KLSH: 534 milionë euro dëm buxhetit të shtetit në dy vite

Nëpunësit publikë, kryesisht zyrtarët e lartë të shtetit kanë shkaktuar të paktën 534 milionë euro dëme ndaj buxhetit në 2 vite e gjysmë. Shifra, e cila është sa 5.3 për qind e Prodhimit Kombëtar është bërë publike nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e sapopublikuar për vitin 2016. Sipas raportit, gjatë vitit të kaluar enti më i lartë auditues i shtetit ka ushtruar 154 kontrolle të plota në institucione apo kompanitë publike. Por edhe pse kontrollet janë kryer vitin e kaluar, shkeljet e zbuluara në to i përkasin periudhës nga 1 janari i vitit 2013 deri në shtator të 2016-ës. Sipas KLSH, nga totali i dëmeve të zbuluara 346 milionë euro janë shkelje të disiplinës financiare me pasoja negative në buxhetet e institucioneve të audituara, ndërsa pjesa tjetër prej 188 milionë euro janë parregullsi në të ardhurat apo shpenzimet e kryera. Brenda këtij zëri shkeljet më të mëdha i përkasin privatizimit dhe dhënies me qira të pronës publike me rreth 110 milionë euro, si dhe abuzimeve në tendera dhe prokurime me rreth 25 milionë euro. Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaron se për këto shkelje ka kallëzuar penalisht 191 zyrtarë. Sipas raportit, pjesa më e madhe e tyre tashmë janë nën hetim nga Prokuroria dhe paralelisht është kërkuar masë administrative nga gjoba deri në largim nga puna për 1515 punonjës të sektorit publik. Në prill të vitit 2015, KLSH në raportin drejtuar Kuvendit konstatonte se abuzimet në Dogana dhe Tatime ishin rritur rreth 14 herë më shumë, krahasuar me një vit më parë. Sipas këtij raporti 123 milionë euro ishte shuma e abuzimit nga këta sektorë ose rreth 13 për qind të totalit prej 1 miliard euro të dëmit që iu shkaktua shtetit për vitin që shkoi nga qeverisja e rilindjes. Mbetet për t’u parë këtë vit sa do të jetë dëmi total, por trendi i shifrave është në rritje. “Për vitin 2015, një dëm të konsiderueshëm kemi konstatuar në sektorin e Tatimeve dhe Doganave në rreth 13% të dëmit total të konstatuar, kundrejt 10% të dëmit të konstatuar në këtë sektor për vitin 2014 dhe 3% të konstatuar në vitin 2013. Po të analizojmë në vlerë trendin në rritje të dëmit në sektorin e Tatimeve dhe Doganave do të vërejmë një rritje me 14 herë krahasuar me shifrën e dëmit të konstatuar në vitin 2014”, raporton KLSH. Kështu nga 1,220,319 mijë lekë të vitit 2014 konstatimet në këtë sektor kanë arritur në 16,854,733 mijë lekë në vitin 2015. Për vitin 2015, kemi rritje të konsiderueshme të vlerës së dëmit të konstatuar në fushën e prokurimeve publike krahasuar me vitin 2014. Gjithashtu, rritje ka pësuar edhe dëmi në prokurime arriti në 2,621,594 mijë lekë, krahasuar me 678,118 mijë lekë të konstatuar për vitin 2014 me një rritje 3.8 herë. Por KLSH referon se, për vitin 2015 pjesa më e madhe e dëmit vjen kryesisht nga fusha e menaxhimit të pasurisë shtetërore, ku rezulton se është konstatuar rreth 84% e dëmit total në sektorin e energjisë e sektorin e hidrokarbureve.

Artikulli paraprakBERZH: Pengesa për të bërë biznes në Shqipëri
Artikulli tjetërFMN për projektin “One billion USD”: Të bëhen transparente rreziqet afatgjata