Foto, masakra e pyjeve jo nga zjarri por nga bizneset pranë Ramës

Prej katër vitesh prerja e pyjeve është shndërruar në një biznes të mirëfilltë për njerëzit e lidhur me pushtetin. Aktualisht, duke përfituar edhe nga situata kaotike e përfshirjes së shumë pyjeve të vendit nga zjarret, këto biznese të jashtëligjshme po vijojnë intensivisht. Nga Veriu në Jug të vendit, përgjatë gjithë vitit edhe aktualisht prerja e pyjeve nuk ka të ndalur. E nëse deri pak më parë këto biznese barbare e ushtronin aktivitetin e tyre gjatë natës, tashmë e kanë shtuar aktivitetin e tyre edhe gjatë ditës.
Foto që shihni ngjitur këtij lajmi është publikuar dje në media dhe shfaq një kamion me dru të prera nga pyjet e Kukësit. Ndërkohë që kamionë të tillë lëvizin lirshëm në të katër anët e vendit. Në Kukës, pyjet rrezikohen më shumë nga prerjet pa kriter për t’u përdorur për dru zjarri sesa nga zjarret. Shtatë vatra flakësh të kësaj vere janë shuar, ndërsa autoritetet thonë se përballen me raste të shtuara të prerjes së paligjshme të pyjeve dhe se kanë  sekuestruar sasi të konsiderueshme lënde drusore. Shtatë vatra zjarri që janë shënuar deri më tani në Qarkun e Kukësit janë shuar, mirëpo situata mbetet e rrezikshme për shkak të temperaturave të larta dhe thatësirës.
Por, problemi më i madh për autoritetet në këtë zonë mbetet prerja e paligjshme e pyjeve. Në Bashkinë e Kukësit, thonë se gjatë muajit korrik, Drejtoria  e Administrimit të Pyjeve ka konstatuar disa raste të prerjes së pyjeve pa kriter dhe ka sekuestruar sasi të konsiderueshme drush zjarri. Në Kukës, prerja e pyjeve për t’i shfrytëzuar për dru zjarri në stinën e ftohtë rritet ndjeshëm gjatë sezonit veror.
Autoritetet shtetërore janë në dijeni të këtij trafiku të paligjshëm, madje e quajnë një situatë skandaloze, por shprehen se kjo kërkon angazhimin e Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur parandalimin dhe ndëshkimin. Moratoriumi dhjetëvjeçar i pyjeve hyri në fuqi më 11 shkurt 2016. Gjatë vitit të kaluar nga Inspektorati i Pyjeve janë realizuar 8,204 inspektime ose 82.3% më shumë krahasuar me vitin 2015, kur janë realizuar 4,500 inspektime.
Sipas të dhënave të doganave dhe të sjella nga Inspektorati i Pyjeve vetëm gjatë periudhës shkurt 2016-janar 2017, importi i lëndës drusore për përdorim të brendshëm u rrit me rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, sipas të njëjtit burim, po t’u referohemi shifrave të importit, me mesataren e periudhës 2008-2012, rritja e importeve në vlerë monetare është rreth 60 herë më e madhe gjatë vitit 2016. Të dhënat zyrtare tregojnë se, për periudhën janar-dhjetor 2016 në shkallë vendi janë prerë ilegalisht 18,703 drurë, me volum rreth 3593.6 m³ ose 36% më pak drurë krahasuar me vitin 2015 kur janë prerë ilegalisht 27.506 drurë, me volum rreth 5480m³. Gjatë periudhës janar–dhjetor 2016 nga ISHMP në rang kombëtar janë mbajtur gjithsej 368 procesverbale për kundërvajtje në fondin pyjor, ku vlen të theksohet se për shkelje me pasoja të rënda në pyje, janë proceduar dhe dërguar për ndjekje penale 32 raste kallëzimesh ose 20% më pak krahasuar me 2015, çka tregon një ndërgjegjësim të qytetarëve për zbatimin e ligjit.

Artikulli paraprakUrdhri i Ramës: Të hartohen listat e shkarkimeve nga puna në shtator
Artikulli tjetërKukan uron Bashën: Kontribut për të ardhmen europiane të Shqipërisë