
Është e thjeshtë, një polici që helmon me vetëdije qytetarët e saj nuk është policia që ata duan, nëse do të perifrazohej slogani i të rilindurve.
Gazi lakrimogjen CS i përdorur edhe këtë herë nga policia shqiptare është i ndaluar të përdoret në rast lufte nga Konventa e Parisit e 13 Janarit të vitit 1993 mbi “Ndalimin e Zhvillimit, Prodhimit, Depozitimit dhe Përdorimit të Armëve Kimike si dhe mbi Asgjësimin e tyre”, Konventë e nënshkruar dhe e ratifikuar edhe nga Shqipëria. Përderisa është i ndaluar përdorimi i tij, në çdo rrethanë, në rast lufte, si është e mundur që të përdoret nga forcat e rendit në rast paqeje dhe, për më tepër kundër qytetarëve të vet, krejt të pambrojtur, vetëm e vetëm se ata protestojnë kundër qeverisë?
Mbi rrezikshmërinë e gazit CS as qytetarët e madje as policët që e përdorin nuk kanë informacionin e duhur.
Gazi CS, kimikisht (i shprehur si Ortho – Klorur – benziliden – malononitrit) është produkt i një sinteze kimike midis 2-clorobenzaldeidit dhe malononitrilitit. Prania e Klorit i jep këtij gazi cilësinë irrituese e korrozive, ndërsa e gjithë pjesa tjetër e këtij komposti kimik është krejtësisht e njohur si substancë me efekte toksike, kancerogjene dhe mutagjene si të gjithë hidrokarburet e tjerë policiklikë aromatikë.
Në skedat teknike origjinale të substancave që përbëjnë gazin CS thuhet shprehimisht se këto substanca janë toksike nëse thithen nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes apo bien në kontakt me lëkurën apo mukozat e jashtëme e të brendshme. Madje këshillohet që të hiqen menjëherë edhe veshjet nëse kanë rënë në kontakt me këto substanca e kërkohet konsulta e menjëhershme mjeksore në rast kontakti, pavarësisht intensitetit të simptomave.

Natyrisht këshillohet në mënyrë të theksuar që këto substanca të mos përhapen në mjedis, pasi e ndotin toksikisht për një kohë të gjatë atë dhe qëniet e gjalla që e banojnë.
Në skedat teknike të të dy substancave që përbëjnë kompostin CS thuhet shprehimisht se ato janë të rrezikshme për njeriun dhe për mjedisin. Për më tepër, këtyre dy komponentëve të rrezikshëm, i është shtuar edhe një antiaglomerues me bazë silikoni, që të sigurojë shpërndarjen homogjene në formë tymi. Kjo substancë ka tendencën të precipitojë e të depozitohet për disa ditë me rradhë në truallin ku bie, duke u përzjerë me pluhurin që ngrihet e kështu hyn në rrugët e frymëmarrjes së kalimtarëve për një kohë të gjatë pas përdorimit të gazit.
Është tashmë katërcipërisht e shkencërisht e vërtetuar se kontakti me gazin CS sjell tjetërsime të trashëgimisë kromozomiale (të tipive breakagee aneuploidia) dhe ndikon fuqimisht në gjenerimin e Llojeve Reaktive të Oksigjenit (ROS), ndryshe radikaleve të lirë. Kjo do të thotë se efekti kancerogjen i këtij gazi është më i thellë se sa i shumë substancave të tjera kimike, ngaqë ky gaz, edhe kur nuk arrin të dëmtojë ADN-në, nxit gjithsesi mitozën patologjike të qelizave, duke i kthyer ato në nismëtare të një proçesi kancerogjen.
Në shumë vende të botës, parasëgjithash në BE, gazi CS kategorizohet si armë lufte e kategorisë së tretë, praktikisht armë kimike, e aftë të shkaktojë dëme të mëdha, të përkohshëm e të përhershëm mbi njeriun dhe mjedisin.
Informacioni i saktë mbi përbërjen e këtij gazi bën të qartë se pretendimi i policisë se gjatë protestave nuk ka përdorur armët është i pavërtetë: është përdorur kundër qytetarëve shqiptarënjëarmë kimike e ndaluar nga Konventa e Parisit, një armë me efekte toksike jo vetëm të përkohshëm, por edhe të përhershëm.Forcat shqiptare të rendit, policia që kështu siç e instrumentalizojnë, patjetër që nuk e duam, janë të parat ato që rrezikojnë shëndetin e pjestarëve të tyre me përdorimin e gazit CS për të trembur e shpërndarë protestuesit e demonstruesit. Askush nuk bën fjalë, në rradhët e sindikatës së tyre, mbi dëmet që u shkaktohen vetë policëve, njerëz të popullit që mbajnë familjet me një rrogë mizerje, nga përdorimi i gazit toksik CS.

Përgatiti: Armand Mevlani

Artikulli paraprakÇfarë e shkakton dhimbjen e kokës në mëngjes?
Artikulli tjetërIsha 10 vjeçe por dola në shesh me prindërit, si e mbaj mend rrëzimin e bustit