Karburantet, rritje me 80 lekë litri nga tarifat e reja të qeverisë

Çmimet e karburanteve do të rriten deri në 8 lekë për litër, në rast se qeveria do të rivendosë tarifën e rilicencimit. Paralajmërimi bëhet nga Luigj Aliaj, kreu i Shoqatës së Shoqërive Hidrokarbure. Në një intervistë për “Ora News”, Aliaj deklaron se çdo kosto shtesë që qeveria do të vendosë për operatorët, do t’iu faturohet konsumatorëve. Sipas tij, për shkak edhe të shtrenjtimit të naftës në tregun ndërkombëtar, gjatë këtij viti çmimi i karburanteve në Shqipëri rrezikon të prekë nivelet e 250 lekëve për litër. Shoqëritë e karburanteve paralajmërojnë rritje të çmimit të naftës dhe benzinës deri në 8 lekë për litër, nëse qeveria vendos tarifën e rilicencimit për pikat e shitjes me pakicë. Kryetari i Shoqatës së Shoqërive Hidrokarbure, Luigj Aliaj deklaron se çdo kosto shtesë që qeveria do të vendosë do t’i faturohet konsumatorit. “Na vjen turp prej konsumatorëve kur shohin se ne kemi çmime më të larta dhe kemi bërë nja pesë vjet që të kuptojnë se janë taksat e larta që janë çmimet e larta. Nëse do të aplikohet do të ketë rritje çmimi patjetër. Padiskutim që do të rritet në një nivel 4-8 lekë”, tha Aliaj. Ndërkaq rritja e çmimeve në treg pritet këtë vit edhe për shkak të shtrenjtimit të naftës në bursa. “Mbërrin në një nivel që vetëm karburantet nuk mbajnë më asnjë lloj takse. Nuk mund të rritet. Deri tani konjukturat e tregut ishin në rënie dhe nëse siç flitet për prognozat tregu ndërkombëtar do të rritet dhe po të shkojë në nivelin ku ishte para krizës së rënies së karburanteve mund të shkojë në 250 lekë litri në Shqipëri”, u shpreh ai. Aliaj deklaron se aktualisht pjesa më e madhe e shoqërive të karburanteve po dalin me humbje, çka shpjegon në shumë raste edhe përzierjet që i bëhen karburantit. “A e di që sot 60% e pikave shesin nën kosto, kjo duhet të jetë shqetësimi ynë. Çfarë ato hedhin, me çfarë i furnizojnë makinat tona aty ku çmimi është më i ulët”, thekson ai. Sipas kreut të Shoqatës së Shoqërive Hidrokarbure, taksat e larta të vendosura nga të gjitha qeveritë janë arsyeja e çmimit të shtrenjtë që paguajmë për naftën dhe benzinën. Sipas Global Petrol Prices, Shqipëria ka çmimin më të lartë të karburanteve në rajon, duke lënë pas vetëm Malin e Zi.

Rilicencimi i hidrokarbureve

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, ku është diskutuar lidhur me idenë e ministrisë për rivendosjen e taksës së rilicencimit të pikave të shitjes së karburanteve e gazit, pas shfuqizimit të tyre nga Gjykata Kushtetuese në nëntor të vitit të kaluar. Nga 5 milionë lekë që ishte tarifa për Tiranën, para se të hidhej poshtë nga gjykata, ministria propozon që ajo të bëhet tashmë 3 milionë lekë, ndërsa për rrethet nga 2 milionë lekë të ulet në 1 milion lekë. Përfaqësuesit e hidrokarbureve e kanë kundërshtuar kategorikisht këtë propozim të ri. Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese, me vendimin 86 30.12.2016 e ka quajtur antikushtetues VKM 970 2.12.2015, me anë të të cilit u shumëfishua tarifa e rimarrjes së lejes së tregtimit. Kjo VKM e dhjetorit 2015 rriti tarifën me 50-fish për Bashkinë e Tiranë dhe 20-fish për bashkitë e tjera. Gjykata argumentoi se ky veprim është abuziv, tejkalon të drejtën që ligjvënësi i ka dhënë qeverisë dhe kjo është jo proporcionale, pasi kjo tarifë paguhet karshi shërbimit që merr.
Burime nga shoqata thanë se kjo nuk është një taksë, por është tarifë shërbimi dhe qeveria nuk ka argumentuar dot në mënyrë proporcionale se çfarë shpenzon më tepër, që në mënyrë proporcionale të arsyetojë rritjen. Gjithashtu gjykata ka cilësuar shkeljen e sigurisë juridike pasi pronarët e pikave e kanë fituar të drejtën e tregtimit, sipas tarifave të 170 25.4.2002, që janë vetëm 100 mijë lekë. Kjo taksë përcaktohet me vendim nga Këshilli i Ministrave, por të ardhurat që vijnë prej saj përdoren nga bashkitë, ku ajo e Tiranës është përfituesja më e madhe, për shkak të nivelit të lartë, por edhe përqendrimit të pikave në zonën rreth kryeqytetit.
Nga operatorët e fushës ishte kërkuar që përfaqësuesit e bashkive sidomos asaj të Tiranës të ishin në takim që të argumentonin arsyen se pse propozohet, rritja që tashmë arrin në 30 dhe 10 herë. Edhe pse ishte njoftuar ardhja e tyre, në takim ishte i pranishëm vetëm një përfaqësues i Bashkisë Fier, i cili e pranoi që bashkia nuk ka pasur rritje të kostove për pajisjen e pikave të karburanteve me leje tregtare.

Artikulli paraprakFMN: Shqipëria një nga tre vendet e vetme në Europë ku janë ulur rrogat
Artikulli tjetërPas tre dështimeve, Zona Teknologjike e Spitallës ridel në tender