Gazetarë e biznesmenë thirren për të dëshmuar në gjyqin e Shullazit

Procesi ndaj Emiljano Shullazit dhe katër anëtarëve të bandës së tij që po zhvillohet tek Krimet e Rënda hyri në një tjetër fazë, në atë të mbrojtjes. Në seancën e djeshme gjyqësore, avokatët kanë kundërshtuar provat e paraqitura nga Prokuroria dhe kanë kërkuar që ato t’i nënshtrohen debatit gjyqësor. Avokati i Shullazit, Vladimir Meçi, tha se provat e palës kundështare ishin administruar në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe se Prokuroria kishte qenë selektive në mbledhjen e tyre. Për këtë shkak, ai kërkoi që të gjitha provat t’i nënshtroheshin një nga një debatit gjyqësor në sallën e gjyqit.
Në seancën e radhës, Gjykata do të njoftojë 11 dëshmitarët e parë të kërkuar nga mbrojtja. Emiljano Shullazi ka kërkuar që të thërrasë në gjyq disa biznesmenë dhe gazetarë, të cilët do të pyeten në lidhje me çështjen e tij. Burime nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ku edhe po zhvillohet gjyqi ndaj Shullazit, kanë bërë të ditur se janë 11 gazetarë dhe avokatë, të cilët do të thirren si dëshmitarë. Mes tyre janë edhe gazetarë që mbulojnë Prokurorinë dhe gjykatat.
Gazetarët që do të thirren për të dëshmuar janë Elton Qyno dhe Lindita Çela. Po ashtu janë thirrur për të dëshmuar edhe avokatët e biznesmenët Nexhed Kambi, Alban Qafa, Sinan Topi, Jani Zaka, Altin Sota, Bujar Kareci dhe Eduart Pistili.
Në seancën e zhvilluar javën e parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti në Gjykatë prova shkresore për procesin ndaj Emiljano Shullazit dhe anëtarëve të bandës së tij. Mes dokumenteve të paraqitura në gjyq nga Prokuroria ishte edhe referim i Policisë së Shtetit i shkurtit 2016 ndaj shtetasve Lulzim Berisha, Plarend Dervishaj dhe Emiljano Shullazi.
Prokuroria tha se, hetimet nisën për këtë të fundit në lidhje me kërcënimet dhe gjobëvëniet ndaj biznesmenëve. Në seancë u paraqiten edhe disa mesazhe në Whatsapp që Ylvi Beqja i shkëmbente me një shtetas të huaj, duke i thënë se po e kërcënonin anëtarët e grupit të Shullazit. Sipas prokurorëve, përmbajtja e tyre, vë me shpatulla pas murit pesë të akuzuarit për “gjobëvënie”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “kanosje”.
Përmes një materiali 19 faqesh, prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, listuan gjithë shkresat e dosjes, që nga referimi i veprës penale në Prokurori, tek dokumentimi i të gjitha veprimeve hetimore në vijim, përfshi këqyrje vendngjarjesh, akt-ekspertime teknike a gjenetike, këqyrje kamerash sigurie pranë vendit ku u kërcënua rektori Mynyr Koni dhe në bankat ku kanë lëvruar çeqe të pandehurit, si dhe kontratat noteriale apo praktikat gjyqësore mbi pronësinë e ish-hotel “Vollgës” në Durrës.
Sipas Prokurorisë, hetimi ndaj të pandehurve ka nisur në shkurt të vitit 2016, pas një referimi të një informacioni të Policisë së Shtetit për dyshimet mbi një veprimtari kriminale nga disa persona. Në një nga këto informacione, përveç Shullazit janë përcjellë të dhëna mbi veprimtari kriminale të ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha dhe kunatit të tij Plarent Dervishaj, kohë kur vetë Berisha ishte ende në qeli.
Hetimet janë veçuar më tej për Shullazin dhe grupin, dhe kanë vijuar deri në prangosjen e tyre. Prokurorja deklaroi se hetimet kanë nisur sipas një referimi të kryer nga policia në muajin shkurt 2016 ndaj dy grupeve, nga njëra anë për Emiljano Shullazin dhe nga ana tjetër për Lulëzim Berishën, ku policia paraqiste të dhëna për veprimtari kriminale.
Të akuzuar për gjobëvënie dhe grup të strukturuar kriminal, si edhe kanosje për shkak të detyrës, për Shullazin dhe grupin e tij u radhitën si prova pamjet filmike në pesë episode, kur të dyshuarit tërheqin 131 mijë euro nga një bankë, një shumë e përfituar prej tyre në formën e gjobëvënies ndaj Ylvi Beqjas.

Artikulli paraprakVrasja në Tiranë, dyshohet për prishje të pazareve të drogës
Artikulli tjetërRama mbylli Uzinën e Ballshit, naftëtarët revoltë për të rifilluar punën