Foto e Hagia Sophia e shndërruar në xhami, ikonat e krishtera nuk do të preken, të hapura për vizitorët

Në Turqi, një zëdhënës i Partisë AK në pushtet tha se mozaikët e Hagia Sophias së Stambollit do të mbulohen me perde ose me lazer gjatë kohës së faljeve myslimane.

Komentet u bënë të hënën, pak ditë pas konvertimit në xhami të objektit në fjalë nga Presidenti Tayip Erdogan.

Zëdhënësi Omer Çelik tha se ikonat e krishtera do të zbulohen dhe do të jenë të hapura për të gjithë vizitorët kur nuk do të ketë falje, ndërkohë që hyrja do të jetë falas.

Nuk është e qartë se si do të funksionojnë lazerët.

Të premten, një gjykatë turke deklaroi se shndërrimi i ndërtesës në muze në vitin 1934 ishte i paligjshëm. Presidenti Erdogan, i cili e shpalli objektin xhami, tha se faljet e para do të mbaheshin brenda dy javësh.

Ky vendim u bë shkak për kritika dhe shqetësime ndërkombëtare nga Greqia, Shtetet e Bashkuara, Rusia, UNESCO-ja dhe Papa Françesku, i cili shprehu keqardhje.

Çelik tha në një konference shtypi në Ankara se mosrespektimi më i madh ndaj Hagia Sophias në histori u bë nga papati.

Ai tha se të krishterët ortodoksë dhe Hagia Sophia vuajtën për vite me radhë gjatë “pushtimit latin” të udhëhequr nga papati në shekullin e XIII, kur kryqtarët e plaçkitën katedralen.

Greqia e dënoi vendimin të premten, duke thënë se kjo do të kishte pasoja në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe më tej në lidhjet e Turqisë me Bashkimin Evropian. Departamenti amerikan i Shtetit tha se ishte i “zhgënjyer” nga vendimi.

Në Itali, Matteo Salvini, udhëheqësi i partisë së ekstremit të djathtë Lega, drejtoi një demonstratë jashtë konsullatës turke në Milano për të protestuar kundër vendimit.

“Unë do të ndalja çdo lloj ndihme financiare për regjimin turk dhe do t’i jepja fund një herë e përgjithmonë çdo hipoteze për pranimin e Turqisë në Bashkimin Evropian, sepse i kemi dhënë më shumë se 10 miliardë euro një regjimi që shndërron kishat në xhami. Mendoj se ata e kanë kaluar kufirin,” tha Salvini.

UNESCO-ja tha të premten pas njoftimit të Erdoganit se do të rishikojë statusin e monumentit si objekt i trashëgimisë botërore.

Ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu tha se Ankaraja ishte e befasuar nga reagimi i UNESCO-s dhe se do ta vinte në dijeni për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren në lidhje me Hagia Sophian, e cila ishte kishë bizantine për nëntë shekuj para se osmanët ta shndërronin në xhami në vitin 1453.

Turqia është e ndjeshme në mbrojtjen e karakterit të saj historik, tha ai. “Ne duhet të mbrojmë trashëgiminë e paraardhësve tanë. Funksioni mund të jetë ky ose ai, kjo nuk ka rëndësi,” tha Çavusoglu për televizionin shtetëror TRT Haber.

Artikulli paraprakKonservatori Duda fiton zgjedhjet presidenciale në Poloni që në raundin e parë
Artikulli tjetërHaradinaj për President: Krimet e pas luftës në Kosovë nuk kanë lidhje me UÇK-në, por me individët