Urdhri i Ramës: Të hartohen listat e shkarkimeve nga puna në shtator

Edi Rama po përgatit një tjetër masakër dhe largime masive nga puna menjëherë sapo të miratojë qeverinë në shtator. Burime nga PS thanë se me anë të një “direktive” të brendshme, ka kërkuar nga kryetarët e degëve në rrethe për të evidentuar të gjithë personat e “padëshirueshëm” në rang qëndror lokal, dhe të përpilohen lista të sakta të atyre që duhen larguar nga puna. Të njëjtat burime thanë se, për këto largime hë për hë po bëhen pengesë ministrat teknikë, apo dhe aleatët, dhe Rama i druhet ndonjë konfrontimi të drejtpërdrejtë me ta për shkelje kompentencash. Në shënjestër nuk do të jenë vetëm punësimet që kanë bërë ish-aleatët e tij, por edhe ata që për Ramën apo të tijët janë shpalluar të padishirueshëm. Do vëzhgohet pjesëmarrja në fushatë e gjithsecilit, dhe sa të gatshëm kanë qenë për të zbatuar urdhërat e epërorëve të tyre. Shembullin po e jep vetë Edi Rama me sulmet e tij selektive qoftë me takimet ku paguan njerëz për të sulmuar gjithfarë drejtorësh, por qoftë dhe me listat denigruese që paraqet si “ankesa të qytetarëve në Facebook”.

Administrata

Administrata shtetërore ka tashmë rreth 90 mijë të punësuar dhe është nga sektorët më të mëdhenj të punësimit. Rama përgjatë gjithë fushatës këtë kishte si synim, të marrë vetë në dorë frenat e administratës, madje kjo u bë dhe refreni i përditshëm i tij. Sot, nga kjo marrëzi e Ramës më shumë se 15 mijë punonjës të administratës në nivel qëndror dhe lokal, janë në ankth se çfarë do të ndodhë pas datës 9 shtator kur pritet të formohet dhe qeveria. Në të gjitha sektorët, ka një shkrehje të punës, pasi askush nuk e ka vendin e sigurt, madje as ata që janë punësuar me direktivë partie, por që nuk kanë qenë aktivë në fushatë elektorale.  Burimet shprehen se, Rama pritet të ndërtojë një tjetër administratë tërësisht me të besuar të tij, dhe nuk përjashtohet dhe infiltrimi në nivele të dyta apo të treta të saj të sekserëve të blerjes së votave, të cilët në shumicë janë persona me të shkuar kriminale.

