FMN: Shqipëria një nga tre vendet e vetme në Europë ku janë ulur rrogat

Gjendja ekonomike e familjeve shqiptare të varura nga puna është përkeqësuar në mënyrë të ndjeshme vitet e fundit. Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se Shqipëria është një nga tre vendet e vetme në Europë, ku pagat reale kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme gjatë tre viteve të fundit. Në raportin e fundit monitorues mbi ekonominë shqiptare, FMN deklaron se gjatë periudhës 2013-2015 rrogat reale në Shqipëri u ulën me 1.7 për qind, duke lënë më pak lekë në xhepat e qytetarëve. Paga reale shpreh fuqinë e vërtetë blerëse, duke u zhveshur nga inflacioni. Sipas FMN, kjo e bën Shqipërinë një nga tre vendet e vetme të Europës, ku të ardhurat nga puna kanë shënuar rënie. Dy vendet e tjera janë Serbia dhe Mali i Zi, ku rrogat reale gjatë viteve 2013-2015 kanë rënë respektivisht me 2 për qind dhe 0.3 për qind. Në të gjitha vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore pagat gjatë tre viteve të fundit janë rritur nga 3 për qind në Slloveni deri në 20 për qind në Bullgari. Rënia e rrogave në Shqipëri është udhëhequr nga qeveria, e cila i ngriu pagat për punonjësit e administratës për tre vjet me radhë, ndërkohë që çmimet kanë vazhduar të rriten, duke gërryer fuqinë blerëse të qytetarëve. Por kjo politikë e qeverisë duket se është ndjekur edhe nga sektori privat, i cili i ka mbajtur të pandryshuara rrogat për punonjësit ose madje i ka ulur ato. Sipas Bankës Botërore të ardhurat nga puna përbëjnë burimin kryesore të të ardhurave për familjet shqiptare. Ulja e rrogave do të thotë se niveli i mirëqenies për pjesën më të madhe të familjeve është përkeqësuar.

Artikulli paraprakFitimi i bankave ra me 41% më 2016-n
Artikulli tjetërKarburantet, rritje me 80 lekë litri nga tarifat e reja të qeverisë