Bibi, Donald dhe Jared

Elliot Abrams

Këtë javë, kryeministri i Izraelit vizitoi Washingtonin për t’u takuar për herë të parë me presidentin e ri. Të dy liderët kanë një axhendë të ndërlikuar për të shqyrtuar. Benjamin Netanyahu deri tani ka pasur shumë pak fat me presidentët amerikanë. Gjatë mandatit të tij të parë në pushtet, në qershor të vitit 1996 deri në korrik 1999, administrata Clinton bëri ndërhyrje në politikën izraelite, duke ndihmuar Ehud Barakun të konkurrojë dhe mundi Netanyahun. Kur u rikthye në pushtet në mars të vitit 2009, Bibit iu desh të përballej me administratën Obama, e cila nuk e fshihte aspak preferencën për të majtën izraelite dhe për “procesin e paqes” që nuk shkon aspak për shtat me shijet e Netanyahut. Kështu, Donald Trump përfaqëson një risi të vërtetë për kryeministrin izraelit, një president amerikan i përzemërt dhe mbështetës për vendin e tij.
A do të ketë takimi i dy liderëve një efekt real në politikën amerikane kundrejt vendstrehimeve izraelite dhe të ashtuquajturit “proces të paqes”? Gjatë fushatës Trump është shfaqur veçanërisht mbështetës ndaj Izraelit. Menjëherë pasi u zgjodh president, ai emëroi një avokat të njohur, David Friedan, si ambasadorin e tij të ri në Izrael dhe është raportuar se ambasadori i ri, së bashku me Jason Greenblatt dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner ishin mjaft të interesuar të përmirësonin politikën amerikane kundrejt shtetit çifut.
Ata janë të tre çifutë ortodoksë, madje Friedman dhe Kushner kanë qenë prej kohësh mbështetës të vendbanimeve në West Bank. Edhe pse nuk kanë shumë përvojë diplomatike, ata merren vesh shumë mirë me njëri-tjetrin dhe formojnë një koalicion bashkëpunimi të fuqishëm për të influencuar veprimet e ardhshme të presidentit Trump. Në shumë raste, Trump ka shprehur dëshirën për të arritur një marrëveshje paqeje ndërmjet Izraelit dhe Palestinës dhe ka caktuar publikisht Kushnerin me këtë detyrë të rëndësishme.
Ai ka thënë për “Wall Street Journal” pak pas fitores së tij të madhe se marrëveshja ndërmjet Izraelit dhe Palestinës do të ishte një arritje ideale. “Si një person i pasionuar ndaj arritjes së marrëveshjeve, do të doja të arrija një marrëveshje kaq të vështirë sa kjo”, tha presidenti Trump. Pra, qëllimi i presidentit është po ai që ka lënë të zhgënjyer shumë presidentë të tjerë përpara tij, Jimmy Carter, Ronald Reagan, George H.W. Bush, Bill Clinton, George W. Bush dhe në fund Barack Obamën me dështimin më spektakolar.
Administrata në fakt ka bërë disa deklarata lidhur me politikën për Izraelin, madje vetëm pak ditë pas inaugurimit një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha për “Jerusalem Post” se: “presidenti Trump e ka bërë të qartë se është tepër i interesuar në arritjen e marrëveshjes që mund t’i japë fund konfliktit mes palëve dhe po përpiqet të eksplorojë mundësitë për ta arritur atë. Duke pasur parasysh këtë, i kërkojmë të gjitha palëve të kufizojnë veprimet e njëanshme që mund të na e frenojnë progresin. Admnistrata duhet të ketë mundësinë që fillimisht të konsultohet gjerësisht me të gjitha palët e përfshira për të mbajtur një qëndrim”.
Kjo ishte një lloj përgjigjeje kundrejt vendstrehimeve izraelite vetëm katër ditë pas inaugurimit të presidentit. Megjithatë, shumë shpejt u kuptuar se fraza “palët të frenojnë veprimet e njëanshme” mund të dukej disi e egër kundrejt Izraelit dhe po atë ditë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, bëri një tjetër deklaratë për ta zbutur tonin duke thënë: “Ne nuk mendojmë aspak se vendbanimet krijojnë pengesë për marrëveshjen e mundshme të paqes, por mendojmë se zgjerimi i zonës së ndërtimit të vendbanimeve përtej kufijve aktualë mund të tensionojnë situatën. Siç ka shprehur edhe presidenti shumë herë, ai shpreson që të arrihet paqja në të gjithë Lindjen e Mesme”.