Viti 2013

Menjëherë pas marrjes së pushtetit nga Rama në vitin 2013 u vu re një vërshim i militantëve në poste të tilla si dogana, tatime, arsim, energjitikë, polici, shëndetësi dhe kudo ku janë shpenzimet më të mëdha të buxhetit. Shumë shpejt u vu re një fenomen që u denoncua jo pak herë nga Partia Demokratike. Persona me të shkuar kriminale u emëruan drejtorë drejtorish, sekretarë të përgjithshëm, kapitenë të parë në port. Në përgjithësi ishin persona të dënuar më parë për krime si trafik droge apo trafik të qenieve njerëzore, por edhe për plagosje apo vrasje. Si asnjëherë më parë, këta persona morën në dorë çdo gjë dhe ishin ata që drejtonin punët e shtetit. Lufta e PD-së atë kohë bëri që  Rama të detyrohej të hiqte nga puna një pjesë të mirë të tyre, por në përgjithësi vetëm sa u ndryshoi vendin e punës, por ata sërish shfaqeshin në vende të tjera, në poste më të ulta. Nga ana tjetër, u vu re dhe një pakënaqësi në rritje tek elektorati socialist, i cili pretendonte vende pune në këmbim të votës. Jo më kot Rama, në fushatën e 2017, në krye të listave vendosi ministrat apo drejtorët më të korruptuar të tij. Në Dibër Beqja, në Korçë Spiropali, në Vlorë Gjiknuri e kështu me radhë. Kryefjala e gjithçkaje ishte premtimi për punësim pa asnjë lloj kriteri në administratë, duke  u shfajësuar se “vendet e tyre i kishin zënë aleatët”. Rama duket se do ripërsërisë dhe një herë maskarën administrative të 4 viteve më parë, por këtë herë, nuk do jenë më demokratët që do pushohen nga puna, por kryesisht specialistët më të mirë që kanë punuar në çdo sistem, punësimet e bëra nga aleatët,  por dhe socialistët që nuk kanë fituar besimin dhe simpatinë e kryetarit.
Pa shlyer ende borxhet e vitit 2013 krijohet një tjetër borxh nga gjykatat
Por duket se sëpata e Ramës dhe kapriçiot e tij të largimit do të sjellin një tjetër mishmash gjyqësor, mes shtetit dhe individëve që largohen në mënyrë të padrejtë nga puna. Për shembull largimet e padrejta nga puna, që janë shpallur si të tilla me vendim gjykate, i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 30 milionë dollarë ose 3.75 miliardë lekë, ose rreth 30 milionë dollarë deri në vitin 2015. Fatura është paguar nga Ministria e Financave, e cila bën të ditur se deri më datë 31 dhjetor 2015, kishte alokuar në total rreth 18.38 miliardë lekë detyrime të prapambetura. Këtu nuk përfshihen vendimet e dhëna pas vitit 2015, rikthimet në punë me vendim gjykate që nuk janë zbatuar akoma, apo dhe vendimet për pagat që i detyrohet shteti individëve që kanë fituar në shkallë të tjera të gjykatës. “Në lidhje me detyrimet e krijuara nga vendimet gjyqësore, nisur edhe nga vetë natyra e këtij detyrimi, ku procesi gjyqësor nuk ka një afat të përcaktuar kohëzgjatjeje, institucionet buxhetore nuk janë në gjendje të parashikojnë lindjen e tij apo edhe vlerën përkatëse. Për këtë arsye, këto detyrime trajtohen me një Udhëzim të veçantë të Këshillit të Ministrave, nr.1, datë 4.06.2014, “Për mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve monetare të njësive të Qeverisjes së Përgjithshme në llogari të thesarit”, i cili ka në përmbajtjen e tij, parimin e likuidimin të vendimeve gjyqësore, jo më vonë se një vit buxhetor nga data e paraqitjes së tij në institucionet përgjegjëse për shlyerjen e vendimit gjyqësor, si dhe parashikon edhe mënyrën e shlyerjes së tyre në rastet e vlerave të konsiderueshme dhe buxheteve të limituara të miratuara për institucionin buxhetor. Ministria e Financave dhe institucionet në varësi të saj, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha ministritë e linjës që përdorin para publike, është e angazhuar për të respektuar detyrimet ligjore sa i përket ekzekutimit të detyrimeve monetare”, thuhej në buxhetin e ministrisë në atë kohë. Pra, borxhit të pashlyer ende të vitit 2013, pritet t’i shtohet dhe një borxh tjetër, i cili pritet të vijë nga “tepsia” që Rama e kërkoi me aq ngulm në fushatë.

Spastrimet, si justifikim për manipulimin e votave të 17 qershorit

Por Rama ka dhe një arsye tjetër pse po del qytet më qytet, ndërkohë që duhet të ishte në zyrë. Ai e di fort mirë se çfarë ka ndodhur më 25 qershor. Ai e di fort mirë, se komuniteti ndërkombëtar e ka të vështirë të pranojë manipulimin dhe deformimin e rezultatit. Si fajtori që kthehet në vendin e krimit, ai me këtë rast kërkon të manipulojë opinionin publik se këtë manipulim e bëri në “emër të së mirës së përbashkët”. Rama kërkon të luajë rolin e liderit “dashamirës autokratik” që në literaturën e shkencës politike dhe menaxhimin e burimeve njerëzore përkufizohet kështu. “Ky stil paternalist lidershipi presupozon që shumica e vendimeve merret nga eprori, i cili përpiqet t’i bindë vartësit se ai vepron, duke pasur gjithnjë në konsideratë interesat e tyre. Duke u bazuar në shpërblimet dhe pjesërisht në frikën apo dënime”. Rama duket që ka frikë, dhe për këtë arsye i ka hyrë një shoë të panevojshëm me masat, duke huazuar veprimet e liderit të tij shpirtëror. Persona të paguar, ose të porositur më parë atakojnë punonjës të administratës që Rama më pas me sëpatën e tij të vendosë drejtësinë. Turi i Ramës, nuk është gjë tjetër vetëm se një pastrim dhe hedhje e njerëzve në rrugë, që ai kërkon ta kthejë në një shoë të neveritshëm ku turmat të duartrokasin. Çështjet që duhet të zgjidhen nga auditet dhe strukturat antikorrupsion, po lihen në duar të njerëzve të porositur dhe paguar, një inskenim i cili ka si qëllim të prodhojë sa më shumë koka të prera, të lirojë ca vende për militantët e pakënaqur, dhe të rrisë akoma më shumë kostot për administratën.

