FMN për projektin “One billion USD”: Të bëhen transparente rreziqet afatgjata

Projekti 1 miliard dollarë për partneritetet publike private (PPP) i prezantuar pak ditë më parë nga kryeministri dhe ministri i Financave nuk është konsultuar paraprakisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke thotë në një intervistë për “Monitor” se, FMN ka pasur konsultime intensive për përdorimin e tyre në parim dhe marrëveshja vlen edhe për çdo projekt nën ombrellën 1 miliard dollarë, e cila nuk ka qenë temë e diskutimeve tona.
Ai është i kujdesshëm kur i përgjigjet pyetjes nëse ky është një borxh i fshehur, duke pohuar se qeveria duhet të sigurojë që të gjitha angazhimet –si subvencione të drejtpërdrejta, garanci apo pagesat në të ardhmen- të regjistrohen si detyrime ashtu si duhet, përfshirë këtu edhe detyrimet kontigjente (potenciale).
Teksa këto projekte angazhojnë burimet e qeverisë për një periudhë të gjatë kohe, Reinke thotë se, “rreziqet për financat e qeverisë në afatin e gjatë duhet të jenë transparente në të dhënat fiskale dhe duhet të menaxhohen në mënyrë të kujdesshme”.

Rreziqet afatgjata

Do të jetë shumë e rëndësishme që të gjitha angazhimet të dokumentohen në një mënyrë të plotë në kontrata të zbatueshme dhe që ekspertët fiskalë të kryejnë analiza të kujdesshme për rreziqet dhe kostot e ardhshme. Rreziqet për financat e qeverisë në afatin e gjatë duhet të jenë transparente në të dhënat fiskale dhe duhet të menaxhohen në mënyrë të kujdesshme.

– A e ka konsultuar qeveria me FMN-në projektin e prezantuar së fundmi “One billion dollar”?
Gjatë programit, qeveria dhe FMN kanë identifikuar hapat për të përmirësuar planifikimin dhe zbatimin e investimeve. PPP-të janë një formë për të financuar investimet. Ne kemi patur konsultime intensive për përdorimin e tyre në parim dhe marrëveshja vlen edhe për çdo projekt nën ombrellën 1 miliard dollarë, e cila nuk ka qenë temë e diskutimeve tona. Projektet që zbatohen si PPP duhet të kalojnë nëpërmjet të gjithë vlerësimeve dhe prioritizimeve, ashtu si të gjitha investimet e tjera publike që ndërmerren. Përveç kësaj, qeveria duhet të vlerësojë dhe kostot fiskale dhe rreziqet që rrjedhin nga subvencionet apo garancitë që shoqërojnë PPP-të. Kjo qasje është pasqyruar tashmë në ligjin e ri organik të buxhetit, (në Ministrinë e Financave) është ngritur një njësi e re për vlerësimin e rreziqeve fiskale ndaj buxhetit.

– Sipas ministrit të Financave, këto investime nuk ndikojnë në rritjen e borxhit publik, pasi janë të shtrira në kohë dhe kostot do të reflektohen në zërin e shpenzimeve kapitale. Cili është komenti juaj, cili duhet të jetë kontabilizimi sipas standardeve?
Qeveria është angazhuar për t’iu përmbajtur të gjithë ligjeve në fuqi, përfshirë ligjin e ri organik të buxhetit. Duke zbatuar këto parime, të gjitha subvencionet dhe garancitë të regjistrohen ashtu siç duhet dhe të gjitha tavanet ekzistuese, afatshkurtra apo afatgjata duhet të respektohen. Në varësi të vëllimit dhe natyrës së PPP-ve që do të miratohen, mund të jetë e nevojshme që të shkurtohen investimet e financuara drejtpërdrejt nga qeveria. Është e rëndësishme të merret parasysh se jo gjithmonë PPP-të janë mënyra më efektive nga pikëpamja e kostos për të financuar investimet publike. Financimi i projekteve nëpërmjet PPP-ve nuk duhet bërë kurrë për arsyen e vetme që ato të mbahen jashtë bilancit!

– A mendoni se ky është një borxh i fshehur?
Ne e kemi këshilluar qeverinë që t’i përmbahet të gjithë ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, si dhe praktikave më të mira. Ato do të siguronin që të gjitha angazhimet –si subvencione të drejtpërdrejta, garanci apo pagesat në të ardhmen- të regjistrohen si detyrime ashtu si duhet, përfshirë këtu edhe detyrimet kontigjente (potenciale).

– Bizneset dhe ekspertët e kontaktuar nga “Monitor” shprehën shqetësimin se ky është një proces i shtrirë në kohë, rreziqet e të cilit janë të vështira për t’u parashikuar. Cili është komenti juaj për riskun e kësaj forme PPP?
Është e vërtetë që PPP-të kanë potencialin për t’i lidhur burimet e qeverisë për një periudhë të gjatë kohe, qoftë nëpërmjet angazhimeve për pagesa të ardhshme nga ana e qeverisë apo nëpërmjet garancive që përbëjnë detyrime kontigjente (potenciale). Do të jetë shumë e rëndësishme që të gjitha angazhimet të dokumentohen në një mënyrë të plotë në kontrata të zbatueshme dhe që ekspertët fiskalë të kryejnë analiza të kujdesshme për rreziqet dhe kostot e ardhshme. Rreziqet për financat e qeverisë në afatin e gjatë duhet të jenë transparente në të dhënat fiskale dhe duhet të menaxhohen në mënyrë të kujdesshme.

Artikulli paraprakKLSH: 534 milionë euro dëm buxhetit të shtetit në dy vite
Artikulli tjetërRonaldinjo tërhiqet nga futbolli