Fitimi i bankave ra me 41% më 2016-n

Sistemi bankar nuk ka kaluar një vit të mbarë për sa i përket përfitueshmërisë. Sipas statistikave tremujore të Bankës së Shqipërisë, fitimi i sistemit për vitin 2016, i raportuar sipas standardeve lokale, ishte 9.27 miliardë lekë (rreth 67 milionë euro), me një rënie prej 41% në raport me vitin e mëparshëm. Arsyeja kryesore që ka ndikuar në këtë rënie të fitimeve është rritja e fortë e shpenzimeve për provigjionime (fondet që bankat lënë mënjanë për të mbuluar huatë e pakthyera në afat), të cilat pothuajse u katërfishuan për të arritur në 18.4 miliardë lekë. Pas rënies të huave me probleme në 18.22% në fund të 2015-n, më pas filloi sërish rritja graduale, që kulmoi në gusht 2016, në 21.44%, për të rënë sërish në rreth 18.3% në fund të 2016-s, por kryesisht si rrjedhojë e fshirjes së huave që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen. Një tjetër arsye që ka ndikuar në rënien e fitimeve është reduktimi i të ardhurave neto nga interesat, me rreth 1.8 miliardë lekë. Ndryshe nga viti 2015, ku bankat përfituan nga rënia më e shpejtë e interesave të depozitave (kostos së fondeve) në raport me normën e kredisë (të ardhurat e bankave), më 2016 ku efekti kishte përfunduar. Një pjesë të të ardhurave bankat e rikuperuan përmes rritjes së ndjeshme të të ardhurave neto nga veprimtaria (me 9.7 miliardë lekë). Në vitin 2015, sistemi bankar arriti një fitim rekord prej 15.7 miliardë lekësh, por ai ka rezultuar vetëm në letra, teksa tatimi i paguar ishte vetëm 2.3 miliardë lekë, nga 2.4 miliardë lekë që u paguan më 2016-n. Sipas ekspertëve bankarë, fitimi i arritur më 2016-n vlerësohet i pakënaqshëm për sistemin. Norma e kthyeshmërisë ndaj kapitalit (fitimi/kapitalit rregullator) duhet të jetë mesatarisht mbi 15%, që investimi të konsiderohet eficient, ndërsa për vitin 2016 ai llogaritet në 6.6%.

Bankat frikë nga kreditimi

Bankat tregtare në vend dhanë sinjale të qarta dje se do të vijojnë të mbajnë të ngurta politikat e kreditimit, teksa po i orientojnë paratë e lira drejt alternativave pa risk të financimit. Në ankandin e fundit të obligacioneve 7-vjeçare, ato ofruan trefishin e shumës që kërkoi qeveria për financimin e një obligacioni shtatëvjeçar. Për pasojë interesi i obligacionit ra me 0.74 pikë përqindje në krahasim me ankandin paraardhës që është bërë në dhjetor të vitit të kaluar. Në ankandin e djeshëm interesi zbriti në 5.24% nga 5.98 në ankandin e mëparshëm të zhvilluar në dhjetor. Siç shihet nga të dhënat e ankandit, qeveria kërkoi një financim prej 2.5 miliardë lekësh, ndërsa bankat ofruan 6.4 miliardë lekë. Në kushtet kur kredia po vuan nga moskthim i lartë dhe sektori i korporatave është i mbikredituar, bankat janë gjendur me mundësi të kufizuara për të investuar likuiditetet e tyre. Prandaj, blerja e borxhit të qeverisë po shihet si burimi më i mirë i investimit, për shkak të kostove të ulëta dhe riskut zero. Të dhënat e  djeshme të Bankës së Shqipërisë treguan se stoku i huasë për ekonominë u ul, në fund të dhjetorit, ishte 546.7 miliardë lekë, nga 567.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Negativisht këtu ka ndikuar dhe fshirja e huave, një proces që intensifikohet gjithnjë në muajt e fundit të vitit. Rënia më e madhe e stokut ishte në dhjetor me 5.6 miliardë lekë. Janari ka vijuar me tkurrje, teksa stoku ka zbritur në 545 miliardë lekë. Teksa ekonomia e vendit prej vitesh po vuan pasojat e moskreditimit, duket se qeveria ka qenë përfituese në këto zhvillime. Afatet e maturimit të borxhit të brendshëm janë rritur ndjeshëm dhe interesat kanë rënë. Duke ndjekur këtë trend, Ministria e Financave ka rritur ndjeshëm emetimet e borxhit të brendshëm në instrumente afatgjatë.

Artikulli paraprak“Ligji i faljeve”, Buxhuku: Nuk zgjidh problemin me borxhin e bizneseve
Artikulli tjetërFMN: Shqipëria një nga tre vendet e vetme në Europë ku janë ulur rrogat