Show i Beratit, Rama detyroi drejtorin të shkelte ligjin dhe më pas e pushoi

Edi Rama nuk po bën gjë tjetër vetëm se po planifikon spastrimin e administratës, nga të “padëshiruarit”. Jo vetëm nga punonjësit e LSI dhe PDIU, aspak. Rama po përgatit sëpatën për të gjithë ata që si duhen më, duke na dhënë shembuj tipikë komunistë se si “luftohet burokratizmi në administatë”. Show që dha me drejtorin e ALUIZNI-t në Berat, para do kohe  ka pasur në fokus diçka tjetër. Në media u raportua se bashkë me drejtorin është shkrirë dhe e gjithë dega e ALUIZNI-t Berat, dhe janë pushuar 15 persona. Askush nuk u interesua nëse ishte brenda ligjeve apo jo legalizimi i asaj ndërtese, ishin respektuar rregullat urbanistikë, e të tjera si këto. Të nesërmen u raportua se personi që  kish “denoncuar” ishte në proces gjyqësor. Pra, aty ku ajo kish ndërtuar pretendohej nga pronari, dhe drejtori i ALUIZNI-t tashmë duhet të shkojë në burg, sepse ka shkelur ligjin me urdhër të Ramës. Nga ky veprim më shumë se 18 persona, duke përfshirë dhe rojen e godinës humbën punën, se një “banore iu ankua kryeministrit”. Grupi antiparti u gjet. Me sa shihet, Rama nuk ka qenë i kënaqur nga rezultati i zgjedhjeve në këtë qark. Por ngjarja e Beratit nuk u përsërit në Vlorë. Dhe atje kishte ankesa për pronat dhe legalizimet, por me sa duket drejtori i Vlorës i duhet ende. Huri po ngrihet që të jetë gati për në shtator, dhe filozofia e Ramës këtë ka për qëllim. Po del përpara njerëzve që të thotë se nuk është ai fajtori për situatën e krijuar, se nuk është ai që çoi drejt vetëvrasjes njerëzit për drita, por nuk e pushoi drejtorin e OSHEE Berat, kur gruaja para tij ja tha copë se para zgjedhjeve ja lidhi dritat Ermonela Felaj dhe më pas erdhën sërish dhe ja prenë sapo mbaruan zgjedhjet. Por me sa duket dhe drejtori i OSHEE i duhet, ashtu siç i duhen dhe një grusht njerëzish që bëjnë korrupsionin në dogana e tatime, që mbjellin dhe korrin hashashin për të blerë votat. Inskenimi është i shëmtuar dhe ky pastrim që po ndodh i dëmshëm. Pas nxjerrjes në rrugë të punonjësve në Berat ai do shkruante. “Sa më shumë anëtarë dhe anëtare të regjistrohen në Aleancën për Shqipërinë që Duam, aq më e madhe do të jetë rrjeta njerëzore që do të kapë e nxjerrë jashtë nga zyrat e shtetit, peshqit parazitë e grabitqarë që jetojnë me gjakun e taksapaguesve”, kjo është gjuha e kryeministrit, e cila ngjason me atë të diktatorit në fillimet e luftës së tij kundër “borgjezëve dhe kulakëve, që kanë pirë gjakun e popullit”.

Artikulli paraprakBasha: Rritja e çmimit të ujit, veprim kriminal
Artikulli tjetërFoto, masakra e pyjeve jo nga zjarri por nga bizneset pranë Ramës