Fundi i karrierës së Sarkozisë

Karriera politike e ish-presidentit francez, Nicolas Sarkozy mund të themi se ka përfunduar pasi u përball me një dështim të turpshëm ditën e dielë nga ish-kryeministri Fracois Fillon në raundin e parë të garës për të zgjedhur kandidatin e djathtë të Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të pranverës së ardhshme.
Fillon, një konservator, reformues i tregut të lirë, i cili admiron Margaret Thatcherin dhe votoi kundër martesës së seksit të njëjtë, ishte në prag të fitores së kandidaturës me rreth 43 për qind të sondazheve. Ai tashmë do të përballet me raundin e dytë të garës kundër të moderuarit Alain Juppe, i cili ka qenë kryeministër gjatë presidencës së Jacques Chirac.
Ish-presidenti i përçarë Sarkozy përjetoi një humbje poshtëruese, i nxjerrë jashtë garës pasi kishte drejtuar një fushatë të djathtë mbi identitetin francez, duke vënë nën shënjestër myslimanët dhe minoritetet. Rezultati i tij i dobët pas fushatës, në të cilën sugjeroi të ndalonte shamitë nëpër universitete, u përball me disa hetime ligjore për korrupsion me financimin e fushatës që treguan se po kthehej në një figurë të urryer si nga e djathta ashtu edhe e majta.
Fillon dhe Juppe tashmë kanë një javë në dispozicion për t’u ndeshur dhe për të treguar se kush do të ishte më i mirë për të bashkuar votuesit francezë kundër të djathtës ekstreme të vendit që po vuan tashmë nga papunësia, ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe kërcënimi i terrorizmit.
Fitorja e Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara e ka kthyer projektorin drejt Francës si vendi i ardhshëm i tronditjes politike. Sondazhet kanë treguar vazhdimisht se liderja e Frontit Kombëtar, Marine le Pen, do të arrijë deri në raundin përfundimtar presidencial në muajin maj, por do ta ketë të vështirë të fitojë.
Fillon, anëtari 62-vjeçar i Parlamentit, është mishërimi i të djathtës tradicionale. Ai është katolik nga një fshat në veri të Francës dhe ka jetuar në një kështjellë të shekullit 12 me gruan e tij nga Uellsi dhe pesë fëmijët e tyre gjatë karrierës së tij të gjatë politike.
Si një anglofil i vërtetë i pasionuar pas çajit, ai ka ngjitur shkallët e së djathtës franceze duke propozuar program reformash radikale probiznesit – duke u zotuar se do të reduktojë 500 mijë vendet e punës të sektorit publik gjatë pesë viteve të ardhshme. I sulmuar se po shkonte shumë larg me reduktimin e vendeve të punës në administratë nga Jupe, Fillon tha gjatë eventit të tij të fundit të fushatës se: “Më kanë vënë etiketën e liberalit për ekonominë, por unë jam vetëm pragmatist”.
Kur u bë kryeministër në vitin 2007, Fillon shkaktoi përplasje me Sarkozinë duke deklaruar se Franca ishte pothuajse e falimentuar. Fillon votoi kundër martesës së seksit të njëjtë kur u prezantua nga presidenti socialist, François Hollande dhe kishte mbështetjen e të gjithë të djathtës tradicionale katolike. Duke u zotuar se do të mbrojë vlerat kristiane të familjes, ai ka bërë fushatë kundër shtatzënisë së asistuar nga mjekët për gratë beqare dhe çiftet e grave lezbike.
Ai u ngjit në majë të sondazheve në javët e fundit të fushatës pasi publikoi librin mbi luftën kundër islamit radikal duke thënë: “Në Francë nuk ka probleme fetare. Po, ka një problem që lidhet me islamin”. Ai tha se zgjidhja nuk ishte të viheshin nën shënjestër myslimanët që respektonin ligjet, por të identifikoheshin ekstremistët. Por ai ka shkaktuar zemërim ndërmjet shoqatës së njerëzve me ngjyrë gjatë fushatës kur e përshkroi kolonializimin francez si periudha kur Franca shpërndante kulturën e saj.
Fillon ka kërkuar një riafrim me presidentin rus, Vladimir Putin, për çështjen e Sirisë. Pas zgjedhjeve amerikane ai ftoi në një aleancë të re presidentin Putin dhe presidentin Trump. Kur e pyetën në fillim të fushatës nëse Franca duhet të bashkëpunonte me Bashar al-Assadin në Siri për të luftuar kundër terrorizmit, ai tha se Franca duhet të bashkohet me të gjitha forcat e mundshme, qofshin ato demokratike apo jo. Në faqen online “Atlantico” ai tha gjatë tetorit: “De Gaulle, Churchill, Roosevelt, të gjithë u bënë aleatë të Stalinit për të luftuar nazizmin”.
Fillon tha se populli francez kërkonte autoritet dhe se ai kishte një projekt të fuqishëm për të reformuar Francën. Duke pranuar humbjen e tij, Nicolas Sarkozy tha se nuk ndjente as hidhërim dhe as mllef. Pasi e nëvlerësoi Fillonin si “nëpunësin” e tij kur ishte president, Sarkozy tha se tani do ta mbështeste në raundin e fundit të votimit më 27 nëntor. Kushdo që të fitojë votimin do të jetë automatikisht kandidati i djathtë për president pranverën e ardhshme.
71-vjeçari Juppe ka drejtuar një fushatë të qendrës, duke premtuar reforma ekonomike dhe duke refuzuar atë që e quante politikë “vetëvrasëse” të identitetit të Sarkozisë, e cila paralajmëroi se do të thellonte përçarjet e shoqërisë franceze. Gjatë muajve të fundit ai i ka ngjitur majat e sondazheve si politikani i preferuar i Francës, pasi i ishte nënshtruar një transformimi radikal imazhi në vitet 1990, kur u bë kryeministri më i urryer francez i kohëve moderne, pasi 2 milionë njerëz dolën në protestë kundër ndryshimeve të tij të pensioneve.
Në vitin 2004, Juppe u dënua me 14 muaj pezull dhe iu ndalua të mbante çdo post publik për një vit pasi skema e viteve 1980 fuste ilegalisht punonjës të partisë së Chiracut në borderotë e administratës franceze. Edhe pse u vërtetua se Juppe nuk kishte përfituar personalisht nga skema, disa kritikë argumentuan se ngjarja nuk kishte për ta lënë rehat edhe gjatë fushatës së tij presidenciale.
Që pas zgjedhjes së Trumpit, kritikët kanë thënë se ai do të dukej tepër i papërshtatshëm përballë Le Penit, duke bërë analogji me fushatën amerikane. “Unë nuk jam Hillary Clinton dhe Franca nuk është Amerika”, tha ai javën e kaluar, duke këmbëngulur se do të ndërmerrte ndryshime rrënjësore dhe reforma të mëdha.

Artikulli paraprakEkipi i Trumpit është gati!
Artikulli tjetërBeqja vjedh prapë, tani me ushqimet