Kjo ishte një braktisje e qëllimshme e politikës së Obamës, i cili ishte i fiksuar pas çështjes së ndërtimit të vendbanimeve. Këshilltarët e Trumpit janë distancuar plotësisht nga qëndrimi agresiv i ish-administratës Obama që për vite me radhë nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë dënuar ashpër Izraelin sa herë një person shtonte një tullë për të ndërtuar një vendbanim. Gjatë administratës Bush ishte arritur një marrëveshje me kryeministrin Sharon, duke pranuar ndërtimin e vendbanimeve të reja, pa e zgjeruar gjeografikisht shtrirjen e tyre, por duke e lejuar kështu popullsinë të rritej në këtë zonë. Pikërisht këtë dëshironte të theksonte edhe Spicer kur tha se, kundërshtohej zgjerimi i kufirit të vendbanimeve ekzistuese, por nuk kundërshtohej ndërtimi i tyre.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e dinin mjaft mirë se çfarë ishin duke bërë dhe deklaratat e ndryshme ofruan njëfarë mbështetjeje për Netanyahun, i cili është kënaqur mjaft me fitoren e Trumpit dhe mendon se Izraeli dhe SHBA-të më në fund mund të rifillojnë bashkëpunimin.

Qasje e re
Administrata amerikane duket se ka plane të mëdha për paqen. Qasja e saj ndaj procesit të paqes duket se është tërësisht e re dhe e distancuar nga qëndrimet e mëparshme. Me fjalë të tjera, në vend që të përdoret marrëveshja e Izraelit dhe Palestinës për të përmirësuar marrëdhëniet e Izraelit me vendet e tjera arabe, këtë radhë shihet përdorimi i marrëdhënieve të Izraelit dhe vendet arabe si një shtysë për të avancuar në procesin e paqes.
Kjo është qasje mjaft delikate, arabët kanë qenë prezentë në Konferencën e Madridit në vitin 1991 dhe Konferencën Annapolis në vitin 2007, ndërsa mungesa e tyre në Kamo Davis më 2000 është parë nga shumë njerëz në administratën e Clintonit si arsyen kryesore të dështimit të këtyre bisedimeve. Koncepti i kësaj qasjeje të re është se palestinezët kanë shumë pak për t’i ofruar Izraelit në këmbim të njohjes së pavarësisë palestineze dhe të heqjes së vendbanimeve, por paqja dhe marrëdhënia normale me vendet arabe është një qëllim i rëndësishëm për izraelitët. Ndërsa nga ana e palestinezëve, rreziqet e politikës së brendshme të kompromisit me Izraelin do të reduktoheshin ndjeshëm nëse vendet arabe do të bënin lëshime përkatëse.
Këto vlerësime nuk janë aspak të reja, por bashkëpunimi i Izraelit dhe Palestinës është dukur pothuajse i pamundur për administratat e fundit amerikane. Sot, Izraeli, Jordania, Egjipti dhe vendet e Gjirit sunni kanë marrëdhënie të bashkëpunimit për sigurinë, të cilat burojnë nga frikërat e përbashkëta: Irani, grupet terroriste si Hamasi, Hezbollahu dhe ISIS, por edhe nga politika që buronte nga Washingtoni gjatë administratës Obama. Kështu, distancimi i presidentit Trump nga qëndrimi i Obamës dhe tentativa për të ndërtuar bashkëpunim me Izraelin dhe vendet arabe nuk është aspak jo realiste.
Megjithatë është përsëri e vështirë. Bashkëpunimi i Izraelit me vendet e Gjirit vazhdon të jetë sekret; asnjë zyrtar nuk ka bërë vizitë zyrtare apo të shprehë publikisht lidhjet e ndërsjella për çështjet e sigurisë. Një ambasador arab në Washington ka thënë në muajin janar se nëse do të fotografohej vetëm duke shtrënguar dorën e një ambasadori izraelit, do të pushohej menjëherë nga puna. Çfarë konsensusi do të duhet të bënte Izraeli që të nxisë vendet arabe të dalin hapur në bashkëpunimin e tyre? A do të ishin këto konsensuse të përtypshme për publikun izraelit? Në fund të fundit, a është kaq e rëndësishme Palestina për vendet arabe sa për të shpenzuar energji diplomatike apo të ndërmerrnin rreziqe të brendshme për të mbrojtur kauzën e tyre? Deri tani nuk e kanë bërë.
Trump nga ana e tij është mëse i ndërgjegjshëm se premtimet për këto lloj procesesh delikate jo gjithmonë kthehen në realitet, në fakt deri tani vetëm kanë dështuar. Çështja e “zhvendosjes së ambasadës” është tepër komplekse dhe mund të ketë domethënie të ndryshme: që nga ndërtimi i një ndërtese të re të ambasadës dhe të rezidencës së ambasadorit në Jeruzalem deri tek ndryshimi i tabelës së Konsullatës së Përgjithshme amerikane afër King Davis që të shkruajë “Ambasada e Shteteve të Bashkuara” apo edhe vendosja e ambasadorit amerikan që të jetojë dhe punojë në Jeruzalem, ndërsa ambasada zyrtare qëndron përsëri në Tel Aviv. Ka shumë kombinim dhe lëvizje të mundshme dhe secila prej tyre do të sillte rezultate të ndryshme. Situata aktuale është e çuditshme. Izraeli është një aleat i ngushtë dhe i rëndësishëm dhe nuk ka asnjë pretendim palestinez për pjesën perëndimore të qytetit ku ndodhet qeveria izraelite dhe mund të ndërtohet ambasada amerikane.

Kushner, karta fituese e Trump
Kur bëhet fjalë për Lindjen e Mesme, sipas njerëzve që kanë folur me Kushner rreth kësaj çështjeje, ai duket i përqendruar në pyetjet më madhore dhe të rëndësishme: Si mund të arrihet paqja dhe prosperiteti? Si mund të përshtaten me njëri-tjetrin vendet e rajonit? “Ai nuk vjen kurrë me një opinion të paracaktuar në kokë”, thotë Yousef Al Otaiba, ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe në Shtetet e Bashkuara. “Qëllimi i tij kryesor është mposhtja e ekstremizmit”.
Kushner është mjaft i informuar me situatën dhe perceptimet e tij për Lindjen e Mesme nuk janë rrënjosur vetëm përmes prindërve. Qëndrimi i tij në lidhje me Izraelin është ndërtuar me kalimin e viteve për shkak të besimit të tij dhe miqësive të vjetra si Ron Perelman, sinagogën gjysmë private të të cilit Kushner dhe Ivanka Trump e kanë vizituar rregullisht në Manhattan, si dhe rabini Shmuley Boteach, një mik disavjeçar i Kushner që ka mbështetur fuqimisht fushatën e presidentit Trump. Perelman është një donator tepër i rëndësishëm për çështjet çifute dhe kërkon që Shtetet e Bashkuara të riparojnë marrëdhëniet me Izraelin.
Megjithatë, edhe këshilltarët e tij më të ngushtë thonë se nuk mendojnë se Izraeli është – ose duhet të jetë – prioriteti kryesor i Kushnerit për momentin. “Ai është mjaft i respektuar në radhët e zyrtarëve të qeverisë izraelite, të cilët me kalimin e kohës kanë krijuar lidhje të ngushta me të”, thotë Boteach. “Megjithatë jam i bindur se asnjë në administratën e presidentit nuk mendon se ky duhet të jetë prioriteti kryesor tani për tani”.
Boteach, i cili ka besim të plotë tek aftësitë e Kushner, kohët e fundit po ndjek axhendën që e vendos marrëveshjen ndërmjet Izraelit dhe Palestinës në plan të dytë. “Theksi nuk duhet vendosur mbi Izraelin dhe Palestinën. Administrata mund të arrijë një marrëveshje historike duke vendosur paqen ndërmjet Izraelit dhe vendeve të Gjirit”, thotë ai. “Unë mendoj se çelësi i suksesit për momentin është paqja ndërmjet Izraelit dhe Arabisë Saudite”. Është një mesazh i ngjashëm me atë që Shtëpia e Bardhë duket se e ka marrë edhe nga liderët çifutë që kanë kontaktuar kohët e fundit: Të ngadalësojmë hapin.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakGara e katërt e kancelares Merkel
Artikulli tjetërShembulli i rezistencës rumune